Fluks emigrantësh në Durrës dhe Sarandë
Fluks i ri emigrantësh ka hyrë në vend nga Porti Detar i Durrësit dhe nga dy pikat kufitare të Sarandës. Kështu, fundjava e fundit solli në Shqipëri mbi 14 mijë emigrantë të tjerë shqiptarë dhe kosovarë, në portin më të madh të vendit, atë të Durrësit. Ndërkohë, sportelet e policisë dhe doganierët janë në funksionim me kapacitet të plotë për të përballuar këtë fluks dhe shmangur vonesat në përpunimin e të dhënave. Ndërkohë që rritja e numrit të personave që futen në vend rrit edhe rrezikun e shtimit të numrit të bartësve me virusin AH1N1. Burime nga autoriteti portual bënë të ditur se në hyrjet e fundit nuk janë deklaruar ende raste të dyshuarish si të prekur nga sëmundja. Vetëm gjatë ditës së shtunë hynë nga porti më i madh në vend nëpërmjet 11 trageteve që lidhin Durrësin me portet italiane të Adriatikut Perëndimor plot 6800 pasagjerë dhe 2200 automjete, ndërkohë që edhe gjatë ditës së sotme kanë planifikuar mbërritjen 11 tragete të tjera, pjesa më e madhe e të cilave kanë mbërritur deri në mesditë, duke sjellë afro 7500 veta të tjerë. Shtimi i numrit të trageteve, që lundrojnë në linjat detare që lidhin Durrësin me portet e Barit, Ankonës dhe Triestes, ka shmangur këtë vit problemet me mbushjen e trageteve tej kapaciteteve të lejuara, duke ndikuar ndjeshëm në uljen e problemeve. Ndërkaq, në krahasim me një javë më parë, numri i emigrantëve që kanë mbërritur në vend nga kjo pikë kufitare është rritur ndjeshëm dhe për të përballuar këtë fluks të gjithë doganierët dhe sportelet e kontrollit kufitar janë vënë në shërbim të plotë për të mbyllur në kohë sa më të shpejtë procedurat për udhëtarët dhe automjetet dhe shmangur pakënaqësitë nga vonesat në përpunimin e të dhënave. Ndërkohë, e njëjta situatë paraqitet edhe në Sarandë. Duke iu afruar çdo ditë e më shumë kulmit të vet, sezoni "Verë 2009" ka bërë që të shtohet dukshëm ardhja e emigrantëve dhe e studentëve që vijnë në atdhe nëpërmjet pikave doganore. Momentalisht numri i personave që kanë hyrë nëpërmjet terminalit të portit detar dhe nga pikëkalimi kufitar i Qafëbotës ka arritur mbi 700 veta në ditë. Përveç pushuesve të shumë që zgjedhin Sarandën për të pushuar, si maqedonas e kosovarë, sezoni veror ka sjellë edhe emigrantë të shumtë. Ata kthehen në vendin e origjinës nga shtetet ku janë rezidentë, kryesisht nga Greqia, Italia etj., dhe zgjedhin dy pikat e kalimit kufitar: atë të portit dhe të Qafëbotës, për shkak të përmirësimit të dukshëm të infrastrukturës rrugore. Ndërkohë, shefi i Komisariatit të Kufirit në Sarandë, Ilir Gjoçi, ka thënë se numri është rreth 400 emigrantë në ditë që vijnë nëpërmjet portit të qytetit, ndërsa nga Qafëbota ky numër shkon në rreth 500 emigrantë.