E Diel, 1 Nëntor 2026

Konuzin: Negociatat për Kosovën varen nga vendimi i GJND-së

Ambasadori i Rusisë në Beograd, Aleksandër Konuzin shprehet se potencialet e procesit negociator për statusin e Kosovës në vitin 2007, nuk u shfrytëzuan deri në fund. Konuzin mendon se vazhdimi i mundshëm i bisedimeve për çështjen e Kosovës do të varet nga mendimi që do të japë Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë lidhur me ligjshmërinë e pavarësisë së Kosovës. I pyetur në një intervistë për gazetën "Novosti" nëse Këshilli i Sigurimit do të mund të inicionte çështjen e bisedimeve të reja për Kosovën, Konuzin ka thënë se nuk duhet nxituar dhe se duhet pritur vendimi i GJND-së për pavarësinë e Kosovës, i cili sipas tij, nuk do të vijë para marsit të këtij viti. Vendimi këshillëdhënës i GJND-së nuk është i detyrueshëm, megjithatë sipas Konuzinit, mendimet që jep kjo gjykatë janë burime të besueshme që ngërthejnë normat ndërkombëtare. Konuzin pret që mendimi i GJND-së do t'u japë mbështetje argumenteve të kundërshtarëve të pavarësisë së Kosovës - ndërsa ka premtuar se Rusia do t'i qëndrojë pranë Serbisë duke mbështetur iniciativat e saj rreth Kosovës.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›