E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabitja e aksioneve të politikës

Nga Shpëtim LAME
Sistemi i ri zgjedhor është në prag të sprovës së tij të parë. Për vendosjen e tij, tashmë nga të gjithë dihet sesi u arrit bashkëkahja apo mirëkuptimi, ndërmjet PD-së dhe PS-së, që mbart jo pak dyshime për lëshime të ndërsjellta, deri edhe për pazare, të shprehura apo të pa shprehura, të kuptueshme apo të nënkuptueshme si; më jep këtë, të jap atë, unë fitoj këtu, ti fiton atje, unë gropos këta, ti varros ata, etj. Janë të njohura gjithashtu edhe kundërshtitë e një pjese të vogël të spektrit politik, të përfaqësuesve të pavarur të shoqërisë civile dhe të medias, aq sa të tillë kanë mbetur, si dhe të mjaft specialistëve të shquar të fushës përkatëse. Këto kundërshti, që më në fund u thjeshtuan kryesisht te e drejta e mohuar e përfaqësimit në të gjithë procesin e votimit, u shoqëruan edhe me të parën grevë urie të disa deputetëve, që u zhvillua bash në sallën e kuvendit. Ne nuk duhet të harrojmë se kjo grevë, edhe sa i takon më të thjeshtës, mirësjelljes, përkujdesjes njerëzore, shoqërore dhe miqësore, të deputetëve të tjerë ndaj kolegëve të tyre grevistë, na dëshmoi  se sa larg të të qënit të lirë janë pikërisht banorët e krye tempullit të fjalës dhe të mendimit të lirë. Gjithashtu na ridëshmoi se përmasat e përbërësve të lirisë, janë ende mjaft të sulmuara dhe se për mbrojtjen dhe realizimin e plotë të tyre, realizimin real dhe jo demagogjik, nuk mjafton vetëm ndryshimi i sistemit politiko-shoqëror dhe legjislacioni bashkëkohor përkatës. Kujtojmë se as edhe një zë i vetëm, nuk u dëgjua që të kundërshtonte haptas drejtësinë. Ajo çfarë ndodhi nuk ka sesi ta trajtojmë si një problem të vogël, thjesht kalimtar dhe të rastit. Sidoqoftë na ndihmoi, sepse na mundësoi që pavarësisht nga forma dhe fshehtësia e saj, të shohim pjesën që veç ngjitet të lakores së diktaturës së pa shpallur, me rrezikshmëri dhe me rrjedhoja po aq negative sa diktatura e shpallur, që na thonë se e paskemi kaluar.  
Ligj ndryshuesi ynë, arsyetimet i bazoi i mbështeti, duke paraqitur si argument, vetëm rezultatet e partive në zgjedhjet e korrikut të vitit 2005. Kjo në një kohë kur gjithkush e di se këto rezultate nuk ishin aspak reale, madje për partitë pa drejtësisht përfituese, sipas ligjit të ndryshuar, rezultatet e sondazheve edhe sot janë dukshëm kundërshtuese. Sondazhet në këto dy tre muajt e fundit, të gjithë pa përjashtim, qartas  na dëshmojnë se sa i përket së majtës, konkretisht LSI-së, të rrimë shtrembër e të flasim drejtë, ia kanë ngrënë hakun. Asaj realisht duhej ti takonte që të kishte një përfaqësues të saj në procesin e votimit, në të gjitha nivelet, duke filluar që nga KQZ-ja. Me këtë sistem, ne presim se mund dhe mbase do të shmanget megadushku, pra tjetërsimi haptas i votave, si një nga pikësynimet kryesore të ndryshimit të ligjit. Sidoqoftë për çdo subjekt politik, nuk do të shmanget, madje do të bëhet më real, rreziku i bjerrjes së treguesve të brishtë të demokracisë së brendshme. Në krahasim me zgjedhjet e kaluara, gjithashtu do të kemi edhe bjerrje tjetër, në një rrafsh më të gjerë dhe shumë më të rëndësishëm. Dashje pa dashje, demokracia do të priret të bëhet edhe më pak përfaqësuese. Dukshëm do të zbehet lidhja e drejtpërdrejtë e zgjedhësit me të zgjedhurin, sepse tani funksionon vetëm vota për subjektin politik, pavarësisht se për çdo qark, çdo subjekt njëkohësisht ka paraqitur edhe ekipin apo grupin e kandidatëve. Ne nuk na është krijuar mundësia, që me anë të votës, të diferencojmë pozitivisht, njërin prej pjesëtarëve të grupit. Sipas mendimit tim, duke mos prekur aspak thelbin e sistemit zgjedhor të miratuar, nuk ka qenë e vështirë që kjo të parashihej, të vendosej dhe të zbatohej.
Më konkretisht dhe praktikisht, si ka mundur që kjo të arrihej? Teknikisht mjaft lehtë. Në çdo fletë votimi, krahas siglave të partive garuese mund të shtohej edhe një fushë e vetme me kutiza me nga një numër në secilën prej tyre. Kuptohet se numri i kutizave është sa numri i deputetëve që do të ketë çdo qark. Duke votuar detyrimisht për një subjekt, zgjedhësi në fakt ka votuar politikisht për krejt ekipin e tij, por ai nëse dëshiron, mund të votojë edhe për njërin  prej pjesëtarëve. E theksoj, vetëm nëse dëshiron, pra thënë ndryshe, jo detyrimisht. Për rrjedhojë fleta e votimit quhet e vlefshme edhe nëse zgjedhësi nuk ka votuar për ndonjërin prej numrave, që në listën e paraqitur përputhet me njërin dhe vetëm me njërin prej emrave të kandidatëve të po atij subjekti. Pas përfundimit të procesit të votimit, do të bëheshin dy raunde numërimi. Në të parin  dhe më kryesorin, komisionet e përziera, nxjerrin rezultatin për çdo subjekt garues në atë qark. Ndërkaq, raundi i dytë i numërimit, realizohet nga komisionet e vetë subjektit. Bazuar në votat e kutizave, ky komision nxjerr sesa vota ka marrë veçmas, secili prej kandidatëve të atij subjekti. Kuptohet se kështu arrihet që të përcaktohet një renditje tjetër, që vjen nga një gjykim më i gjerë, nga qindra dhe mijëra mëndje, prandaj kjo renditje është më legjitime se ajo e kryetarëve dhe e forumeve e tyre.
Mangësitë në rritje të demokracisë së brendshme në parti, pavarësisht disa përpjekjeve dhe zhvillimeve pozitive, nga ulje ngritjet dhe nga zik - zaket, vijojnë të mbeten shqetësuese. Në asnjërën prej partive nuk funksionojnë ose më saktë praktikisht nuk lejohen fraksionet, megjithëse në historinë e politikës njihet fakti se edhe partia staliniste, deri në vitin 1932 i ka pranuar fraksionet. Mungesa e tyre pa dyshim sjell mungesë përfaqësimi. Në këtë rrafsh njëkohësisht përfshihet edhe prirja e dallueshme e dëmshme e përqendrimit dhe mbifuqizimit të pushtetit të kryetarëve. Sistemi i ri, edhe nëse nuk është një shtysë më shumë për këtë prirje, në fakt aspak nuk e pengon mundësinë, që çdo kryetar, me ose pa kokëçarje, të jetësojë vlerësimet e tij për çdo kandidatë të mundshëm, vlerësime që në çdo rast, pavarësisht edhe dëshirës apo përpjekjeve për mirë, natyrisht se do të shoqërohen nga subjektivizmi. Pikërisht duke votuar edhe për kandidatin, do të zvogëlohej ky subjektivizëm dhe për në kuvend do të mandatohen ata që jo vetëm si rregull kanë marrë besimin e partisë, të forumeve dhe sidomos të kryetarëve përkatës, por më kryesorja, që kanë besimin e matshëm  të zgjedhësve, të cilët janë edhe sjanë politikisht  veprues.
Me këtë mundësi  votimi do të zvogëloheshin mjaft pakënaqësitë, një pjesë e të cilave po shprehen me zë dhe nën zë, në shumicën e mjediseve të tensionuara të partive dhe për rrjedhojë të përfshirët në listat e qarqeve do të jenë më fuqishëm dhe më sinqerisht të motivuar. Në PS, pakënaqësia e të mos vlerësuarve po kalohet, po përjetohet me heshtjen dhe qetësinë e dinjitetit të munguar ose shkallë shkallë të humbur.  Në këtë rast, çdo hamendësim për ngjashmëri, përkitaz me shprehjen popullore trrahin dhe as nuk tlan me qa është vetëm dashakeqësi, është mos njohje e realitetit ose haluçinacion me prurje nga fantazma diktaturë.
Mbështetur në analizën e rezultateve të dy zgjedhjeve të fundit dhe në sondazhet e ndryshme, pritet që për dy partitë, pra për PD-në dhe PS-në, nuk do të ketë kërcime të ndjeshme sa i përket  numrit të deputetëve. Për shumicën e qarqeve, parashikimet dhe rezultati konkret, duket se do të kenë shmangie me plus ose minus një deputet. Për rrjedhojë motivimi i të renditurve mbi pragun e pritshëm, nuk do të jetë ai i duhuri, sepse ata vërtetë e kanë kaluar provimin me kryetarin, por provimi para zgjedhësve si pjesë e krejt ekipit, nuk ua ndryshon as për mirë as për keq, vlerësimin e mëparshëm. Ndërkaq të renditurit më poshtë këtij pragu, sidomos ata që janë sa më larg tij, nuk kanë nevojë për tu përgatitur, sepse me këtë formë votimi, ky provim nuk ka ndonjë vlerë, pasi kryetari përkatës ua ka dorëzuar paraprakisht diplomën e deputetit, me vlerësime të mira, të shkëlqyeshme, madje ka prej tyre, që edhe pse rishtarë, me  medalje të artë.
Është për tu përkrahur dhe vlerësuar diskriminimi pozitiv i përcaktuar me ligj, sipas të cilit numri i kandidateve për deputete, në lista të jetë jo më pak se 30% i numrit të përgjithshëm. Partitë e kanë respektuar këtë, por me sa shihet, në kuvendin e ardh

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›