“Janë për të ardhur keq komentet që e cilësojnë Gjykatën Administrativen thertore për biznesin”

Kreu i LSI-së, takim me Shtabin Elektoral në Njësinë nr. 2 në Tiranë, dënon deklaratat e Edi Ramës për Gjykatën Administrative
Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, i shoqëruar nga kryetari i LSI-së për Njësinë Bashkiake nr. 2 në Tiranë, Elez Gjoza, ka zhvilluar një takim në këtë njësi. Në fjalën e tij Lideri i LSI-së deklaroi më 23 qershorit qytetarët shqiptarë do votojnë LSI-në sepse ata duan të ecin më shpejt dhe e kuptojnë plotësisht mesazhin dhe angazhimin e LSI-së.
Sipas tij, Lëvizja Socialiste për Integrim pas zgjedhjeve e 23 qershorit do të ketë një peshë shumë më të madhe në qeverisjen e ardhshme, në Parlamentin e ardhshëm. Meta tha se për koalicionet e ardhshme do të vendosi konventa e LSI-së, por sipas tij e rëndësishme është që pas 23 qershorit LSI do të ketë më shumë peshë në qeverisjen e ardhshme, në parlamentin e ardhshëm sepse është një parti me këmbë në tokë dhe e angazhuar për zgjidhjen e problematikave që shqetësojnë qytetarët. “Lidhur me çështjen e koalicioneve, kjo është një çështje që do të vendoset nga forumet e LSI-së dhe normalisht nga konventa e saj, por duhet të kemi parasysh se nuk votohet për koalicionet, votohet për partitë. Pra kudo që të jetë LSI-ja, votohet për LSI-në, apo votohet për PD-në apo për PS-në apo për PBDNJ-në, pra nuk votohet për koalicionet. Ndaj edhe ne jemi shumë të qetë sepse jemi të angazhuar se të gjithë votuesit tanë të jenë të qartë për këtë gjë dhe në kohën e duhur do të merret edhe vendimi i duhur. Por një gjë është e padiskutueshme, LSI-ja vendos shumë më tepër se sot në qeverisen e ardhshme në Parlamentin e ardhshëm. Kjo është një gjë e mirë për vendin sepse LSI është një forcë politike me këmbë në tokë, nuk është një forcë e prirur për aventura, për konflikt dhe është një forcë e angazhuar për të zgjidhur problemet kryesore që kanë qytetarët tanë”, përfundoi fjalën e tij në takimin e zhvilluar me Shtabin Elektoral të LSI-së në Njësinë nr. 2 në kryeqytet, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta.
Duke analizuar funksionimin e strukturave Ilir Meta deklaroi se janë të gjitha mundësitë për të arritur një rezultat historik.
Ndërkaq, kreu i LSI-së komentoi edhe deklaratat e kreut të opozitës, lidhur me funksionimin e Gjykatës Administrative. Sipas tij, janë për të ardhur keq komentet që e cilësojnë Gjykatën Administrativen thertore për biznesin.
“Është për të ardhur keq kur dëgjon edhe ndonjë deklaratë se nuk miratohet ky ligj për Gjykatën e Lartë apo se nuk duhet të ndërtohet Gjykata Administrative sepse ajo mund të jetë një thertore tjetër për biznesin. Kjo është njësoj sikur të themi se nuk duhet të ndërtohet një autostradë e re Tiranë-Rrogozhinë, që qytetarët të ecin më shpejt, sepse do të ndodhin aksidente. Është koha që të gjithë të marrin përgjegjësi reale dhe të kontribuojnë për një fushatë sa më pozitive”, tha ai.
Duke folur mbi sondazhet e fundit Ilir Meta tha se LSI do të ketë një rezultat spektakolar më 23 qershor dhe sondazhet sipas tij i paguajnë të tjerët sepse e dinë shumë mirë peshën reale të LSI-së.
“Ju e shikoni që ne jemi shumë të qetë, të tjerët janë në halle. Të gjithë përpiqen të paguajnë sondazhe. Të gjithë kanë hallin se si të nxjerrin sa më poshtë LSI-në sepse e dinë që LSI-ja është e vetmja forcë reale, përveç dy të tjerave, që do të imponojë Parlamentin e ardhshëm dhe që qeverisjen e ardhshme”, tha ai.
Ai deklaroi se “ka një prurje të vazhdueshme drejt LSI-së, aq sa ne nuk po i përgjigjemi dot me prodhimin e kartave. Kjo mendoj që është normale. Qytetarët shqiptarë janë velur nga kjo politikë konfliktuale, kanë nevojë për mesazhe bashkëpunimi, kanë nevojë për mesazhe pozitive”.
Ilir Meta bëri edhe një herë thirrje që ethet elektorale të mos i bëjnë politikanët që të bëjnë premtime skandaloze që cenojnë edhe stabilitetin ekonomik të vendit.
“Nuk mund të flasim pa i kuptuar treguesit ekonomikë. Nuk mund të bëhen premtime skandaloze ndërkohë që rritja e shpenzimeve publike njëkohësisht është shumë e lartë dhe është shqetësuese. Kjo tregon një mungesë përgjegjësie. Njëkohësisht premtohet që do të hapen me qindra e mijëra vende pune, premtohet që do të rriten shumë më tepër pagat, do të rriten shumë më tepër pensionet, do të ulen taksat. Atëherë vërtet vjen pyetja: në këtë mënyrë do të ulen edhe të ardhurat, atëherë do të rritet deficiti, do të rritet borxhi publik dhe ku do të shkojnë? Pra janë ethet e 23 qershorit të cilat ndikojnë mbi politikanë të caktuar dhe nuk janë ata dhe forcat politike të cilat duhet të menaxhojnë këtë problematikë që ka vendi, me arritjet dhe vështirësitë që ajo ka”, vijoi ai.