E Martë, 3 Nëntor 2026

Kontrollonte anijen, bie nga shkallët dhe plagoset polici

14/05/2005  Një ditë më parë dhuroi gjak për talasemikët

DURRES - Pakujdesia i ka shkaktuar fraktura të rënda një efektivi blu të komisariatit të policisë së Portit Durrës. Artan Telhai ka përfunduar, rreth mesditës së djeshme, në gjendje shumë të rëndë në spitalin e Durrësit, pas dëmtimit të rëndë në kokë dhe gjymtyrë. Ndërkohë një ditë më parë, sërish polici kishte qenë në spital, për të dhuruar gjak për talasemikët, ndërsa dje u rikthye si pacient.

Ai ka qenë duke kryer kontroll rutinë në anijen “Baxha”, e cila do të nisej për të importuar mallra në vendin fqinj Italinë.

Punonjësi i policisë, 35 vjeç, gjendet në sallën e reanimacionit dhe kirurgët e spitalit kanë pohuar se ai do të duhet t’i nënshtrohet disa ndërhyrjeve të kualifikuara, për shkak të dëmtimeve serioze.

Ngjarja

Ndihmëskontrollori Artan Telhai, punonjës i efetivit të komisariatit të policisë së Portit Durrës, ka rënë dje në hambarin e një anije dhe për pasojë ka dëmtuar kokën, duart e këmbët, ndërkohë që mjekët kanë thënë se ka thyer edhe disa brinjë. Ndihmëskontrollori ka qenë në përbërje të grupit të praktikës për të kontrolluar anijen “Baxha”, e cila do të dilte nga porti.

Sipas policisë, anija ka qenë bosh dhe do të lundronte për të importuar mallra nga Italia. Telhai, 35 vjeç dhe banorë në qytetin e Durrësit, ka qenë pjesë e grupit të praktikës, që ushtrojnë kontroll në rastet kur anijet futen në port, si dhe e të tjerave që dalin nga porti. Pikërisht në kohën që ai ka nisur të zbresë shkallët për të kontrolluar hambarin e anijes ka përfunduar në fund të tij.

Ngjarja ka ndodhur dje, rreth orës 11, teksa ndihmëskontrollori ka humbur ekuilibrin gjatë zbritjes së shkallëve, duke rënë nga një lartësi rreth 7 m. Fakti që hambari ka qenë bosh, i ka shkaktuar atij fraktura të rënda. Pas ngjarjes, pjesëtarë të tjerë të grupit të praktikës kanë vënë në dijeni komisariatin si dhe urgjencën e spitalit.

Gjendja

Bluzat e bardha dhe uniformat blu kanë transportuar të dëmtuarin drejt spitalit, ku edhe ndodhet në gjendje shumë kritike. Sipas burimeve spitalore, efektivi i policisë së portit ka dëmtuar rëndë shpatullat, por dëmtime serioze ka pësuar edhe në kokë.

Pas kësaj ngjarjeje, drejtoria e spitalit ka caktuar një grup mjekësh të ndjekin nga afër ecurinë e gjendjes së punonjësit të policisë, ndërkohë që mjekët po shohin mundësinë e dërgimit të tij në Spitalin Ushtarak të Tiranës.

Telhai një ditë më parë thuhet se kishte dhuruar gjak, në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të Dhurimit të Gjakut, ndërkohë që ka përfunduar si pacient në të njëjtin spital, një ditë më pas.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›