E Shtunë, 31 Tetor 2026

Transporti urban, me bileta elektronike

Biletat elektronike nuk janë pjesë e lehtësirave vetëm në vendet perëndimore. Ato do të jenë pjesë e transportit ndërqytetës edhe në vendin tonë. Pak kohë më parë, Shoqata e Transporteve ka përfunduar realizimin e një projekti të madh, i cili pas diskutimit në të gjitha hallkat dhe zgjidhjes së "gonxheve", do t‘u shërbejë qytetarëve për të udhëtuar më mirë.

Fatorinot e autobusëve, me të cilët diskutojmë pothuajse çdo ditë, do të zëvendësohen me "makina" elektronike, që do të presin biletën. Kjo do të sjellë më shumë kontrolle gjatë udhëtimit në autobus, por më pak shpenzime në sistemin e transportit urban.

Projekti i biletave elektronike është diskutuar me grupet e interesit dhe Bashkinë e Tiranës, ndërkohë që pritet të bëhet realitet pas krijimit të "infrastrukturës" ligjore, por edhe aprovimit të buxhetit nga Financat.

Problematikat e transportit publik në Shqipëri, sensibilizimi i organeve shtetërore për gjendjen aktuale të këtij shërbimi, si edhe perspektivat e tij janë disa nga temat e diskutuara prej Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas në Tiranë në bashkëpunim me Unionin Ndërkombëtar të Transportit Publik (UITP).

SHKTQ-ja shtroi për të parën herë në Shqipëri idenë e implementimit të sistemit të biletave elektronike në shërbimin e transportit urban në Tiranë. Edhe pse projekti është mirëpritur, si nga bashkia ashtu edhe nga Ministria e Financave, përfaqësuesit kryesorë të Shoqatës së Transportit Qytetas e quajtën këtë projekt-ide ende të paplotësuar në të gjitha hallkat për t‘u vendosur në zbatim. Sipas tyre, ka disa faktorë që nuk çojnë deri në finalizimin e këtij projekti. "Së pari, në Shqipëri mungon baza ligjore që ta mbështesë këtë projekt, i cili është fare i panjohur nga shqiptarët. Ne jemi thjesht duke përgatitur një draft ligjor, më pas do kërkojmë mbështetje bashkë me ekspertët tanë në Ministrisë e Financave dhe në bashki", tha sekretari i Shoqatës Kombëtare të Transportit Qytetas në Tiranë, Kujtim Hyka. Por, sipas tij, kjo nuk është e vetmja pengesë. Në Shqipëri mungojnë edhe kushtet praktike. "Një pjesë e popullsisë tonë është e paregjistruar, nuk kanë adresë të përcaktuar. Ka pasur edhe nga ato raste kur një person është gjetur pa biletë dhe nuk zotëronte asnjë mjet identifikimi, në këto kushte edhe nëse ai gjobitet nuk do jetë i mundur identifikimi i tij për të vjelë gjobën përkatëse", sqaroi Hyka. Qëllimi i këtij projekti është gjetja e një zgjidhjeje për përmirësimin e kushteve në shërbimin që ofrojnë autobusët në vendin tonë, si dhe futjen për herë të parë të biletave elektronike në këtë shërbim.

Ndër të tjera, një tjetër qëllim i rëndësishëm i këtij projekti është sensibilizimi i strukturave të posaçme, që janë të interesuara në zgjidhjen e menjëhershme për problemet që shfaqen aktualisht në Shqipëri në sistemin e transportit urban.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›