E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rrjet mashtruesish, të implikuar edhe nga Shërbimi Transportit

14/05/2005  Shpërndanin leje qarkullimi dhe targa falso

DURRES - Denoncimi i bërë nga një shtetas, me banim në Durrës, për mashtrimin që i është bërë, i ka dhënë mundësi inspektorëve të zyrës së antikrimit të zbulojnë një ndër mashtrimet më të mëdha, të kryera lidhur me lejet e qarkullimit, si dhe targat false. Në këtë mashtrim, dyshohet se të implikuar janë edhe punonjës të të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor.

Eduart Hysi dhe Gëzim Doda janë të parët që kanë bërë kallëzim ndaj Koçit, i cili akuzohet se u ka marrë këtyre shtetasve nga 62 mijë lekë, duke u premtuar se do i pajisë me leje qarkullimi dhe targa për autoveturat e tyre. Pasi personat që kishin paguar paradhënie shumën janë sorollatur disa muaj, Koçi, mësohet nga policia, u ka lënë në dorë fatura false. Në banesën e të akuzuarit për mashtrim policia ka sekuestruar në cilësinë e provës materiale formularë, targa, dokumente, letërnjoftime të shtetasve, fotografi dhe sende të tjera me vlerë për grupin hetimorë.

Rrjeti

Kontrolli i banesës së shtetasit Mendu Koçi, i arrestuar 10 ditë më parë, pas një kallëzimi të bëra nga një shtetas, si dhe gjetja e dokumenteve, formularëve, targave dhe materialeve të tjera, ka habitur insektorët.

Sipas pohimeve zyrtare nga Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës, policia në bashkëpunim me organet e prokurorisë ka mundur të zbulojë një nga mashtrimet më të mëdha të ndodhur prej viteve në qytetin e Durrësit dhe numri i qytetarëve të dëmtuar kalon gjeografinë e Durrësit. Burime jozyrtare thonë se në këtë rrjet janë të përfshirë edhe punonjës të Drejtorisë Rajonale të Shërbimit të Transportit Rrugor, formularët dhe stampat e të cilës rezultojnë të falsifikuara.

Ndërsa burimet zyrtare policore thonë se në rrjetin e mashtrimit kanë rënë dhjetëra qytetarë, ndërkohë që prokuroria, që ka marrë dosjen e përgatitur nga policia gjyqësore, ka nisur hetimin edhe për persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet.

Arrestimi

Në fillim të këtij muaji, ka qenë denoncimi i një qytetari në policinë e Durrësit, ajo që ka vënë në pranga shtetasin Mendu Koçi, me banim në Shijak të Durrësit. Personi që ka bërë denoncimin ka thënë se Koçi i ka marrë 62 mijë lekë, duke i premtuar atij pajisje me leje qarkullimi dhe targa. Ndërkohë që i interesuari ka marrë dokumentet, pas një kontrolli rutinë të bëra nga policia rrugore, të gjitha letrat si dhe targa e makinës i kanë rezultuar të jashtëligjshme.

Drejtuesi i mjetit fillimisht është përpjekur të bindë inspektorët e policisë rrugore se dokumentet i kishte të rregullta, madje edhe u ka lënë në dorë faturën, të cilën thuhet nga policia se ia kishte dhënë Koçi. Por, gjithçka ka rezultuar e falsifikuar dhe pas këtij veprimi personi i dëmtuari i është drejtuar policisë për të bërë kallëzim.

Kontrolli në banesën e Koçit, si dhe denoncimet e shumë shtetasve kanë nxjerrë në pah ekzistencën e një rrjeti të gjerë të falsifikimit të dokumenteve të qarkullimit rrugor e targave, si dhe të mashtrimit të qytetarëve.

Viktimat

Inspektori i antikrimit, Dashamir Beja, i cili ka hetuar rastin e mashtrimit, ka pohuar se numri i shtetasve të mashtruar nga Koçi dhe bashkëpunëtorët e tij është shumë i madh.

“Aktualisht, në 9 ditë, pas arrestimit të Mendu Koçit, kanë rezultuar të mashtruar 30 persona, por mendojmë se janë dhjetëra të tjerë, për të cilët kemi nisur procedurën e mbledhjes së dëshmive dhe provave”, ka thënë inspektori Beja.

Nga ana tjetër, ai ka bërë të ditur se rasti në fjalë është mashtrimi më i madh, që mund të ketë ndodhur ndonjëherë dhe se “nuk është aspak çudi që në rrjetin e mashtruesëve dhe falsifikatorëve të kenë rënë qindra qytetarë”.

Megjithatë, deri më tani, në polici janë depozituar 7 denoncime, ndërkohë që, sipas inspektorit, ky numër rritet çdo ditë.

Pas arrestimit “dyndje” denoncimesh

Koçi mashtronte dhe për të shitur makinat

Një çështje më vete penale që po hetohet është edhe mashtrimi që i është bërë shtetasit Nadir Mema.

Inspektori i antikrimit, Dashamir Beja, ka thënë se i ndaluari Koçi i ka premtuar Memës se do ia shesë makinën, duke i marrë si paradhëine për shërbimin 40 mijë lekë. Por, ndërsa makina e Memës është shitur, i denoncuari nuk i ka dhënë asnjë lekë pronarit të automjetit.

“Raste të tilla, ku Koçi ka marrë makinat e të tjerëve dhe pasi i ka shitur nuk u ka kthyer asnjë lekë, janë të shumta”, ka pohuar Beja.

Nga ana tjetër, inspektori ka deklaruar se mashtrimi është kryer në bashkëpunim dhe se policia gjyqësore si dhe prokuroria po plotësojnë dosjen edhe për të implikuarit, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur.

Menjëherë pas arrestimit të Koçit, në dyert e policisë kanë trokitur edhe shumnë qytetarë të tjerë, të cilët kanë shtuar numrin e kallëzimeve për mashtrimin e bërë. Shumë nga emrat e denoncuesve nuk janë bërë të ditur, ndërsa ajo që është pohuar nga policia është fakti se krahas qytetarëve nga Durrësi ka edhe të dëmtuar e të mashtruar nga periferia dhe fshatrat e kësaj prefekture.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›