Befasia, PD-ja kërkon ndryshimin e zgjedhjes se Presidentit
Erald Kapri
Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike, në kulmin e debatit politik për reformën zgjedhore ka dërguar në Kuvend një mori amendamentesh për të ndryshuar Kushtetutën. Deputetja Arenca Trashani ka lexuar propozimet ditën e djeshme në Komisionin e Ligjeve, çka ka lënë pa fjalë të gjithë deputetët e opozitës. Partia Demokratike ka propozuar 5 amendime kushtetuese që kërkojnë ndryshimin e thelbit politik të Kushtetutës. Propozimet prekin mënyrën e shkarkimit të kryeministrit, mandat 5-vjeçar për prokurorin e Përgjithshëm, riformulim të formulës kushtetuese të zgjedhjes së presidentit si dhe heqjen e neneve për Komisionin Qendror të Zgjedhjeve nga Kushtetuta për t’i kaluar të Kodin Zgjedhor. Propozimet e PD-së kanë ngritur një debat të ri politik dhe ligjor në vend në një moment të tillë kur energjitë politike janë përqendruar në reformën elektorale. Një pjesë e deputetëve të majtë i kanë parë këto ndryshime si të qëllimshme për të përfituar nga klima konsensuale për reformat dhe me këtë qëllim të ndryshohet edhe thelbi politik i Kushtetutës. Ende pa nisur diskutimi për këto propozime kanë lindur kundërshtitë e para mbi to. Sipas disa deputetëve të majtë, por edhe të djathtë, ndryshimet e reja i japin kryeministrit të vendit një rol më politik. Njëkohësisht, me ndryshimet e propozuara nga PD-së për mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës, përjashtohet mundësia e konsensusit politik për të zgjedhur atë dhe i lihet në dorë gjithmonë shumicës parlamentare për të zgjedhur një president të njëanshëm. Kjo është kundërshtuar nga hartuesit e ndryshimeve, pasi sipas tyre, ky formulim në mënyrën e zgjedhjes së Presidentit të Republikës është bërë me qëllim evitimin e krizave politike dhe parlamentare në të ardhmen.
Befasia
Menjëherë pas diskutimit të deputetes Trashani, deputeti i PS-së, Fatmir Xhafa, shprehu habinë e tij në lidhje me këto ndryshime të thella kushtetuese në një moment kur vëmendja është përqendruar te reforma zgjedhore. “Amendamentet që lidhen me presidentin, Këshillin e Ministrave apo prokurorin e Përgjithshëm nuk janë të njohura nga ana jonë dhe nuk na janë venë në tavolinë. Ne nuk mund të diskutojmë për këto”, - reagoi Xhafa. Deputetja Trashani ka kërkuar të qetësojë deputetët e habitur duke thënë se ndryshimet janë parë si të nevojshme dhe të domosdoshme. Ajo tha se përderisa do të preket Kushtetuta në lidhje me sistemin zgjedhor, atëherë njëkohësisht mund të ndërhyhet edhe për ndryshme të tjera, të cilat i ka kërkuar koha dhe eksperienca. “Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike i ka paraqitur këto ndryshime kushtetuese në mënyrë që ato të diskutohen, pasi fliten për ndryshime të rëndësishme si kur flitet për mandatin e prokurorit të Përgjithshëm, mocionin e besimit dhe mosbesimit nga kryeministrit si dhe mënyrën e zgjedhjes së presidentit”, - tha Trashani. Ideja e deputetëve demokratë është përkrahur nga republikanët. “Këto duhet të miratohen në paketë, pasi ne nuk mund të rikthehemi pas një muaji për të miratuar ndryshime të tjera kushtetuese”, - u shpreh Madhi. Nga ana tjetër, deputeti i PBDNJ-së, Spiro Peçi, është shprehur se nuk është koha që propozime të tilla kushtetuese të propozohen në një moment të tillë politik. “Çdo propozim për ndryshim tjetër kushtetues, mua më duket si jo në vendin e duhur apo në kohën e duhur”, - deklaroi Peçi.
Propozimet
Ndryshimet shtesë të PD-së, të cilat iu paraqitën deputetëve, nuk u diskutuan në Komisionin e Ligjeve pasi axhenda e djeshme e mbledhjes së komisionit parashikonte vetëm shqyrtimin e amendimeve kushtetuese për sistemin zgjedhor. Drafti i propozuar nga PD-ja parashikon ndryshimin e nenit 87 të Kushtetutës lidhur me zgjedhjen e presidentit të ri të vendit. Sipas këtij ndryshimi, votimi në Kuvend për kreun e shtetit të jetë me pesë raunde. “Në këtë votim, president zgjidhet kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit”, përcaktohet në propozimin e deputetëve të PD-së. Propozimet kanë prekur edhe çështjen e shumëdiskutuar të mandatit të prokurorit të Përgjithshëm, më saktë të nenit 149 të Kushtetutës. “Prokurori i Përgjithshëm emërohet nga Presidenti i Republikës me pëlqimin e Kuvendit, për një mandat prej pesë vjetësh, me të drejtë riemërimi”, - propozohet nga deputetët e PD-së. Përsa i përket mënyrës së funksionimit të Këshillit të Ministrave, është kërkuar një riformulim i mocionit ndaj kryeministrit të Kuvend. Konkretisht, propozohen ndryshime për nenin 104 dhe 105, që flet për procedurën e kërkesës së mocionit ndaj kryeministrit. “1/5 e deputetëve ka të drejtë të paraqesë për votim në Kuvend një mocion mosbesimi ndaj kryeministrit në detyrë, duke propozuar një kryeministër të ri”, - propozuan deputetët e Partisë Demokratike.
10 Prill 2008