E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Xhindi", rikthehet pista politike

Aktiviteti politik i Fatmir Xhindit, deputetit të vrarë në një pritë para shtëpisë së tij në Roskovec, do të jetë tashmë një pistë hetimi nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Takimet paraelektorale të të ndjerit në zonë, si dhe "konfliktet" politike me banorë të zonës, do të verifikohen nga Krimet e Rënda, ndërsa grupi hetimor do të përqendrohet kryesisht te dëshmitë zyrtare dhe publike të familjarëve të viktimës. Burime pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda thanë për gazetën "Shqip" se asnjë pistë nuk është përjashtuar nga hetimi i çështjes, aq më tepër "vrasja për shkak të cilësive të veçanta". Kjo akuzë është kompetencë e Krimeve të Rënda dhe si e tillë është pista kryesore ku do të përqendrohen hetimet e mëvonshme në identifikimin e autorëve të mundshëm. Dhjetëra të shoqëruar dhe të pyetur nga policia dhe prokuroria duket se nuk i kanë ndihmuar hetimet për të përcaktuar një pistë të saktë në zbardhjen e vrasjes së deputetit socialist. Me gjithë optimizmin e zyrtarëve të lartë të Ministrisë së Brendshme për zbulimin e shpejtë të këtij krimi, afro tre muaj pas ngjarjes autori nuk ka ende emër dhe shkaku vazhdon të mbetet mister. Familjarë të deputetit të ndjerë kanë thyer heshtjen dy ditë më parë, duke kërkuar sërish zbardhjen e krimit. Mesazhi duket se është marrë edhe nga grupi hetimor që punon intensivisht në Tiranë dhe Fier. Prej tyre bëhet e ditur se të gjitha provat dhe dëshmitë e marra për ngjarjen janë verifikuar me imtësi.

Verifikim dëshmive
Të afërmit e deputetit socialist, Fatmir Xhindi, i ekzekutuar natën e 2 majit në qytezën e Roskovecit, në periferi të Fierit, krahas deklaratave publike, kanë këmbëngulur para hetuesve se vrasja është politike. Ata deklarojnë se grupi hetimor duhet të përqendrohet te vrasja politike, pasi i afërmi i tyre nuk ka pasur asnjë konflikt të vjetër, çështje pronësie apo probleme me persona të tjerë. Në procesverbalin e prokurorisë ata kanë detajuar të gjithë aktivitetin e deputetit në zonë, nga takimet me banorët e zonës e deri tek udhëtimet në Tiranë për të marrë pjesë në seancat plenare në Kuvendin e Shqipërisë. Të afërmit shpjeguan edhe takimet e 49-vjeçarit me eksponentë të partive të tjera që kandiduan në zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit në Qarkun e Fierit. Megjithatë, nga të dhënat që disponojnë, deklarojnë se asnjë konflikt tjetër, veç politikës, nuk mund t‘i ketë marrë jetën, pasi Xhindi njihej si njeri i respektuar në zonë e më gjerë. Sipas prokurorisë, të gjitha versionet e familjarëve janë verifikuar, por asnjë e re në dritë, çka mund të identifikonte autorin. Grupi hetimor, i kryesuar nga ekspertët më të mirë të Krimeve të Rënda, ka analizuar dhjetëra herë vrasjen e deputetit socialist. Sipas tyre, me orë të tëra janë analizuar rrëfimet e familjarëve, të cilët i rekomandonin grupin hetimor që të fokusohej vetëm te veprimtaria e tij politike, ditët dhe muajt e fundit, nga takimet e deri te përballjet politike. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda deklaruan se po përqendrohen në tri pista, ndërsa asnjëherë nuk është përjashtuar vrasja për shkak të cilësive të veçanta. "Nga momenti i ekzekutimit dhe gjatë analizave të fundit që kemi kryer, nuk e kemi përjashtuar asnjëherë vrasjen për shkak të cilësive të veçanta. Kemi verifikuar çdo detaj apo konflikt të të ndjerit", thanë hetuesit e çështjes, pa mundur të saktësojnë një pistë të saktë.

Hetimet
Deputeti socialist, Fatmir Xhindi, mund të jetë vrarë për shkak të detyrës, për një konflikt të vjetër në vitin 1997 dhe për shkak se ka influencuar në një vendim gjyqësor. Të paktën këto janë tri pistat kryesore të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, e cila ka analizuar të dhënat nga ekzekutimi i deputetit natën e 2 majit në qytezën e Roskovecit, në periferi të Fierit. Pothuajse tre muaj pas vrasjes, Krimet e Rënda i përqendrojnë hetimet në vetëm tri pista, duke rrëzuar një pjesë dyshimesh se Xhindi mund të jetë qëlluar për motive pronësie. Burime nga Prokuroria e Krimeve të Rënda thanë se deputeti i PS-së mund të jetë vrarë si pasojë e një konflikti që ka pasur kohë më parë ish-shoferi i tij personal. Ndërkohë, nuk është përjashtuar vrasja për një ngjarje të vjetër në qytezën e Roskovecit.

Deklarata

Familjarët: Njerëzit e
PD-së kryen fushatë në zonë

Familjarët dhe të afërmit e Xhindit nuk ngurrojnë të thonë edhe "të rejat" që kanë mësuar nga këto tre muaj pa Fatmir Xhindin. Në bisedat e tyre kuptohet se ata flasin për ndërhyrje të Interpolit në këtë ngjarje dhe angazhim të kësaj strukture për të zbardhur përfundimisht autorin e vrasjes. Një prej vëllezërve të Fatmir Xhindit deklaroi përpara mediave të pranishme dy ditë më parë se "Fatmiri është vrarë ditën e shtunë, kurse gjatë gjithë asaj jave në Kurjan, Roskovec, dhe disa fshatra të tjerë të zonës, ka zhvilluar takime deputeti Sokol Olldashi". Ndërkohë, drejtues të policisë së Fierit janë shprehur se po vijojnë me intensitet hetimet për ngjarjen në fjalë. Lidhur me faktet e reja që servirin familjarët, shefi i krimit të organizuar në drejtorinë e policisë së qarkut, Zigur Bizha, ka thënë se nuk është në dijeni të këtyre fakteve. "Ende nuk kemi një autor të dyshuar, por shpresoj që me ecurinë e hetimeve shumë shpejt do të ketë diçka konkrete për këtë rast", ka thënë Bizha për gazetën. Sipas të dhënave, numri i dëshmitarëve dhe i personave të pyetur për këtë dosje i ka kaluar të 500 personat.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›