E Diel, 1 Nëntor 2026

Maturantët, mundësia e fundit për korrigjime

Të gjithë maturantët dhe kandidatët e tjerë në garë për në universitetet publike në vend kanë edhe një mundësi të fundit për të verifikuar dhe korrigjuar gabimet në të dhënat e tyre, në rast se nuk duan që të përballen me ndonjë të papritur në klasifikimin e fituesve. Kjo gjë do të bëhet e mundur përmes botimit të të gjithë të dhënave të secilit konkurrent të Maturës Shtetërore 2009, në Librin e Transparencës.

Afatet

Libri i Transparencës konfirmojnë përfaqësuesit zyrtarë të Ministrisë së Arsimit, pritet të jetë gati vetëm pas një jave, pra në mes të muajit gusht.

Përfaqësues të Ministrisë së Arsimit konfirmojnë faktin se aktualisht strukturat e APRIAL-it janë duke punuar intensivisht për përgatitjen e këtij botimi që do të shpërndahet në disa forma. Përveçse si botim i një libri të zakonshëm në letër mësohet se Libri i Transparencës do të jetë në formën e CD-ve për vetë faktin se kjo gjë lehtëson shpërndarjen e tij në drejtoritë arsimore rajonale dhe zyrat e arsimit në rrethe. Janë këto të fundit që pasi të tërheqin këtë material pranë zyrave të APRIAl-it në Tiranë do t‘i dërgojnë këto lista nëpër të gjitha shkollat e vendit. Të drejtën për të pasur kopje të Librit të Transparencës e kanë drejtorët e shkollave. Nxënësit nga ana e tyre duhet të paraqiten në shkolla, në mënyrë që të verifikojnë nëse të dhënat e tyre janë hedhur saktësisht ose jo.

Të dhënat

Në këtë botim hidhen të gjitha të dhënat e shënuara nga secili kandidat për student në Formularin A1, por edhe në Formularin A2. Pra aty gjenden jo vetëm gjeneralitetet e secilit prej të rinjve konkurrues, por edhe preferencat e tyre për në fakultete. Të dhënat janë lexuar dhe regjistruar në mënyrë elektronike ndaj edhe publikimi i tyre i plotë për të gjithë maturantët në vend do t‘u krijonte atyre një tjetër shans për të mos pasur gabime në kërkesat që kanë paraqitur, por edhe për të riparuar çdo parregullsi apo gabim të mundshëm. Gjithashtu, aty do të publikohen të gjitha pikët që maturantët kanë mundur të fitojnë pas provimeve të lëndëve me zgjedhje dhe atyre të detyrueshme.

Në këtë vëllim, për secilin nga mbi 45 mijë maturantët, kandidatë për arsimin e lartë, janë paraqitur pikët e fituara për çdo program studimi (degë), të llogaritura sipas rezultateve të të katër provimeve të maturës dhe të mesatares së shkollës së mesme, shumëzuar me koeficientet e pranimit sipas fakultetit për secilën kërkesë nga 10 të mundshme. Pra, secili kandidat mund të shikojë pikët, të bëjë llogaritjen vetë dhe, nëse ka ndonjë pretendim që pikët nuk janë llogaritur drejt apo ndonjë prej informacioneve nuk është i saktë, të mund të bëjë kërkesën për rishikim në shkollën e mesme.

Libri i Transparencës, përveç mundësisë që çdo kandidat të njihet me pikët e fituara në të gjitha degët ku ka aplikuar dhe mundësisë që t‘i llogarisë vetë ato për të parë nëse janë të sakta, jep mundësi që ata të mund të shikojnë edhe të dhënat e shokëve të shkollës së mesme dhe të të gjithë maturantëve nga e gjithë Shqipëria, në mënyrë që transparenca dhe korrektesa te kjo procedurë, të mos vihet në dyshim.

Fituesit

Ndërsa, më 10 shtator, përfaqësuesit e MASH-it kanë pohuar se do të jetë gati dhe do të shpallet lista e parë e fituesve për në universitetet publike në vend. Kjo nuk do të jetë lista përfundimtare e fituesve, pasi ajo do të pësojë ndryshime kur në të të eliminohen ata të rinj, të cilët kanë vendosur të studiojnë në universitetet jashtë vendit. Por në radhën e atyre që do t‘ua lënë vendin të tjerëve renditen edhe kandidatët që në fazën e parë janë shpallur fitues në ato degë më pak të preferuara prej tyre dhe zgjidhjen për profilin e dëshiruar të së ardhmes e gjejnë në auditorët e universiteteve të shumta private në vend.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›