E Diel, 1 Nëntor 2026

Kopjuan në letërsi, penalizohen 18 maturantë

Në provimin e letërsisë kanë kopjuar 18 maturantë. 

Të paktën këtë ka konkluduar komisioni i posaçëm i Ministrisë së Arsimit, i cili verifikoi testet e dyshuara. Masa ndëshkuese janë marrë edhe për 11 administratorë, që monitoronin klasat ku u zhvillua provimi. Krahasuar me vitet e tjera provimi i parë i detyrueshëm ka qenë më i rregullt. "Masat e marra për nxënësit kanë qenë ulje pikësh të rezultatit deri në mosnjohje të rezultatit. Ndërsa për administratorët janë marrë masa "Vërejtje" dhe "Vërejtje me paralajmërim", sqaroi MASH. Për 7 nxënës, testet e të cilëve kanë rezultuar me disa përgjigje të njëjta, janë zbritur pikët në atë pyetje. Ndërsa 6 maturantë kanë pasur të gjitha përgjigjet të njëjta dhe nuk u është njohur rezultati. Por penalizime ka pasur edhe për nxënësit, të cilët kishin probleme teknike në teste. "Të tillë janë konsideruar testet ku janë rrethuar të gjitha alternativat, kanë pasur shenja dalluese (në test), janë shkruar me disa ngjyra", bën me dije ministria. Në total janë verifikuar 63 teste gati sa gjysma e atyre që vitin e kaluar janë dyshuar  për kopje. Prej tyre 45 kanë rezultuar të rregullt. "Kjo do të thotë se këtë vit procesi ka qenë më i rregullt dhe janë rritur standardet e kontrollit", nënvizoi ministria. Sa i përket administratorëve në klasat ku janë evidentuar se nxënësit kanë   teste me përgjigje tërësisht apo pjesërisht të njëjta, është ndërmarrë masa "Vërejtje" dhe "Vërejtje me paralajmërim".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›