Kryekomunari i Kasharit kërkon ulje dënimi
Ish-kryetari i Komunës së Kasharit, i dënuar për abuzime me troje, ka kërkuar në Gjykatën e Tiranës ulje dënimi. Megjithëse mori një dënim të "lehtë" në Gjykatën e Apelit me vetëm 2.8 muaj burg, Sulaj ka kërkuar që gjykata ta favorizojë sërish, megjithëse pritet që këto javë të lërë qelinë. Gjykata e Apelit e dënoi Sulajn vetëm me 2 vjet e 8 muaj burg. Ai u ndalua në fillim të muajit dhjetor të vitit 2007. Pra, nga momenti i ndalimit e deri në momentin e dhënies së vendimit të formës së prerë, Sulaj qëndronte në burg në harkun kohor të 19 muajve. Duke llogaritur kohën e paraburgimit, Sulaj duhet ta lërë qelinë këto javë. Por ish-kryekomunari dëshiron të lërë qelinë një orë e më parë dhe ka nxituar që të kërkojë ulje dënimi. Kërkesa pritet të shqyrtohet në ditët e fundit të muajit korrik dhe, nëse nuk shqyrtohet, atëherë kërkesa pritet të shtyhet në muajin shtator, ku pritet që Sulaj të ketë mbaruar dënimin. Problemi me pronat në Komunën e Kasharit ka nisur që në vitin 2000, kur kryetar ishte Naim Karaj, ndërsa kanë vazhduar edhe nga pasardhësi Faik Fejzo dhe Alfred Sulaj. Gjykata deklaroi me vendim se të pandehurit kanë falsifikuar dokumentet e pronësisë, në bashkëpunim me ish-kryeplakun e fshatit, me përgjegjësin dhe dy punonjës të kadastrës së Kasharit. Sipas gjykatës, ata kanë abuzuar me tapitë e tokës, duke ua dhënë personave që nuk e kishin atë në pronësi, kundrejt ryshfetit. Bëhet fjalë për të paktën 150 mijë metra katrorë tokë bujqësore, mbi të cilën tashmë janë ndërtuar pallate dhe shtëpi private.