E Hënë, 2 Nëntor 2026

Ksamil, banorët bllokojnë rrugën, protestë ndaj prishjeve të ndërtimeve

14/05/2005  Policia Ndërtimore prishi një disko dhe katër lokale, në prag të sezonit të plazhit

SARANDE – Banorët e Ksamilit bllokojnë rrugën, në shenjë proteste të prishjes së ndërtimeve, nga ana e policisë ndërtimore, në prag sezoni. Duke e cilësuar këtë akt si hakmarrje, banorët e kanë mbajtur të bllokuar rrugën nacionale për disa orë.

Bllokimi

Rreth orës 08.00 të ditës së djeshme, mëse 200 banorë të Ksamilit, pasi kanë biseduar pak minuta në qendër të qytezës, më pas janë nisur për në “Qafën e Hartës”, në hyrje të Ksamilit, ku kanë bllokuar rrugën nacionale. Rruga është bllokuar me një makinë të vendosur në mes të asfaltit, si dhe gurë të shumtë e të mëdhenj në rrugë, ndërkohë që pas tyre qëndronin vetë banorët e irrituar.

Situata ka vazhduar të keqësohet kur në dy krahët e rrugës fluksi i automjeteve në pritje për të qarkulluar, po rritej. Në vargun e automjeteve që prisnin, ishin mëse 50 në të dyja anët e “barrikadës”. Midis automjeteve të bllokuara ishin edhe 10 autobusë me turistë amerikanë, që ishin nisur për në qytetin antik të Butrinit, si dhe dhjetëra autobusë me nxënës të shkollave të mesme nga Tiranë e rrethe të tjera. Të bllokuara ishin edhe shumë autovetura.

Policia

Gjatë protestës së banorëve, janë dëgjuar thirrje si “nuk i prish dot policia punët tona se i kemi me leje nga komuna”.

Më pas në vendngjarje ka mbërritur një grup forcash policore nga komisariati i Sarandës, të cilat kanë tentuar të komunikojnë me banorët, por nuk kanë mundur t’i shpërndajnë.

Banorët kanë këmbëngulur në zgjidhjen e problemit nga Ministria e Rregullimit të Territorit dhe Turizmit.

Pas një ore proteste, ka mbërritur në “Qafën e Hartës” kryetari i komunës së Ksamilit, Vesel Koçia.

Ai ka komunikuar me forcat e rendit, ndërsa ka kërkuar që turma të shpërndahej. Ai ka kërkuar që protesta të zhvendosej përpara komunës, ku të qetësoheshin banorët dhe më pas të paraqitej një kërkesë Ministrisë së Rregullim Territorit dhe Turizmit.

Banorët

Pas kësaj, protestuesit janë shpërndarë, duke e lënë “Qafën e Hartës”.

Në sheshin e komunës është bërë thirrje për largimin e policisë ndërtimore nga Ksamili, pasi ndërtimet verore buzë detit janë të ligjëruara nga komuna.

Protestuesit kanë theksuar se në rast të vazhdimit të aksionit banorët e Ksamilit do të reagojne me të gjitha mjetet që lejon ligji deri në protesta të bllokimit të rrugës në ditët e fundjavave, ku rruga që të çon në Butrint është edhe më e rënduar nga trafiku.

Shkaku i reagimit

“Policia Ndërtimore, prishi ndërtimet me leje”

SARANDË - Mbrëmjen e së mërkurës, policia ndërtimore e prefekturës së Vlorës ka nisur një aksion për shembjen e ndërtimeve anës detit në Ksamil. Aksioni ka nisur me shembjen e një disko verore, në afërsi të ishullit të madh të Ksamilit. Më pas aksioni ka vazhduar me rrëzimin edhe të 4 lokaleve të tjera në këtë zonë.

Banorët shprehen se komuna ka dhënë leje për ndërtimin e bareve verore me rikonstruksion të lehtë, të cilat mund të prishen më vonë gjatë stinës së dimrit.

Drejtues të komunës bënë të ditur se një vit me parë nga ndërtimi i këtyre lokaleve të ardhurat e komunës u shtuan me 45 për qind dhe kjo ishte arsyeja që të ligjëroheshin edhe këtë vit lokale të tilla që nuk dëmtojnë diversitetin e zonës.

Pas shembjes së 5 lokaleve të parë, policia ndërtimore ishte larguar nga Ksamili.

Ky veprim ka irrituar banorët dhe është pasuar me grumbullimin e tyre dje në qendër të komunës, më pas edhe duke bllokuar aksin rrugor Sarandë–Butrint, në shenjë proteste ndaj këtij veprimi të policisë ndërtimore.

Në Ksamil janë dhënë 30 leje për ndërtimin e lokaleve verore në anë të detit nga këshilli i komunës. Kjo sipas këtij vendimi është bërë për të ofruar një shërbim sa më të mirë për pushuesit që zgjedhin plazhin e Ksamilit për të kaluar ditët e nxehta.

Shumica prej këtyre lokaleve tashmë janë ndërtuar dhe pritet që edhe të tjere të ngrihen përgjatë vijës bregdetare të Ksamilit.

Ndërsa 5 prej këtyre ndërtimeve, që janë kryesisht në dru, janë shembur nga aksioni i ndërtimorëve.

Flet kryetari i komunës, Vesel Koçia

“Provokim dhe kërcënim për banorët e Ksamilit”

SARANDË - Pas ngjarjeve të fundit të ndodhura në komunën e Ksamilit ka reaguar kryetari i saj, Vesel Koçia, i cili në një intervistë për gazetën “Metropol” e ka quajtur sjelljen e policisë ndërtimore si një provokim të rëndë.

Si e vlerësoni sjelljen e policisë ndërtimore?

Ky veprim i policisë ndërtimore në Ksamil është një provokim i rëndë që u bëhet banorëve të komunës sonë në prag të çeljes së sezonit veror.

Sipas jush, kjo sjellje ka lidhje me fushatën elektorale?

Pa dyshim. Ky është një akt që kryhet në prag të fushatës elektorale dhe është një presion i hapur ndaj qytetarëve të Ksamilit. Këto veprime të tilla të njëanshme në prag të fushatës elektorale dhe në prag të sezonit turistik nuk i shërbejnë komunitetit dhe turizmit.

Ju keni kërkuar ndihmën e policisë ndërtimore, apo asaj të rendit për prishjen e ndërtimeve në bregun e detit?

Jo. Nuk kemi thirrur dhe nuk është e nevojshme që të vinë forca policore nga Tirana për të ushtruar një presion të tillë, ndërkohë që frenimi i ndërtimeve është bërë nga komuna dhe policia lokale, në bashkëpunim edhe me inspektorin e policisë ndërtimore të Sarandës. Nuk është e nevojshme që një prezencë kaq e madhe policësh të vijë për të frikësuar banorët e Ksamilit.

Cila janë hapat që do të hidhni pas kësaj?

Fillimisht do të qetësojmë qytetarët të mos bien pre e këtyre provokimeve dhe mandej do të kërkojmë urgjentisht një takim me përfaqësues të Ministrisë së Rregullimit të Territorit dhe Turizmit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›