E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tërhiqen nga Parlamenti

Zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi, Ministri i Forcës së Sigurisë, Fehmi Mujota dhe Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi tanimë edhe zyrtarisht kanë hequr dorë nga pozita e deputetit.

Disa javë pasi që kishin dorëzuan kërkesën te Kryeministri Hashim Thaçi për t’i liruar nga njëra detyrë, ata i kanë dorëzuar dorëheqjet e tyre në Administratën e Parlamentit të Kosovës.

“Unë personalisht të premten e kam dorëzuar kërkesën për dorëheqje nga pozita e deputetit në Parlament. Kjo ka ndodhur në bazë të kërkesës që e kemi bërë më herët te Kryeministri për të na liruar nga njëra detyrë”, konfirmoi të martën për Express, Memli Krasniqi, Zëdhënës i Qeverisë.

Sekretari i Parlamentit, Ismet Krasniqi tha të martën për gazetën se kërkesat e tre deputetëve të PDK’së janë proceduar në Presidencë, pastaj në Komisionin Qendror Zgjedhor.

“Sipas procedurave, tani KQZ’ja i certifikon tre deputetët e rinj dhe ia dorëzon Presidentit, pastaj Presidenti na njofton neve dhe deputetët e rinj fillojnë zyrtarisht mandatin”, tha Krasniqi.

Në anën tjetër, në KQZ thonë se në mbledhjet e ardhshme do të bëhet zëvendësimi i tre deputetëve.

“Po, kërkesa për zëvendësimin e deputetëve të PDK’së, të cilët kanë dhënë dorëheqje nga pozita e deputetit në Parlamentin e Kosovës, ka ardhur në KQZ. Në një nga mbledhjet e radhës, kjo kërkesë do të procedohet dhe KQZ’ja do të bëjë zëvendësimin e tyre”, ka thënë për Express, Fehmi Ajvazi, Zëdhënës i KQZ’së.

Sipas listës së kandidatëve të PDK’së në zgjedhjet e vitit 2007, tre emrat e rinj të kësaj partie që pritet të certifikohen si deputetë janë Ismajl Kurteshi, Rexhep Hoti dhe Basri Musmurati.

Kërkesë për t’u liruar nga pozita të dyfishta kishte bërë edhe ish-Ministri i Administratës publike, Arsim Bajrami dhe ish-Zëvendësministri Adem Grabovci. Por Kryeministri Thaçi vendosi që këta të fundit t’i largojë nga ekzekutivi për të mbetur kështu vetëm deputetë.

Në Qeverinë e Kosovës vazhdojnë të mbesin edhe 10 ministra e zëvendësministra, që njëkohësisht mbajnë edhe pozitën e deputetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›