E Diel, 1 Nëntor 2026

"Kopjet u mundësuan nga teknologjia moderne"

Teknologjia moderne u ka mundësuar maturantëve të këtij viti që të arrijnë të kopjojnë pa u pikasur nga mësuesit administratorë. Por kjo nuk ka mjaftuar që ata t‘i shpëtojnë ndëshkimit me skualifikim nga procesi i Maturës Shtetërore për këtë vit, si dhe penalizimeve për vitet në vijim në përputhje me rregulloren e hartuar nga Ministria e Arsimit. Autoritetet e këtij institucioni kanë bërë publike fakte të reja rreth abuzimeve që janë bërë me shkeljen e rregullores së Maturës Shtetërore nga nxënësit, por edhe nga mësuesit-administratorë, që i kanë mbikëqyrur gjatë provimeve të detyruara. Dyshohet për rreth 200 teste që rezultojnë se të rinjtë kanë kopjuar. Ndërkohë që theksohet fakti se maturantët kanë përdorur për të kopjuar mjete të sofistikuara. Kjo deklaratë bëhet nga drejtori i Arsimit Parauniversitar në MASH, Fatmir Vejsiu. "Janë rreth 200 nxënës që dyshohen për thyerje të Maturës Shtetërore. Evidentuam dy bar-kode me diferenca të mëdha, dyshuam se ishin në mjedise të ndryshme. Këto me të vërtet ishin në mjedise të ndryshme, një çift në Lushnjë dhe një çift në Fier, në shkolla të ndryshme. Pra, kopja është bërë me mjete të sofistikuara, nuk është thjesht na fletën, merr fletën", shprehet drejtori Vejsiu. Autoritetet e arsimit nga ana e tyre kanë ndërmarrë masa ndëshkuese ndaj këtyre administratorëve të provimeve të maturës, si dhe nxënësve, ku këta të fundit kanë humbur edhe vitin akademik, pasi kanë rezultuar mbetës. "Kemi marrë masa, deri në shkarkimin nga detyra për drejtuesit e shkollës, apo vërejtje. Kemi pasur raste në Përmet, në Bulqizë më shumë dhe kanë ardhur informacionet nga zyrat përkatëse arsimore, për masat që kanë marrë, janë rreth 15 veta", vijon Vejsiu. Ndërkohë, Ministria e Arsimit, po merret me rivlerësimin e testeve të kërkuara prej maturantëve. Fatmir Vejsiu, thotë se nuk ka pasur shumë kërkesa, një numër që shkon në 500 teste për rivlerësim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›