E Shtunë, 31 Tetor 2026

"‘Gërdeci‘, qoftë turpi i fundit i drejtësisë shqiptare"

Nga shpirti i dolën fjalët e mësipërme. Mjekra e humbur mes lëkurës së varur plot rrudha i dridhej pa pushim. S‘e kuptuam, prej zemërimit a prej turpit. Të gjitha gjasat janë prej të dyjave. Xhaja 78-vjeçar, ish-jurist, sapo kishte mbaruar së lexuari në gazetë kronikën e seancës së dytë të gjyqit për "Gërdecin", katranosur (do të ishte fjala më e duhur) në gjykatën e Tiranës, 4 ditë më parë. Ja çfarë shkruhet që në krye nga reporteri Sokol Çobo: "Dështon sërish ‘me sukses të plotë‘ procesi gjyqësor ndaj 29 të pandehurve të akuzuar si shkaktarët e mundshëm të tragjedisë së Gërdecit, ku humbën jetën 26 persona dhe qindra të tjerë u plagosën. Në seancën e djeshme gjyqësore në Gjykatën e Tiranës mungonin dhjetëra të pandehur, të cilët nuk kishin lëshuar as prokura përfaqësimi për avokatët. Procesi ka filluar me një falsitet të plotë, ku trupa gjyqësore e përbërë nga gjyqtarët Ridvan Hado, Fatmira Hajdari dhe Shefkie Demiraj ka lexuar emrat e çdo të pandehuri. Por në sallën e gjyqit ishin vetëm dy të pandehur…". Ja çfarë bëhet. Gratë me të zeza, nëna dhe bashkëshorte të të djegurve në flakët e korrupsionit më makut dhe makabër që njeh civilizimi që nga koha e turpshme e tregtisë së skllavërisë, pasi u ankuan ashtu me zë të shuar, hoqën këmbët zvarrë dhe u kthyen në shtëpitë e reja që u ka bërë qeveria. Është shkruar e është thënë shumë për korrupsionin në drejtësi. Nuk ka familje shqiptare që s‘e ka një plagë të padrejtë në shpinë, të lënë nga gjykata apo prokuroria. Por ka një limit i cili s‘duhet lejuar të tejkalohet. Përndryshe e keqja të vjen në shtëpi edhe ty, qofsh politikan apo gjyqtar, pasanik a qeveritar. Është si një metastazë malinje që riprodhon vetveten pafund, duke ngrënë pa mëshirë edhe vetë qelizat nga u poll. Përderisa fabrika e vdekjes në Gërdec u krijua nga plehu i korrupsionit, duke mos falur as jetë fëmijësh, kapja e Drejtësisë dihej se do të ishte edhe më e lehtë. Çështja "Gërdeci" nisi si tragjedi e përjetuar, si një traumë kolektive për gjithë shqiptarët, edhe përtej kufijve. Pastaj u formëzua si një revoltë, por për turp të opozitës dhe shoqërisë civile ajo ngeli thjesht individuale. Tani është shndërruar në një test të Drejtësisë. Dhe starti është një turp i padëgjuar… Seancat shtyhen. Avokatët tallen, prokurorët protestojnë duke mjaullirë, gjyqtarët thonë vetëm "peqe". Dhe në fakt po ta shohësh "hollë-hollë", me mendje "të ftohtë", përse të mos bëjnë këtë që po bëjnë? Kur këto skena apo skema kanë më shumë se dy vjet që i aplikojnë në gjyqet e bandave më famëkeqe që ka njohur Ballkani e ndoshta edhe më gjerë, siç janë ajo e Durrësit dhe e Lushnjës, përse të mos e bëjnë për 30 "peco grosso"-t e Gërdecit? Nëse nga të akuzuarit për dhjetëra vrasje marrin vetëm thasë me para, si dhe hanë ca presion pavarësisht se janë prapa hekurave, nga bosët e Gërdecit, përveçse milionave, merr edhe akses politik. Si mund të japin drejtësi ata gjyqtarë e prokurorë kur qindra familjet e Gërdecit që kanë si bilanc 26 të vdekur e dhjetëra "gjysmë gjallë e gjysmë vdekur", të cilët vuajnë traumën e dëshmitarit të "ferrit në tokë", kanë vetëm një avokat që i mbron?! Ndërsa më "ditëziu" mes 30 të pandehurve mbrohet nga të paktën 2 avokatë. E kuptoni besoj hallin e tmerrshëm për 3 gjyqtarët e çështjes: një lukuni sekserësh mbi kokë 24 orë rresht…

Përveç Zotit, ku mund të ankohesh?
Me këtë fjali kam më shumë se një vit që "përkthej" fytyrat e familjarëve të të masakruarve në Gërdec gjatë kalvarit që kanë nisur. Me pyetjen retorike: "Përveç Zotit, ku mund të ankohemi?", dekodova sytë e tyre kur dolën nga gjykata katër ditë më parë, ata 6-7 burra e gra të veshur me të zeza. Fillimisht ishin shumë. Ishin shumë se kishin shpresë që qeveria e Drejtësia do t‘u jepte përgjigje e ngushëllim për atë mynxyrë që ju kishte ndodhur, por edhe pse rrethoheshin nga OJQ-ra e politikanë. Tani janë mpakur në numër e trup. Duket sikur Gërdeci ju ka shpërthyer përbrenda. Nuk janë më të revoltuar. Ashtu siç largohen drejt fshatit të tyre me famë botërore, me koka të ulura deri afër tokës, më shumë të ngjajnë si fajtorë. Ndoshta janë vërtet ata fajtorët dhe askush tjetër?! E di që cinizmi është arma e fundit, por çfarë emri mund t‘i vëmë kësaj të vërtete që do t‘ju tregoj në mënyrë telegrafike më poshtë: Data 4 maj 2009, seancë gjyqësore për "Gërdecin" në Gjykatën e Lartë. Ora 10:00, seanca nis. Relatori konstaton se i pandehuri, zoti Fatmir Mediu, nuk është paraqitur. Kërkon dy avokatët e tij, por edhe ata mungojnë. Mbin para togave të zeza asistenti i njërit prej avokatëve. Ai lexon në emër të shefave: "Nuk vijmë dot në orarin e duhur në seancë, sepse ndodhemi për punë në Kukës. Arsyeja mbyllet: tuneli i Kalimashit…". Në këto kushte, Kolegji Penal vendosi shtyrjen e seancës për më 14 shtator. Kërcen prokurori, i cili tekstualisht tha: "Duke iu referuar njoftimit të bërë nga Ministria e Transporteve 24 orë më parë, tuneli mbyllet në orën 11:00, ndërsa tani është ora 10:20. Do të kërkoja që avokatët të ishin më seriozë përpara gjykatës". Mirë avokatët, që atë punë kanë, të bëjnë gjithçka në favor të klientit, po me gjyqtarët supremë që hanë e pranojnë gënjeshtra kaq të trasha, kush merret? Në fund të fundit, kush e "kontrollon" Gjykatën e Lartë?! Ose më saktë, ata që paguhen si anëtarë të Gjykatës së Lartë kur ngrenë dorën, te kush "paguajnë" nëse gabojnë?! Mbyllja më e saktë për këtë "Përtej Lajm" të radhës, por me temë problemin më të rëndësishëm që ka vendi ynë, gjykova të bëhet me një citim nga shkrimi i para pak ditëve i kolegut Mentor Kikia: "Ajo që ne kemi parë deri tani është se asnjë prej proceseve nuk ka filluar, ndërsa familjarët e viktimave, një grup grash të veshura me të zeza, qëndrojnë në heshtje në sallë, ndërsa dëgjojnë gjykatësit të njoftojnë shtyrjen e seancës. Ato shikojnë se si drejtësia tallet, në mënyrën më të turpshme, me gjakun e njerëzve të tyre… Ne jemi dëshmitarë se si Gjykata e Lartë e shkatërroi procesin ndaj Lulzim Bashës dhe i vuri vulën e mbylljes një prej çështjeve më të përfolura korruptive të qeverisjes së Kryeministrit Berisha… Drejtuesit e Gjyqësorit duhet të saktësojnë dhe denoncojnë, nëse janë nën presionin e politikës, krimit apo parasë. Referuar shumë vendimeve dhe raporteve, tashmë ne e dimë që Gjyqësori nuk është i pavarur. Atëherë nga varet ai: nga politika, krimi apo paraja"?

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›