E Diel, 1 Nëntor 2026

Zbulohet një liqen gjigant nën këmbët e Malit të Gjerë

"Poshtë shpateve shkëmbore të Malit të Gjerë, në shpellën e thellë të Skotinisë, ndodhet një mrekulli e natyrës, një shpellë gjigante dhe një liqen me ujë të kthjellët, që përbëjnë pa më të voglin dyshim një potencial të rrallë turistik për rajonin e Gjirokastrës". Konfirmimi ka ardhur nga eksploratori italian, Mario Mazzoli, që së bashku me dy kolegët e tij italianë, Marko Viteli dhe Bernardino Roçhi, të mbështetur nga dy zhytësh shqiptarë Igli Pustina dhe Arjan Gaçe, janë zhytur dje rreth 55 metra thellë në zgavrën e thellë të Skotinisë që ndodhet në afërsi të fshatit Vanistër të Gjirokastrës. Për të eksploruar këtë shpellë të njohur për legjendat dhe enigmat e saj, të katër speleologët, tre italianë dhe dy shqiptarë, kanë hyrë fillimisht në pjesën e parë të shpellës së Skotinisë, pikërisht në vendin ku gjatë viteve të socializmit ishte vendosur platforma e veprës së marrjes së ujit për të ujitur tokat e fushës së Dropullit dhe më pas nëpërmjet një kanali ata kanë mundur të dalin në një pjesë të brendshme që, sipas tyre, ishte një mrekulli e pafundme. Në përpjekje për të kapur dyshemenë e shpellës së mbushur me ujë, zhytësit italianë, të pajisur me mjete të posaçme, kanë mundur të zbresin vertikalisht rreth 55 metra. Por, sipas tyre, nuk kanë mundur ta shohin dhe as ta prekin fundin e kësaj depozite gjigante uji të kthjellët. Ata kanë mundur të eksplorojnë një hapësirë shumë të vogël të liqenit gjigant nëntokësor të Skotinisë për gjatë një ore qëndrim nën ujë, kohë kjo e kushtëzuar nga autonomia që u lejonte kapaciteti i bombolave të ajrit që kishin në përdorim. "Pasuritë natyrore dhe kulturore të rajonit të Gjirokastrës janë të shumta dhe të njohura, por me këtë zhytje ne kemi mundur të zbulojmë një pasuri të jashtëzakonshme, të paeksploruar më parë. Ky është misioni i parë eksplorues nënujor. Pranverën që shkoi ne eksploruam shpellat në mjediset e themeleve dhe katakombeve të kalasë së Gjirokastrës dhe vetëm sa studiuam nga pjesët e jashtme burimet e shpellës së Skotinisë dhe Mëmën e Burimit në liqenin e Viroit, misione këto që u pasqyruan nga mediat italiane, mandej edhe nga një transmetim special në RAI 2", thotë Mario Mazzoti. Ndërsa zhytësi italian, Marko Viteli, thotë se kërkimet speleo-nënujore, kanë si mision të nxjerrin elemente të reja dhe të panjohura më parë nëpërmjet eksplorimeve nënujore dhe rilevimeve të përmasave hidro-gjeologjike, të cilat do të ndihmojnë specialistët për të kuptuar shtrirjen dhe tipologjinë si të shpellave ashtu edhe të baseneve ujëmbledhëse nëntokësore në rajonin e Gjirokastrës.

Gjirokastra dhe rajoni i saj, përveç pasurive të shumta kulturore e arkeologjike, ka dhe shumë pasuri natyrore, që duke u studiuar do t‘u shtohen elementeve të guidës dhe hartës turistike.

Në shtator të këtij viti përfundimet e kërkimeve nënujore në rajonin e Gjirokastrës do të prezantohen me filma gjatë një konference ndërkombëtare për spereologjinë nënujore që do të organizohet në bashkëpunim me Universitetin e Gjirokastrës.

Legjenda e Skotinisë

Burimet ujore të Skotinisë dhe Mëmës së Viroit, janë nga të vetmit burime natyrore të "tipit të sifonit", pasi uji në të dyja rastet buron nga një thellësi afro 65 metra, del nga poshtë-lartë nëpërmjet një guve në formë hinke. Viroi, sipas matjeve, nxjerr nga kjo thellësi një debit prurjeje maksimale afro 16 m3 ujë në sekondë. Uji në të dyja burimet është i pastër dhe i kthjellët, aq sa njeriu nuk e ka të vështirë që në Mëmën e Viroit të dallojë një 50 lekëshe metalike deri në 25 metra thellësi.

Por nuk është vetëm uji i pastër, matjet dhe dukuritë e tjera që i lidhin dy burimet. Burimet e Skotinisë dhe Viroit, mandej edhe ata të Syrit të Kaltër dhe liqeni i Janinës në Greqi, lidhen së bashku nga filli magjik i së njëjtave legjenda fantastike.

Sipas tyre, Burimi i Mëmës së Viroit ka lidhje me katër burime të tjera, po kaq misteriozë dhe fantastike: me burimin e Syrit të Kaltër në Delvinë - Sarandë, me burimin e shpellës së Skotinisë në Vanistër të Dropullit të Poshtëm, me liqenin e Janinës dhe me burimin e Kallpaqit në Janinë. Të pesta burimet sipas legjendave janë si pesë enë komunikuese me njëra-tjetrën. Burimi i Skotinisë është i vetmi me ujë të pijshëm për fshatrat e Dropullit. Legjenda thotë se Skotinia ka "gëlltitur" në brendësi të saj shumë gra e vajza dropullite, të cilat ishin të detyruara të shkonin të mbushnin ujë me bucela në errësirën e plotë të shpellës gjigante. Hapësira, lagështia dhe rrymat e brendshme të ajrit brenda shpellës së Skotinisë, nuk i lejonin gratë dhe nuset e Dropullit të mbanin qirinj, fenerë dhe asnjë lloj ndriçuesi tjetër primitiv. Për të mbushur ujë në burimin e errët dhe të zhurmshëm të Skotinisë, nuseve u duhej të numëronin sa herë që hynin 90 shkallët që të çonin në fundin e shpellës ku ndodhej lumi i nëndheshëm. Sidomos nuset e reja hutoheshin dhe ngatërronin numrin në errësirë dhe përfundonin tragjikisht në ujërat e ftohta të Skotinisë për të mos e parë më kurrë dritën e diellit. Legjenda thotë se shumë kohë më parë, një nga nuset që ngatërroi numrin dhe ra në ujë, është parë të dalë e mbytur në Burimin e Mëmës së Viroi.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›