E Diel, 1 Nëntor 2026

Ulet fondi publik për kompeticionin e artistëve të rinj në Teatrin Kombëtar



Izaura Ndoj

Rreth 10 milionë lek të vjetra është ulur fondi publik i sivjetshëm për artistët e rinj, në Teatrin Kombëtar. Gjithçka është bërë publike gjatë një konference për shtyp, zhvilluar mesditën e djeshme, ku kanë qenë të pranishëm para mediave Nikolla Lena, drejtor i përgjithshëm i politikave të artit në MTKRS; regjisori i njohur Adonis Filipi; si dhe dy regjisorët e rinj, Alma Hoti dhe Erion Hina, njëkohësisht fitues të dy edicioneve të fundit të Festivalit Teatror për të Rinj, aktivitet traditë që zhvillohet çdo vit në TK. Edhe pse nga viti i kaluar vihet re një ulje në shifrën e këtij fondi, z. Nikolla Lena është shprehur se, “Ky është një konkurs tepër i rëndësishëm dhe zë gjithashtu një vend të veçantë përsa i takon mbështetjes që i jep çdo vit Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Buxheti i këtij viti është rreth 40 milionë lek të vjetra, për së paku 7 projekte teatrore, por nga viti në vit ne gjithmonë do të përpiqemi gjithmonë e më shumë, për të qenë më pranë talenteve të reja dhe mbi të gjitha për t`i stimuluar e promovuar ata, përmes performancave skenike përkatëse”. Më tej, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve ai ka vijuar duke thënë se ashtu sikurse çdo vit cilësia e projekteve është edhe baza që do të shërbejë për seleksionimin e tyre. Regjisori i njohur shqiptar Adonis Filipi, i cili gjithashtu ka shprehur konsideratat e tij për aktivitetin në fjalë dhe gjithashtu besimin se nga viti në vit, çdo edicion do të ketë risi pozitive. “Ky festival është tepër i rëndësishëm në jetën artistike dhe kulturore, jo thjesht institucionale por edhe më gjerë. Ashtu si në çdo edicion, ne do të përpiqemi që të jemi fleksibël dhe ajo çka është më e rëndësishme është që të selektohen ato vlera që kanë cilësi. Në këtë drejtim po e theksoj se jemi përpjekur për të krijuar edhe politika sa më fleksibël. Është shumë e rëndësishme që këto lloj produksionesh të kenë gjithashtu një impakt më të gjerë. Këtu nënkuptoj jo thjesht udhëtimin e tij në rrethe të Shqipërisë, por edhe jashtë kufijve. Dhe kjo përbën edhe një risi të këtij viti, në pikëpamje të menaxhimit”- është shprehur regjisori Filipi. Më tej u theksua se kriteret e pjesëmarrjes në kompeticionin e të rinjve nuk kanë ndryshuar ndërkaq projektet fituese do të shfaqen në sallën e teatrit kombëtar gjatë muajit shtator dhe në përfundim të konkurrimit do të vlerësohen me çmime 7 artistë të rinj që nga aktori e deri të skenografi dhe regjisori më i mirë. Ndërkaq, regjisorja Alma Hoti dhe Erion Hina Fitues të dy edicioneve të mëparshme të Festivalit Teatror të të Rinjve, të pranishëm në konferencë janë shprehur tepër të kënaqur për organizimin e këtij aktiviteti në vendin tonë, si dhe kanë treguar edhe për eksperiencën e tyre në Saint-Ettien të Francës, në shkurt-mars 2010, ku në bashkëpunim me njëri tjetrin vunë në skenë premierën e Carole Frechette “La piece au fond de lescalier”. Ky shkëmbim eksperiencash është i pari projekt në kuadër të anëtarësimit të Teatrit Kombëtar në Unionin Evropian Teatror. Realizimi i këtij turneu në Francë është përmbushja e një prej objektivave kryesore për vitin 2010 të Teatrit Kombëtar, atë të promovimit të vlerave artistike, si brenda dhe jashtë kufijve, si dhe shkëmbimeve kulturore mes teatrove evropiane.

Alma Hoti rrëfen suksesin në Francë

Vetëm disa muaj më parë, së bashku me regjisorin Erion Hina, edhe ai fitues i Festivalit të rinjve përfaqësuat denjësisht Shqipërinë në një festival të rëndësishëm në Saint-Ettien të Francës. Si ndiheni?
Sigurisht që ndihem tepër e lumtur dhe e nderuar që u përzgjodha për të qenë përfaqësuese e Shqipërisë në një festival të rëndësishëm që zhvillohet në Francë. Në fakt që në fillim dua të theksoj se kjo është jo vetëm eksperienca ime e parë, por njëkohësisht edhe hera e parë që dy artistëve të rinj shqiptarë, konkretisht dy regjisorëve u jepet mundësia për të qenë pjesë e festivalit që u zhvillua në Saint-Ettien të Francës. Mund të them se ndihem e lumtur që këtë fat mundëm ta përjetonim ne. Së bashku me Erionin vumë në skenë premierën e Carole Frechette, të titulluar “La piece au fond de lescalier” dhe u duartrokitëm jo vetëm nga publiku në sallë, por morëm edhe vlerësimet më të mira nga kritika.
Ç`mund të na tregoni për këtë ballafaqim me publikun dhe jurinë e kritikën franceze?
Mund të them se, në interpretimin tonë në Francë, jo vetëm që na dhanë nota pëlqimi dhe vlerësimi, por në një farë mënyre atje u habitën kur na dëgjuan. E them këtë të fundit pasi ne shqiptarët çuam në këtë festival një frymë krejt të re. E rëndësishme është që para një jurie të fortë ne, paraqitëm një platformë të përkryer, madje shumë vende që janë shumë para nesh mësuan nga taktikat tona, le të themi mësuan se si bëhet teatër.
Ku konsistonte trajnimi në fjalë?
Trajnimi ishte krejtësisht i veçantë dhe konsistonte në synimin që të mësonim aktorët që të aktronin sipas metodës shqiptare. Ky trajnim konsistonte në këtë formë; e merrnim pjesën pasi e kishim përkthyer dhe mësonim aktorët të aktronin sipas metodës shqiptare. Kjo ishte një eksperiencë shumë e bukur për ato artistë të rinj për vetë faktin se ne jemi shumë të gjallë në interpretim, ndërsa europianët i kushtojnë më shumë vëmendje qëndrimit. Me lëvizje dhe me plastikë dhe me tekstin duke lexuar sollëm emocion.
Sa të vështirë e kishit leximin e tekstit para këtyre kritikëve?
Shpesh herë të ndodhte që ti humbisje në personazh dhe harroje që kishe një publik prej 200 vetësh të specializuar pran teatrit. Ne në këtë trajnim mësuam se nuk ishte e rëndësishme as skenografia, as dekori por puna me aktorin. Në Shqipëri mungon shumë puna me aktorin, kryesisht aktorët tanë janë të jashtëm merren me gjëra të jashtme dhe nuk merren me rolin. Gjatë kësaj performance Drejtori i Konventës Europiane, Zhan Klod Berut na dha një çertefikat dhe tha në rast se kultura dhe shteti ka këtë pasaportë që keni ju në teatër mund të futeni shume më shpejt në europë. Të rinjtë kanë nevojë për më shumë stimul për të paraqitur talentet e tyre.
Si ndiheni pas këtij festivali?
Sinqerisht ndjehem mirë, pasi direkt pas këtij konkursi do tentojmë të sjellim një frymë të re në teatër. Të rinjtë e teatrit duhet të fillojnë të gjejnë frymë dhe forca të reja, madje do të doja t’ju kërkoja drejtuesve të teatrit të na jepnin shumë më tepër mundësi për të promovuar vlerat e këtyre artistëve të rinj.

29 Qershor 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›