Turizmi, mbërrijnë gjashtë jahte me vela
Gjashtë anije veliere kanë mbërritur në fundjavë në Portin Detar të Durrësit, në kuadër të veprimtarisë lundruese "Takim në Adriatik". Mbërritja e jahteve me vela në ujërat shqiptare po kthehet tashmë në traditë, duke e përfshirë vendin tonë në këtë aktivitet të rëndësishëm lundrimi për vendet që lagen nga i njëjti det. Ky është i katërti vit që turistë italianë të pasionuar pas lundrimit e përfshijnë Durrësin në ndalesat e tyre, ndërkohë që theksohet domosdoshmëria e ndërtimit të një porti jahtesh në vendin tonë. Janë 15 turistë italianë të pasionuar të lundrimit që po eksplorojnë brigjet shqiptare në këtë edicion të "Takimit në Adriatik", e cila organizohet nga shoqata italiane e lundrimit në bashkëpunim me Dhomën e Tregtisë dhe Industrisë së Durrësit. Nënpresidenti i "Asonautica italiane", Paolo del Buono, duke vlerësuar ndryshimet e vazhdueshme në Shqipëri, tha se ka ardhur koha të mendohet më shumë për turizmin e lundrimit, duke theksuar se ndërtimi i porteve të jahteve dhe velierave, do të shtonte ndjeshëm numrin e turistëve. Krijimi i porteve të jahteve dhe velierave, sipas tij, do ta shtonte ndjeshëm numrin e turistëve, të cilëve u pëlqen eksplorimi i brigjeve dhe kulturave detare. Veprimtaria detare "Appuntamento in Adriatico" ka mbërritur në edicionin e saj të 21-të dhe prej disa vitesh Shqipëria është bërë pjesë e saj. Velierat mbërritën nga Porti i Tivarit në Malin e Zi dhe pas Durrësit do të lundrojnë drejt Vlorës.