Debat në Evropë, në mbrojtje të Kryqit: “Simbol identiteti e tradite”
Në prag të seancës së parë të Gjykatës evropiane për të drejtat e njeriut, që do të mbahet më 30 qershorin e ardhshëm, lidhur me ankesën për prishje vendimi, paraqitur nga Italia, e cila kërkon t’i njihet e drejta për ta ekspozuar Kryqin në vende publike, në mbarë Evropën vijon debati. Ipeshkvijtë katolikë ngrejnë zërin, duke bërë thirrje për vëmendje ndaj ndjenjave fetare të popullsive e traditave të kombeve. Konferenca ipeshkvnore e Shqipërisë ngriti zërin për të mos e ndaluar ekspozimin publik të simboleve fetare, posaçërisht në vende ku formohen mendjet e zemrat, duke pasur mirë parasysh se këto simbole nuk pengojnë, as nuk dëmtojnë njeri. Në deklaratën, nënshkruar nga zevendës-kryetari i kësaj Konference, imzot Anxhelo Masafra, shpjegohet se në kulturën e në traditën e krishterë, kryqi është simbol i shpëtimit dhe i lirisë për mbarë njerëzimin, shkalla më e lartë e dhurimit të vetvetes, e solidaritetit të thellë dhe e bujarisë, të vënë në shërbim të të gjithëve. Komisioni i Konferencës ipeshkvnore spanjolle, në një komunikatë shtypi, nënvizon se falë krishterimit, Evropa arriti pavarësinë në fushat shpirtërore e shtetërore, sipas parimit të lirisë fetare, që respekton njëlloj të drejtat e besimtarëve e të jo besimtarëve. Këtë e shohim qartë në ditët tona, kur fe të tjera përhapen ndërmjet nesh, nën mbrojtjen e këtij realiteti. Të mos harrojmë: “Kryqi është simbol dialogu, që i përfshin të gjithë e nuk përjashton askënd”. Ipeshkvijtë anglezë kërkojnë nga Gjykata evropiane për të drejtat e njeriut të mos marrë vendime në mbrojtje të lirisë së individëve, duke u nisur nga feja e shtetit, gjë që mund ta shtyjë t’u kërkojë të gjitha vendeve evropiane t’i përshtaten modelit të shekullarizmit, që i kundërvihet çdo manifestimi fetar në sferën publike. Kardinali Keith O’Brien, kryetar i Konferencës së ipeshkvijve skocezë, duke marrë pjesë në debat, jep alarmin: “Ndërsa jemi në pritje të vendimit të Gjykatës duhet të kemi mirë parasysh pasojat, që mund të ketë ky vendim. Trashëgimia e çmuar fetare e shumë njerëzve e kombeve të mbarë Evropës, ashtu si dhe vlerat e tolerancës e të lirisë së fesë, që duhen mbrojtur në shoqëritë demokratike, janë në rrezik!”. Ipeshkvijtë katolikë rusë, theksojnë se Kryqi është simbol i trashëgimisë shpirtërore të Evropës. Prandaj urojnë të mos merren vendime, të cilat cënojnë pluralizmin e lirinë e ndërgjegjes së njerëzve, që dëshirojnë të jetojnë në përkim me trashëgiminë shpirtërore e kulturore të Kontinentit tonë”. Për ipeshkvijtë çekë, Kryqi është element pozitiv. Imzot Dominik Duka, kryetar i ipeshkvijve të çekisë, në një letër drejtuar imzot Aldo Xhordanos, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Këshillit të Evropës, shkruan: “Krishtërimi, në formën e kulturës judaiko-kristiane, ka qenë i pranishëm në lindjen e në formimin e qytetërimit evropian dhe amerikan, e deri më sot, këto vlera janë të vetmet që mund t’i sigurojnë Evropës gjallëri e forcë. Nuk mund të mohohet se janë në themel të Kontinentit, të jetës së tij, të kulturës së tij. T’i përjashtosh, do të thotë të trandësh themelet e të gjitha lirive. Ipeshkvijtë bullgarë theksojnë: “Askush nuk mund të dyshojë se rrënjët e Evropës janë të krishtera e se qytetërimi evropian ekziston falë krishterimit. Kryqi nuk është mjet që imponohet, por shprehje e dashurisë më të thellë, e solidaritetit më të vërtetë, e miqësisë më të madhe me të gjithë njerëzit. Prandaj vendet me traditë të krishterë, nuk duhet ta mohojnë praninë e ekspozimin në vende publike të simboleve tradicionale të krishtera, si kryqi e ikonat. Konferenca ipeshkvnore greke, përmes një note, pohon: “Një pakicë nuk mund e nuk duhet ta pengojë shumicën dërrmuese të ushtrojë fenë e vet, sipas traditave të popullit”. Ipeshkvijtë polakë, në përfundim të sesionit të 352-të plenar të Konferencës ipeshkvnore, theksuan se në shoqëritë me traditë të krishterë, Kryqi duhet të ekspozohet në vende publike, si mjediset ku mësojnë fëmijët e të rinjtë, në spitale e në zyra, sepse na kujton kush jemi!”. “Kryqi është simbol shëlbimi e lirie për të gjithë njerëzit” – deklaron kryeipeshkvi i Estergom-Budapestit, kardinali Peter Erdë, kryetar i Konferencës ipeshkvnore hungareze. Duhet të jetë i pranishëm, prandaj, atje ku edukohet e ku punohet për të lehtësuar vuajtjet njerëzore, përndryshe shoqëritë evropiane nuk do të jenë në gjendje t’u transmetojnë breznive të reja identitetin e vlerat e tyre. “Prania e simboleve të fesë së krishterë e posaçërisht e Kryqit, nuk përjashton askënd”. Këtë pohojnë në një notë ipeshkvijtë e Sllovakisë, për të cilët Kryqi është shenjë identiteti shpirtëror, simbol i dialogut, i dashurisë për të varfërit e të vuajturit, pa dallim feje, ideje, kombësie, race. është simbol i dashurisë më të lartë për tjetrin. Atje ku adhurohet me fe të vërtetë Kryqi, atje ka dashuri pa kufij, dashuri që çon në vetmohim, për ata që e duan e për ata që e urrejnë kryqin. “Kryqi nuk është shenjë e imponimit të fesë së krishterë, por simbol i dashurisë së krishterë, i bujarisë, i solidaritetit” - pohojnë ipeshkvijtë rumunë. është edhe simbol kulturor e shoqëror, nga i cili janë frymëzuar në shekuj vlerat e kombeve, që përbëjnë bashkimin evropian. Mos të kthehemi tek kujtimet e hidhura të komunizmit, kur Kryqi e simbolet e tjera të feve, u ndaluan me ligj në të gjithë Evropën Lindore. Rikthimi i tyre u konsiderua si një nga fitoret më të mëdha të demokracisë e të lirisë mbi totalitarizmin e shtypjen”. Më 30 qershor, përpara Dhomës së madhe të Gjykatës evropiane, qeveria italiane do të pëpiqet ta hedhë poshtë vendimin, me të cilin Dhomat e organizmit dënuan, më 3 nëntorin e kaluar, Italinë, për ekspozimin e Kryqit në shkolla!
Papa gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot: egoizmi shkakton konflikt e rivalitet/“Liria e dashuria përkujtojnë”, t’i bindësh vetëm egoizmit personal “të çon në rivalitet e konflikt”. Kështu pohoi Papa sot gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot duke folur mbi përgjigjen tonë të ngultë ndaj Krishtit. “Liria e dashuria përkojnë”, shpjegoi Papa duke kujtuare posaçërisht “përcaktimin rrënjësor” të atij që le gjithçka për ta ndjekur Krishtin dhe për të ecur - sipas shprehjes së Shën Palit - “sipas Shpirtit”, duke hyrë në “një përmasë të re të lirisë”. Kështu u shpreh mes tjerash Benedikti XVI në fjalimin e shkurt para lutjes së Engjëllit të Tënzot, duke iu referuar pjesës së Ungjillit të kësaj së diele e komentuar ngjarjen ungjillore të djaloshit të pasur, të cilit Jezusi i kërkoi t’i jepte fund së kaluarës së tij personale duke përfshirë edhe lidhjet familjare e pasuritë që kishte. “Këto kërkesa - nënvizoi Papa - mund të na duken si tepër të ashpra e të mëdha, por në realitet ato shprehin risinë dhe prioritetin absolut të Mbretërisë së Zotit që bëhet e pranishme në vet Personin e Jezu Krishtit”. Tek e fundit - vrejti Ati i Shenjtë - është fjala për atë radikalitet që e kemi për detyrë ndaj Dashurisë së Zotit, së cilës vet Jezusi i bindet i pari. Kush heq dorë nga gjithçka, madje edhe nga vetvetja, për të ndjekur Jezusin, hyn në një përmasë të re të lirisë, që shën Pali e përkufizon si udhëtim sipas Shpirtit”. “Krishti - pohoi Papa - na ka liruar për të qenë të lirë dhe shpjegoi se kjo formë e re e lirisë që na dhuron Krishti është pikërisht ajo që na bënë të jemi në shërbim të njëri-tjetrit”.
Fokus - “ç’kuptim ka fjala shembëlltyrë?”/Ndalemi tek shembëllyrat, për t’i njohur më nga afër, duke pasur parasysh se kanë lënë gjurmë të pashlyeshme në gjithë historinë e mendimit perëndimor e, në përgjithësi, në gjithë letërsinë botërore, duke nisur nga koha, kur u treguan për herë të parë, gjatë predikimit publik të Jezu Krishtit. E, posaçërisht sepse përmes tyre, Jezusi vijon të na mësojë edhe ne, njerëzit e kohëve moderne. E do të vijojë deri në mbarim të kohëve! Në hebraishte mãšãl; παραβολή në greqishten e vjetër, parabol e proverb në Vulgatë, shembëlltyrat janë tregime të shkurtëra, që vënë ballë për ballë dy fenomene, për ta bërë sa më të kuptueshëm njerin prej tyre. Nuk ishte Jezusi autori i parë. Shembëlltyrat përdoren para e pas tij. Me natyrën figurative të similitudës, apo të krahasimit të gjatë, janë lloj letrar, që nis të duket që në letërsinë e lashtë greke e pastaj në atë latine. I gjejmë në veprën e Aristotelit “Rhetoricorum”, (libri II, 20); pastaj në ‘De invenzione” të Ciceronit (I,30) , e në shumë vepra të tjera të lashtësisë. Përdoren edhe nga shkrimtarët rabinikë e, në mënyrë të paarritshme, nga Jezu Krishti, në predikimet e tij publike. Bazohen mbi një krahasim, që shtrihet gjatë gjithë rrëfimit të shkurtër të një ngjarjeje të zakonshme, për të ngulitë një të vërtetë morale ose shpirtërore. Dallohen nga shembulli i thjeshtë për formën e tyre letrare, që mbështetet mbi krahasimin e shpesh, edhe për gjatësinë e tyre. Subjekti i krahasimit ose i figurës së paraqitur, zakonisht merret nga jeta njerëzore, ndryshe nga përrallat, që merren kryesisht me botën e kafshëve ose të bimëve. Dallohet nga alegoria, ndonëse nuk i mungojnë elementet alegorike.
Shembëlltyra biblike nis të përdoret që në Besëlidhjen e Vjetër, posaçërisht në librat sapiencialë. Zakonisht termi përdorej me kuptimin e një maksime të shkurtër, që kishte për qëllim të shprehte një të vërtetë të përgjithshme. Paraqitej në formën e fjalëve të urta ose të krahasimeve. Gjithsesi, në Besëlidhjen e Vjetër nuk gjejmë shembëlltyra të mirëfillta, ndonëse nuk mungojnë alegoritë me elemente shembëlltyre. Por shembëlltyrat e mirëfillta i gjejmë kryesisht në Ungjijtë sinoptikë. Përdoren nga Jezusi me një finesë letrare, që të mrekullon. Prandaj ushtruan ndikim të vazhdueshëm mbi zhvillimin e letërsisë botërore. Shembëlltyrat janë plot gjallëri. E tërheqin fuqimisht vëmendjen e dëgjuesit e, të marra së bashku, përbëjnë një dokument tejet të rëndësishëm për të njohur jetën në Palestinë, në kohën kur predikoi Jezusi. Tejet origjinale në këndvështrimin letrar, nuk janë gjithnjë të lehta për t’u interpretuar. Për të arritur tek shpjegimi i tyre i drejtë, duhen parë lidhur ngushtë me kohën e mësimeve të Jezusit. Në periudhën patristike e më pas, u bënë përpjekje për t’i shpjeguar përmes kritereve të interpretimit alegorik, duke u ndaluar tek kuptimi i mundshëm figurativ e i çdo fjale. Por një ecuri e tillë e bën tejet të vështirë kuptimin. E duhet kujtuar se Jezusi nuk u foli dijetarëve, por turmave të njerëzve të thjeshtë. U foli e vijon t’u flasë.
Prandaj kritika moderne nisi t’i shpjegojë shembëlltyrat si tregime imagjinare, me subjekt nga jeta e përditshme, realiste, që e nxisin dëgjuesin të kuptojë ç’dëshiron të thotë Jezusi e, sidomos, të mbajë edhe qëndrim ndaj fenomenit, për të cilin flitet.
Pasi kemi shpjeguar ç’do të thotë shembëlltyrë, na dalin, në vijim, një mori pyetjesh, të cilat do të përpiqemi t’i shpjegojmë në emisionet kushtuar shembëlltyrave ungjillore.
Së pari, sa shembëlltyra ka në ungjijtë? ç’i dallon shembëlltyrat e Jezusit? A ka e sa janë shembëlltyrat alegorike? Shembëlltyrat që kanë arritur deri në ditët tona, janë të vetë Jezusit, apo të përpunuara prej ungjilltarëve, në përkim me kërkesat e bashkësive të krishtera, për të cilat i shkruan ungjijtë? ç’lidhje ka ndërmjet shembëlltyrave të ungjijve sinoptikë e atyre që gjinden në Ungjillin (gnostik) të Tomës? E, së fundi, ç’dëshron t’i thotë secilit nga ne Jezusi përmes shembëlltyrave. Përgjigjja, në emisionet e ardhshme!
Marrë nga Radio Vatikani