E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koordinohet me Tiranën

Në ditën e dytë të vizitës së tij në Tiranë, Ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Skënder Hyseni ka takuar Presidentin e Shqipërisë, Bamir Topi, Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe Kryeministrin Sali Berisha.

Në këto takime, autoritetet shqiptare kanë ritheksuar përkushtimin e tyre për të ndihmuar Shtetin e ri, si në procesin e lobimit për njohjen ndërkombëtare, ashtu edhe në proceset integruese europiane.

“Përkushtimi i dy vendeve tona ndaj vlerave të përbashkëta euroatlantike përbën një platformë të sigurt për zgjerimin dhe konsolidimin e mëtejshëm të marrëdhënieve midis dy vendeve tona”, ka thënë Presidenti Topi, pas takimit me Ministrin Hyseni.

Topi tha se, ashtu sikurse vendet e tjera të rajonit, edhe Kosova duhet të jetë pjesë e procesit të liberalizimit të vizave.

Ngjashëm është shprehur edhe Kryeministri Berisha.

Ai tha se pas miratimit të Deklaratës së Pavarësisë, Kosova është shndërruar në faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan.

“Në këtë kontekst, zgjedhjet e fundit lokale në Kosovë dhe në veçanti pjesëmarrja e komunitetit serb në këto zgjedhje dëshmuan edhe një herë nivelin e lartë të standardeve demokratike, të arritura në Kosovë”, citohet të ketë thënë Berisha, transmeton Zyra e Shtypit e Këshillit të Ministrave.
Një takim i ngrohtë, Shefit të Diplomacisë kosovare iu ka rezervuar edhe në Zyrën e Kryetares së Kuvendit të Shqipërisë.

“Përkrahja e Shqipërisë në procesin e njohjes së Kosovës, është e pazëvendësueshme. Përkrahja e institucioneve shqiptare dhe e juaja si Kryetare e Kuvendit, e ka bërë këtë proces të pandalshëm”, tha Ministri Hyseni në takimin me Kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli.

“Koordinimi i lobimit diplomatik e parlamentar për përshpejtim të njohjes së Kosovës, zhvillimet në Kosovë, Shqipëri e rajon, hapat integrues si dhe bashkëpunimi dy dhe shumëpalësh rajonal, ishin fokusi kryesor i bisedës miqësore”, thuhet në një komunikatë për media të Kuvendit të Shqipërisë.

Për Kryetaren e Kuvendit, këto mesazhe bashkëpunimi janë thelbësore dhe dëshmi e vizionit perëndimor dhe mendësie moderne të popullit dhe liderëve të Kosovës.
“Vendet e rajonit duhet të shohin nga e ardhmja. E ardhmja e sigurt e Shqipërisë, Kosovës dhe e vendeve të Ballkanit është në BE”, tha Topalli.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›