E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zviceranët, investime edhe në Shqipëri

Me një aktivitet në më shumë se 25 vende të botës në ndërtimin e hoteleve dhe resorteve për turistët "Sovereign Hospitality Holdings" synon të shtrijë aktivitetin edhe në Shqipëri. 

Deri tani kjo kompani ka aktive të integruara me vlerë 800 milionë USD dhe është pjesë e "M.A Kharafi Group", e renditur si një prej 500 kompanive të revistës "Fortune 500", e regjistruar në Kuvajt me një qarkullim vjetor prej 4 miliardë USD. "M.A. Kharafi Group" vepron në shumë shtete të botës duke punësuar më shumë se 100,000 punonjës në gjithë globin. Mohamed Fahmy, drejtor ekzekutiv i "Sovereign Hospitality Holdings" është shprehur se, nëpërmjet blerjeve strategjike resorte të tilla mund të ngrihen edhe në Shqipëri. "Objektivi ynë, me mbështetjen e "Kharafi Group", është të zgjerohemi përmes blerjeve strategjike në Shqipëri dhe kudo në botë. Ne kemi një histori të suksesshme dhe një përqasje afatgjatë për të zhvilluar marrëdhëniet strategjike me partnerët, për të arritur norma kthimi të qëndrueshme, nëpërmjet mundësive fitimprurëse si në tregjet në zhvillim ashtu dhe ato të zhvilluara", është shprehur Fahmy. Sipas tij, "Sovereign Hospitality Holdings" po kërkon të zgjerojë shtrirjen gjeografike të hoteleve të tij, resorteve dhe portofolit të pasurive të paluajtshme, si në tregjet në zhvillim ashtu dhe në ato të zhvilluara. Kjo do të arrihet përmes një kombinimi të zhvillimit organik dhe portofolave të blerjeve të reja, që do të financohen dhe më pas do të menaxhohen në mënyrë aktive. Portofoli do të rritet ndjeshëm me përfundimin e 11 njësive të tjera unike mikpritëse, që do të shtojnë 1,800 dhoma të tjera, duke arritur një total prej 5,800 dhoma gjatë tre viteve të ardhshme, në një numër total prej 32 hotelesh në 10 shtete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›