E Shtunë, 31 Tetor 2026

Pas Ahmadinexhadit e ka radhën Berisha

"Unë, Presidenti i Republikës Islamike të Iranit, betohem përpara Kuranit të shenjtë, kombit iranian dhe Zotit, se do të jem rojtari i fesë zyrtare, i Republikës Islamike dhe i Kushtetutës". Kështu u betua më 5 gusht, në mëngjes, Mahmud Ahmadinexhad, gjatë një ceremonie që u transmetua nga televizioni shtetëror. "Epopeja e zgjedhjeve presidenciale të 12 korrikut është fillimi i ndryshimeve të rëndësishme në Iran dhe në botë", vijoi ai më tej. Dhe kronika e kësaj dite vijon me njoftimet se, shumë personalitete të rëndësishme të regjimit nuk kanë marrë pjesë në ceremoni, nga të cilët ish-presidenti Akbar Hachémi Rafsandjani, i cili drejton dy institucione kyç të pushtetit. Kandidati reformator, Mehdi Karoubi, ish-presidenti i Parlamentit, si dhe presidenti i mëparshëm reformator, Mohammad Khatami, mungonin gjithashtu. Sipas sitit në internet të grupit parlamentar reformator, vetëm 13 deputetë reformatorë nga 70 gjithsej kanë qenë në sallën e Parlamentit me 290 anëtarë, të zotëruar nga ultrakonservatorët.

Kjo është kronika e një prej ngjarjeve më të bujshme të korrikut. Nëse duam të heqim paralele mes asaj që ka ndodhur e po ndodh në Iran dhe asaj që ka ndodhur e po ndodh në Shqipëri, është e vështirë të gjesh pika të forta të përbashkëta. E vetmja gjë që na bashkon me atë vend është Ahmadinexhadi. Ai ka si vëllanë e vet në Shqipëri, Sali Berishën. Kush i vë re të dy me kujdes në portret, do të shohë se edhe fizikisht, sidomos në vështrimin prej shqarthi, Ahmadinexhadi dhe Berisha ngjajnë mjaft. Por ata ngjajnë edhe pse që të dy i vodhën votat. I pari, Ahmadinexhadi u përball me revoltat e fuqishme të të rinjve, e sidomos të studentëve. Bota e qytetëruar, gjithë Perëndimi pa, se si një rini e tërë, një popull që ka arsye të mburret me traditat e tij, siç është populli iranian, e ka kuptuar se shkatërrimi, zvetënimi dhe llumi që mbulon një komb vjen sidomos nga vjedhja e votave, nga uzurpimi i pushtetit. Në këtë pikë, Irani na dha edhe një simbol: Neda Agha-Soltan, vajza e re që u filmua kur plumbi e mori në ballë dhe ajo u rrëzua në shesh. Neda u bë simboli i kundërshtimit të një procesi të shëmtuar, Neda është simboli i lirisë. Ahmadinexhadi i Iranit dhe Sali Berisha i Shqipërisë janë njerëzit që shohin në ëndërr portretin e Nedës, që duhet ta shohin, që do t‘u dalë në ëndërr; në ëndërr, atje ku njeriu është në gjendjen e parë, atje ku vetëdija dhe nënvetëdija nuk dallohen, vetëm atje, sepse sapo hapin sytë qoftë Ahmadinexhadi i Iranit, qoftë Sali Berisha i Shqipërisë, nisin e bëjnë llogaritë me sekserët e pushtetit, nisin të mendojnë si ta copëtojnë e ta vjedhin vendin respektiv.

Në fakt po ta shohësh nga jashtë atë që po ndodh në Shqipëri, të krijohet përshtypja se ata që flasin për vjedhjen e votave nga Berisha ose janë naivë, ose të paguar nga Rama, ose donkishotë, ose idiotë, me një fjalë nuk janë normalë. Pse? Sepse nuk ka ndodhur ndonjë gjë e madhe. Mund të jenë vjedhur ca vota dhe kaq, por Berisha fitoi. Mirë. E zëmë se është kështu. Po mirë, ne që nuk e pranojmë këtë fitore dhe e quajmë Berishën një hajdut votash, një uzurpator të pushtetit a kemi të drejtë të ngremë këto pyetje?

E para, pas rinumërimit të votave në Fier, doli se PS ishte dëmtuar dhe votat nuk ishin numëruar siç duhej. E dyta, të njëjtën gjë kanë bërë skifterët e Berishës edhe në Tiranë, në Berat e në Shkodër. Nënkryetarja e KQZ-së akuzoi ashpër Kolegjin Zgjedhor se ka shkelur ligjin në mënyrë arbitrare. Me këto e të tjera argumente, PS dhe Edi Rama kanë shpallur se nuk e njohin këtë rezultat. Mirëpo, këto zgjedhje kanë edhe një anë tjetër të errët e të shëmtuar. Ju kujtohet fushata elektorale? Berisha me paratë tona, të miat, të tuat dhe të të gjithëve, mobilizoi shtetin dhe gjithë aparati u vu në dispozicion të tij. Ligji thotë se në fushatë elektorale nuk duhet të marrin pjesë administrata dhe nuk duhet të shpenzohen paratë publike për fushatë. Mirëpo ky njeri, Sali Berisha pra, e shkeli këtë ligj me të dyja këmbët dhe harxhoi miliona e miliona euro për fushatë duke shkelur ligjin, Kushtetutën dhe gjithçka tjetër. TVSH-ja dhe gjithë makina e neveritshme mediatike e blerë prej tij u vu në dispozicion vetëm të një njeriu, të Kryeministrit. Unë kam të drejtë të pyes: Në cilin vend jetojmë? Ǒështë ky Kryeministër që i shkatërron dhe i shpartallon paratë e mia, të tuat e të të gjithëve për të bërë fushatë dhe për të blerë e për të vjedhur vota? Si e harroi ky njeri vitin 2001, kur denonconte të njëjtën gjë që i bëri Ilir Meta, ish-kryeministri i atëhershëm? A e mban mend ky njeri se si e ktheu zyrën e tij në "shtëpi botuese" dhe dërgonte pa fund fakte të vjedhjes së votave, të vjedhjes që i kishte bërë Ilir Meta. Pas kësaj fushate që bëri ai, Perëndimi e quajti atë Parlament jo si institucion që shprehte legjitimitetin e votuesve. Të njëjtën gjë po bën edhe Edi Rama sot. Ai, me dosjen e vjedhjes së votave, po troket në zyrat e Perëndimit, në ato zyra ku ke trokitur edhe ti, zoti Berisha më 2001-shin, për t‘u vërtetuar atyre se ti i ke vjedhur votat dhe se Parlamenti i dalë nga 28 qershori nuk shpreh vullnetin e zgjedhësve shqiptarë. Mirëpo, nuk jemi më në vitin 2001, jemi në vitin 2009. Perëndimi jo se ka harruar se cili je ti zoti Berisha. Jo. Ne, shqiptarët mendjelehtë, të besuam, u gënjyem, u mashtruam me ty ashtu siç kemi bërë në gjithë historinë tonë. Ti je në të drejtën tënde që të vjedhësh vota, ta mbash pushtetin jo deri më 2017-ën, por deri më 2030-ën, sepse ne jemi një popull që e durojmë të keqen. Ky popull vetëm njëherë u çmend, në vitin 1997. Mirëpo, popujt mendjelehtë harrojnë shpejt dhe ata harruan se kush i çmendi më 1997-ën. Ndaj ti ke të drejtë që bashkë me Vasilin e LSI-së të deklarosh se do t‘i mbash këta, shtetasit e tu, ja kështu siç i mban tani, me premtime e me rrena, duke i vjedhur e duke e ndarë këtë vend me sekserët e tu e me ata që do ti... deri më 2030-ën. Vetëm se jam kurioz të di se si do të betohet Kryeministri që e mbajti pushtetin me vota të vjedhura. Ahmadinexhadi u betua për Kuranin e shenjtë e për shtetin Islamik dhe për Kushtetutën në fund. Ti, Kryeministri i vendit tim, nuk beson në fe, sepse je pa din e iman, por kur të vësh dorën në Kushtetutë, jam kurioz çfarë do të thuash nën zë. Në qoftë se do të betohesh për Kushtetutë, të lutem ule zërin dhe vër një shami në gojë që mos të të shohim se si do të zgërdheshesh para saj. Ti je i vetmi në këtë vend që e di dhe e provon se vetëm Kushtetuta nuk u hyn në punë shqiptarëve, ti njeriu që e shkel atë natë e ditë.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›