Koordinatorja e OKB në Kosovë, flet mbi tërmetin në Haiti

Prishtinë, 14 Janar NOA/Hajdin Islami - Ekipi
i Agjencive të Kombeve të Bashkuara në Kosovë shpreh brengosjen më të thellë
për banorët e Haitit pas tërmetit të fuqishëm që goditi bregdetin e Karaibeve
mbrëmjen e vonë të datës 12 janar.
Ekipi i Agjencive të Kombeve të Bashkuara në
Kosovë gjithashtu shpreh solidaritetin me shumë kolegë të Kombeve të Bashkuara
që shërbejnë në Haiti dhe që janë prekur nga kjo katastrofë.
Ky tërmet i fuqishëm ka goditur një vend që
është ndër më të varfrit në Hemisferën Perëndimore me 80 për qind të popullsisë
që jetojnë nën kufijtë e varfërisë dhe me 54% prej tyre në varfëri të thellë.
Kjo është një tragjedi e përmasave të mëdha tha Osnat Lubrani, Koordinatore
për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë.
Zemrat tona janë me ato të popullit të Haitit
dhe me kolegët tanë nga Kombet e Bashkuara që gjenden atje. Ne ngushëllohemi
paksa duke ditur se Kombet e Bashkuara po bëjnë gjithçka munden për të siguruar
një përgjigje ndaj fatkeqësisë e për të shpëtuar jetë; si edhe për të
mobilizuar një përgjigje ndërkombëtare për të ndihmuar vendin që të përballojë
këtë krizë, - vijoi ajo.
Ndërtesat dhe infrastruktura në
Port-au-Prince, kryeqytet i vendit, kanë pësuar dëme të ndjeshme, ndërkohë që
shërbimet bazë, përfshirë ujin dhe energjinë elektrike janë pranë kolapsit.
Numri i plotë i të vdekurve, që mund të shkojë
në qindra, është ende i panjohur. Misioni për Stabilitet i Kombeve të Bashkuara
në Haiti (MINUSTAH) në Port-au-Prince ka pësuar dëme serioze, së bashku me një
numër tjetër godinash të Kombeve të Bashkuara, si dhe një numër i madh i
personelit të Kombeve të Bashkuara nuk mund të kontaktohet për momentin, sipas
të dhënave të fundit nga selia e Kombeve të Bashkuara.
MINUSTAH që është vendosur në vend në vitin
2004 ka më shumë se 9 000 anëtarë të personelit si ushtarakë dhe policë,
ndërkohë që numri i stafit civil është rreth 2 000 persona.
h.i/r.b/NOA