E Shtunë, 31 Tetor 2026

UKSH, ushtri interneti apo...

Në një njoftim publik në faqen e internetit, UKSH shkruan se është formuar pas përplasjeve të fundit në skenën politike si në Shqipëri, ashtu edhe në Kosovë e Maqedoni, por edhe pas shkatërrimit të Frontit për Bashkim Kombëtar Shqiptar (FBKSH) dhe strukturave të saj AKSH –SKSH.

“UKSH ju bën thirrje politikanëve shqiptarë në të gjitha trojet etnike shqiptare që të mos luajnë me zjarr, sepse zjarri do t’i djeg vet ata. Ju bëjmë thirrje që të kenë kujdes me tokën shqiptare, sepse ende ka trima që vdesin për ketë tokë të shenjtë që shumë stërgjyshër tanë kanë luftuar dhe baballarë tanë janë burgosur. Ju themi mjaft më! Sepse do të vijë dita që do t'ju dënojë populli shqiptar”, thuhet mes tjerash në këtë njoftim publik.

Njoftimi i nënshkruar nga i ashtuquajturi shef i shtabit të përgjithshëm të UKSH-së, Komandant Kosova, thekson se këtë ushtri e përbëjnë ish-anëtarë nga UÇ e Kosovës, UÇ Kombëtare, UÇPMB dhe AKSH.

“UKSH vepron në të gjitha trojet etnike të Shqipërisë dhe do të luftojë deri në ushtarin e fundit, deri në bashkimin e tokës shqiptare ku asnjë pëllëmbë nuk do t’ju lëmë pushtuesve sllavo-grek dhe atyre shqipfolësve që i përkrahin sllavo-grekët. Ata do t’i parandalojmë dhe do t’i dënojmë me çmimin që e meritojnë për tradhti dhe spiunim”, thuhet në këtë njoftim publik.

Megjithatë, daljen në skenë të këtij formacioni nuk e vlerësojnë të mirëseardhur politikanë shqiptar në Maqedoni.

“Unë personalisht si komandant i UÇ-Kombëtare nuk i besoj asnjë armate që paraqitet në internet. Asnjëherë nga formacione të këtilla nuk kemi parë ndonjë projekt konkret. Neve shqiptarëve na duhet unitet që në mënyrë unike t’i zgjidhim çështjet shqiptare në mënyrë politike sepse shqiptarët janë lodhur nga luftërat. Luftërat e fundit na ka dëshmuar se janë vetëm harxhime dhe shkatërrim i pasurive dhe asnjëherë nuk kemi arritur atë që kemi dashur”, tha Abedin Zymberi, ish-komandant i policisë ushtarake ët UÇK-së dhe aktualisht deputet i DR-së në Parlament. Sipas tij, Shqipëria ka ushtrinë e vet, Kosova po ashtu dhe s’ka nevojë për ushtri jashtë institucioneve.

Ndërkaq , Gafurr Adili, i njohur si Komandant Vardari, i cili aktualisht është kryetar i Frontit Demokratik për Bashkimin Kombëtar Shqiptar në Maqedoni (FDBKSH) ka thënë për “Lajm“ se koha e luftërave në Ballkan ka përfunduar dhe i gjithë aktiviteti i tyre do të kryhet me mjete demokratike.

“Ai nuk është opsioni ynë. Ne më 28 dhe 29 nëntor mbajtëm kongresin themelues të FDBKSH-së. Ne do të veprojmë në Tiranë dhe Prishtinë dhe i gjithë aktiviteti ynë për ribashkimin e tokave shqiptare të bëhet me mjete demokratike. Bazuar në gjithë gjeopolitikën ndërkombëtare në Ballkan një herë e përgjithmonë ka përfunduar lufta”, tha Adili.

Megjithatë formimin e kësaj ushtrie që vetëm nëpërmjet internetit ka lëshuar njoftim publik, e ka vlerësuar si hap të rëndësishëm Xhezair Shaqiri, ish-komandant Hoxha në UÇ-Kombëtare.

“Është gjë e mirë kjo për shqiptarët. Politikanët patjetër duhet të kenë kujdes. Trimat liridashës si Idriz Seferi, Bajram Curri, Isa Boletini, etj, nuk kanë pasur shkollë, por nuk i kanë bërë gabime siç bëjnë politikanët e tanishëm. Ne e përshëndesim këtë akt dhe ndoshta është edhe me vonesë”, tha Shaqiri. Ai deklaroi se nuk i njeh ata të cilët qëndrojnë pas kësaj iniciative, por i ka porositura ata se mos të kenë vetëm fjalë boshe. “Vepra e vlerëson njeriun. Nuk e dimë se kush janë ata, por nëse i kanë edhe ndjenjat si fjalët, atëherë është e qëlluar”, tha Shaqiri.

Rikujtojmë se edhe para disa viteve në opinion doli AKSH, e cila ushtroi veprimtarinë e saj vetëm në internet.

                                                                                             

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›