E Diel, 1 Nëntor 2026

Muça: Gati edhe për Vllazninë, por sot presim drejtësinë

Nga ELTON NIKA

Trajneri i Flamurtarit, Shkëlqim Muça, i qëndron asaj që ka deklaruar që ndeshja në Pogradec me Skënderbeun nuk ka mbaruar ende

Flamurtari me sytë ngta FSHF-ja dhe komisioni i disiplinës për ndeshjen ndaj Skënderbeut. Të gjitha bisedat në ambientet e klubit kuqezi, por edhe mes sportdashësve lidhen me vendimin që pritet të jepet ditën e sotme, aty ku vlonjatët e kanë shprehur qartë se nuk kërkojnë më pak se tri pikët në tavolinë për ndeshjen e ditës së martë.

Madje zëra brenda klubit vlonjat thonë se rreth vendimit që pritet të jepet mund të vendoset shumë për Flamurtarin, pavarësisht se tashmë ekipi ka rinisur përgatitjet për takimin e ditës së diel ndaj Vllaznisë në Vlorë. Trajneri i Flamurtarit, Shkëlqim Muça, duke komentuar situatën pas ndeshjes me Skënderbeun, ka pranuar se pikërisht në këto momente ajo që u intereson më shumë është veç përgatitja e ekipit dhe një ndeshje për të fitur ditën e diel përballë Vllaznisë.

Ndeshjen përballë Skënderbeut besoj se të gjithë e panë çfarë ndodhi. Në ato momente nuk mund të flitej më për futboll, prandaj çfarë mund të presësh më shumë nga një situatë e tillë? U kam kërkuar futbollistëve që në ato momente të ruheshin nga provokimet, ndërsa për sa u përket vendimeve se çfarë do të merret, ajo është përgjegjësi e tjetër kujt.

Megjithatë, duhet pranuar se në ato kushte nuk mund të flitej për futboll, në një situatë kur gjyqtari qëllohet dhe gjakoset. Duket sikur e kemi përmendur shpesh këtë gjë, por kjo është e vërteta. Në ato momente së bashku me drejtues të klubit kemi kërkuar nga futbollistët që të qëndronin të qetë dhe të mos binin pre e provokimeve të ndryshme, pasi tashmë dihej se si do të përfundonte, është shprehur trajneri Muça.

Vllaznia Ne jemi në pritje të vendimit dhe natyrisht mua si trajner më takon të përgatis ekipin për ndeshjen e radhës. Të dielën luajmë një tjetër ndeshje shumë të rëndësishme për kupë ndaj Vllaznisë, ekip që ka fituar në ndeshjen e parë dhe vjen me moral të lartë në Vlorë. Pas ndeshjes në Pogradec kam folur me futbollistët, kemi parë ato defekte të cilat janë vënë re në fushën e lojës dhe mendoj se na pret një përballje e vështirë, por me një synim vetëm për tu fituar.

Pastaj se çfarë do të ndodhë, përgjegjësitë janë gjetkë dhe gjithsecili duhet ta analizojë situatën që është krijuar. Kërkojmë vetëm drejtësi dhe asgjë më shumë nga ajo ndeshje. Çfarë mendimi kam unë? I qëndroj asaj që kam thënë pas takimit, që ai  nuk është mbyllur në ato kushte futbolli.

Ishte gjëja e fundit që mendonim, duhej vetëm të ruhej qetësia asgjë më shumë. Të gjithë i panë ato që ndodhën dhe gjithsecili analizon vetë. Unë tashmë kërkoj më të mirën në ndeshjen me Vllazninë, – përfundon trajneri i Flamurtarit, Shkëlqim Muça.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›