Tatimet, gjoba 700 bizneseve për kasat
Nuk ndalet aksioni i tatimeve në këtë fundviti. Të dhënat zyrtare nga administrata tatimore tregojnë se rreth 700 biznese janë ndëshkuar me gjoba, për shkak të mospajisjes me kasë fiskale. Burime të organit tatimor paraqesin për gazetën "Shqip" një situatë të vështirë terreni, duke e kthyer misionin e vendosjes së kasës fiskale si planin kryesor. Sipas vendimit të qeverisë, biznesi i madh duhet të pajisjet me kasë fiskale brenda muajit dhjetor 2009, në mënyrë që në janar të nisë normalisht procesi i shitjes së mallrave me kupon tatimor. Por, të dhënat operative nga terreni i punës nuk japin shenja optimizmi se procesi mund të mbyllet brenda afatit. Kështu, janë të paktën 6 mijë biznese të mëdha (pra me TVSH) që nuk janë pajisur me kasë fiskale dhe që rrezikojnë ndëshkimin me gjobë. Sipas ligjit të ri "Për procedurat tatimore", nëse një subjekt konstatohet se nuk është pajisur me kasë fiskale, atëherë ndëshkohet me gjobë në masën 100 mijë lekë të reja.
Gjoba pa hesap
"Deri tani në rang vendi janë rreth pesë mijë subjekte me TVSH që i kanë vënë kasat fiskale, ndërsa priten edhe gjashtë mijë të tjera që t‘i vendosin", deklaron Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve. Sipas saj, në disa rrethe të vendit procesi ka ecur mjaft avash, madje konstatohen raste që asnjë biznes nuk e ka vënë kasën fiskale. Situatë tepër e rëndë paraqitet në Durrës, ku as 10 për qind e subjekte janë me kasa, po ashtu dhe në Fier, kurse Shkodra mban numrin më të vogël. Por, duke filluar nga 1 janari 2010, subjektet private me TVSH do të përballen me ligjin, i cili përcakton masat ndëshkuese. Nëse do të bënin një llogaritje të thjeshtë, vlera e gjobës është 100 mijë lekë për çdo biznes që nuk ka vendosur pajisjen fiskale, atëherë del se nga ky proces tatimet kanë grumbulluar rreth 70 milionë lekë të ardhura. Megjithatë, për administratën tatimore nuk është qëllim në vetvete vendosja e gjobave sesa respektimi i ligjit apo kryerja me sukses e saj.
Procesi i ngadaltë
Duke parë shifrat e terrenit mund të thuhet se numri prej 700 i bizneseve të gjobitura mund edhe të rritet. Procesi i vendosjes së kasave fiskale ka nisur në janar të këtij viti dhe ishte i ndarë në dy faza. Kështu, deri në muajin maj biznesi VIP dhe ai me TVSH në Tiranë duhet të ishte i pajisur me kasë fiskale. Pastaj, nga muaji shtator e deri në dhjetor, i takonte biznesit me TVSH që operonte në rrethet e tjera të vendit. Sa i takon biznesit të vogël, pajisja me kasë nis në muajin janar 2010. Këtu parashikohet një proces i vështirë, i cili parashikohet me ligj të mbyllet brenda muajit dhjetor 2010. Megjithatë, kur janë vërejtur raste të shkeljes së ligjit nga bizneset e mëdha, të cilat i kanë të gjitha kushtet e mundshme për ta zbatuar, pritet e njëjta gjë edhe me biznesin e vogël, i cili funksion në informalitet të plotë, mungesë informacioni etj.