Izraeli nuk ka ndërmend t’i kërkojë ndjesë Turqisë
Radioja shtetërore e Izraelit ka bërë të ditur se qeveria nuk do t’i përgjigjet ultimatumit të presidentit turk Abdullah Gyl, i cili ka kërcënuar se do të tërheqë të dërguarin në Tel Aviv, nëse Izraeli nuk kërkon ndjesë publike për “poshtërimin” që i është bërë këtij të fundit nga zëvendësministri i Jashtëm izraelit, Dani Ajalon.
Në fakt, Izraeli pretendon se ka kërkuar një herë ndjesë me anë të Ajalon, i cili ka thënë se nuk do ta përsërisë më një veprim të tillë, ku priti ambasadorin turk në zyrën e Ministrisë së Jashtme në një kolltuk disa centimetra më të ulët se i veti.
Nëpërmjet një deklarate, Ministria e Jahstme izraelite ka deklaruar se “nëse Turqia merr një vendim për të tërhequr ambasadorin, kjo është punë e saj”.
Zëvendësministri i Jashtëm izraelit në deklaratën e parë tha se qëllimi i tij nuk ishte të vinte në lojë të dërguarin e Ankarasë. Pas protestës së Turqisë ai premtoi se do të zgjidhte rrugë më diplomatike për sjelljen ndaj ambasadorëve të huaj në Tel Aviv.
Kryeministri izraelit Benjamin Netanjahu e quajti deklaratën e zv-ministrit të Jashtëm si “kërkim faljeje”, dhe për këtë shprehu kënaqësinë.
Ndërkohë, vetë ministri i Jashtëm i Izraelit, Avigdor Lieberman, gjatë një vizite zyrtare në pjesën greke të Qipros, theksoi se nuk dëshiron një acarim të marrëdhënieve me Turqinë.
Si për ironi me incidentin, Lieberman kërkoi nga ana e Turqisë të tregojë më respekt ndaj Izraelit. “Ne po tregojmë një ‘respekt’ ndaj Turqisë, dhe të njëjtën gjë kërkojmë edhe ne nga ana e saj”, deklaroi shefi i diplomacisë izraelite.