E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçarët në park, shijojnë lakrorët me dy petë

Mes miellit e brumit, saçeve dhe zjarreve janë prodhuar në natyrë lakrorët tradicionalë korçarë me dy petë. Lakrorët janë provuar nga të gjithë, ndërsa një nuse e veshur me të bardha ka zbritur në park, për të parë nga afër gatimin. Kjo është një traditë e hershme që bashkia e ka kthyer në festë.

Amvisat korçare, por edhe ato të ardhura nga Polena dhe Boboshtica, kanë gatuar në park mes gjelbërimit lakrorët tradicionalë me shije të veçantë. Të pjekur nën saçet që mbanin poshtë tepsitë e shumta mes zjarreve, lakrorët jo vetëm kanë qenë pjesë e ekspozimit të traditës kulinare, por edhe janë shijuar nga vizitorët e shumtë të festës. Ashtu të pjekur, lakrorët me dy petë të dalë nga tepsitë e të gatuara nga gratë u janë servirur qytetarëve. "Kam ardhur të bëj lakrorë me dy petë. Njerëzit janë shumë të kënaqur, pasi shikojnë si gatuhet dhe më pas kur tepsia del nga saçi e servirin të ngrohtë. Ka shumë kërkesa dhe më vjen mirë që kam sjellë këtë traditë në këtë ditë feste", thotë një nga gratë korçare, ndërkohë që duart i ka ende me brumë. Me shkarpa për të ndezur zjarret, tepsi që shpejtojnë drejt qytetarëve, me duart me brumë dhe duke hapur petë me okllaitë e tyre, amvisat këtë herë janë ndihmuar në këtë proces gatimi në festën e lakrorit edhe nga burrat. Detyrat këtë herë kanë qenë të ndara, gratë janë marrë me gatimin, burrat me përgatitjen e zjarreve dhe pjekjen e lakrorëve në saçe. Në këtë festë janë gatuar brenda pak orëve 300 lakrorë me dy petë. Gjithçka është vendosur në natyrë dhe nën vëzhgimin e mijëra qytetarëve, që kanë shijuar jo vetëm lakrorin, por edhe mënyrën e gatimit. Bashkia e Korçës synon që ta rikthejë në traditë këtë festë masive për të promovuar gatimin tradicional të zonës. "Lakrori me dy petë është bërë pjesë e traditës kulinare dhe madje turistët e vizitorët e kërkojnë tashmë në çdo restorant korçar. Ky është viti i dytë që organizohet festa e lakrorit dhe vihet re një pjesëmarrje masive edhe nga të huajt. Këtu vijnë shumë turistë dhe ky është një moment i mirë për të promovuar këtë pjesë të traditës sonë, por edhe për të tërhequr sa më shumë vizitorë", shprehet kryetari i bashkisë, Niko Peleshi.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›