E Diel, 1 Nëntor 2026

Transaksioni i dyshimtë mes ortakëve të “Albademil”-it në gusht 2007



Habjon Hasani

Tiranë - Më 1 gusht të vitit të kaluar ortakët e firmës “Albademil”, Mihal Delijorgji dhe Patrik Henri, kanë kryer një zhvendosje aksionesh (në vlerën 8 për qind) nga Henri për llogari të Delijorgjit. Ndonëse shitja e aksioneve përbën në thelb një veprim të ligjshëm, në kontekstin e raporteve të firmës me Ministrinë e Mbrojtjes duket se ky kalim aksionesh është një tregues i rëndësishëm i “çorbës që po gatuhej” mes titullarëve të Ministrisë së Mbrojtjes dhe krerëve të “Albademil”-it. Dokumenti që boton sot “Albania” (i datës 1 gusht 2008), i cili është administruar dhe nga Prokuroria e Përgjithshme, duket se flet për një veprim të rëndësishëm në fushën e aksioneve të kompanisë, pasi vetëm një javë më vonë, në datën 7 gusht 2008, Mediu ka urdhëruar transferimin e municioneve pa çmim dhe inventar drejt fabrikës në pronësi të “Albademil”-it. “Në kundërshtim me pikën 1 të Urdhrit të nxjerrë prej tij nr. 416, datë 02.04.2007 ‘Për ngritjen dhe funksionimin e Komisionit të Posaçëm për përcaktimin e kontingjentit të armëve, teknikës, pajisjeve, municioneve dhe lëndëve eksplozive të hequra nga përdorimi’, ka nënshkruar Urdhrin nr. 1300, datë 07.08.2007, megjithëse mungonte një vendim i këtij komisioni, i cili kishte për detyrë të bënte kategorizimin e tij në zbatim të Vendimit të KM nr. 138, datë 14.03.2007”, - shkruhet edhe në argumentimet që Prokuroria ka shfaqur për heqjen e imunitetit të Mediut.
Pikëpyetjet
Pikërisht për këtë urdhër Mediu është pyetur imtësisht gjatë dy seancave në Prokurori, ndërsa ekspertë të grupit hetimor kanë dyshime se shitja e aksioneve dhe urdhri mund të kenë lidhje domethënëse mes tyre. Dokumenti vërteton njëkohësisht se ndryshe nga sa është pretenduar publikisht nga Ministria e Mbrojtjes, kontrata e demontimit të fishekëve me kalibër të vogël (e lidhur në fillim të vitit 2007) nuk është lidhur me një kompani amerikane, por me një kompani shqiptare (Albademil), e cila e kishte njërin prej ortakëve amerikan (Patrik Henri) dhe që zotëronte vetëm 33 për qind të aksioneve. Por nëse i referohesh statutit të firmës, vendimmarrja i takonte aksionarit që zotëronte mbi 50 për qind të aksioneve, kësisoj ka qenë Delijorgji ai që është pajtuar për këtë kontratë dhe jo “amerikani” Henri. Përpos këtij fakti duket se pikërisht në momentet kur firma kërkonte demontimin e kalibrave më të mëdhenj Delijorgji “i rrëmben” Henrit dhe tetë për qind të aksioneve të tij.
Dhjetori
Pas shpërthimit vdekjeprurës në Fabrikën e demontimit të Gërdecit, Ministria e Mbrojtjes publikoi kontratën (e dytë) e lidhur mes saj dhe firmës “Albademil” në dhjetor të vitit 2007, e cila i lejonte kompanisë të demontonte edhe municione të kalibrave më të mëdhenj. Sikurse e tregoi praktika zyrtare e sekuestruar nga prokuroria, kjo kontratë është lidhur pas kërkesave të shumta nga firma për çmontimin e këtyre kalibrave më të mëdhenj. Por urdhri i 7 gushtit, i firmosur nga ish-ministri Mediu, lë të kuptohet se “Albademil” mund të ketë filluar që pas kësaj date (7 gusht) të demontojë municione të një kalibri të madh, ndërsa një javë më parë firma kishte “rishikuar” dhe ndarjen e aksioneve mes ortakut shqiptar dhe atij amerikan.

22 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›