E Shtunë, 31 Tetor 2026

Korçë, PS kryeson ndaj PD, barazim në mandate

Të majtët në avantazh në juglindje, mandatet ndahen njëlloj mes PD dhe PS. Procesi i numërimit të votave në qarkun juglindor të vendit ecën me ritme të ngadalta, teksa regjistrohet dhe incidenti i parë. Në KZAZ 33 të rrethit të Devollit komisionerët e djathtë kanë vendosur për më shumë se 1 orë gjatë mesditës së djeshme bllokimin e numërimit të votave. Shkak i këtij bllokimi janë bërë 10 fletë votim të cilat ishin në favor të PS dhe përfaqësuesit e PD në këtë komision kanë tentuar ti vlerësojnë si të parregullta, kërkesë që pas debateve të ashpra nuk është marrë parasysh. Por bllokim të procesit të numërimit ka patur për më shumë se 7 orë edhe në KZAZ 28 në qytetin e Korçës e vendosur në palestrën e shkollës së mesme Themistokli Gërmenji. Numëruesit e votimeve e kanë ndërprerë punën rreth orës 06:00 të mëngjesit të së hënës për ta rifilluar atë rreth orës 13:00 të kësaj dite. Në fakt lodhja ka qenë arsyeja e vetme e pezullimit të punës, ndërkohë që ajo ka nisur ndonëse me ritme shumë të ulëta më pas. Ndërkaq në KZAZ 30 po në qytetin e Korçës duket se ka patur vonesa të jashtëzakonshme dhe numri i kutive të numëruara ka qenë ndër më të paktët. Kjo KZAZ e ka nisur në fakt punën e saj gjatë të dielës rreth orës 05:00 të mëngjesit pasi ka mbërritur me mjaft vonesë kutia e votimit nga fshati Shtyllë një nga fshatrat më të thellë malorë në rrethin e Korçës, ku nata dhe terreni i thyer malor e ka bërë të pamundur mbërritjen më herët të makinës me materialet zgjedhore. Por rritmi më i ulët i punës regjistrohet në KZAZ 29 në qytetin e Korçës e cila përfshin disa komuna të këtij rrethi ku deri në orën 15.00 nga 87 qendra votimi janë numëruar kutitë e vetëm 4 qendrave votimi. Duket se shifrat paraprake në qarkun juglindor flasin për një balancë mes dy forcave kryesore politike PD-PS dhe për herë të parë këto dy parti në këtë rajon të marrin një numër të barabartë mandatesh. Nga 12 mandate që ka qarku i Korçës 6 mendohet të marrë PD dhe po kaq subjekti tjetër PS. Befasia më e madhe e këtij rajoni ku duket se pavarësisht barazisë së mandateve e majta ka fituar më shumë në përqindje se e djathta, po ti shtosh këtu përqindjen e LSI, PBDNJ, PSD etj. Ndërkaq ajo që duket se ka shokuar përfaqësuesit e subjektit të PR është avantazhi që ata kanë deklaruar deri para hapjes së kutive të votimit ku pretendonin në marrjen e dy mandateve në qarkun e Korçës. Në fakt në këtë rajon kjo parti vinte me një figurë të qytetit të Korçës znj. Myrvete Pazaj e cila kishte realizuar një nga fushatat më intensive në raport me dy partitë e mëdha. Megjithëse numri që ka marrë kjo forcë politike është i konsiderueshëm, nuk ka mundur të kalojë kufirin, madje duhet  thënë se është shumë larg këtij kufiri. Por dhe PBDNJ e Dules që e ka vlerësuar qytetin e Korçës si një bastion të saj nuk ka arritur të marrë votat të krahasuara dhe me vitin 2005 ku ka mundur të sigurojë rreth 5 mijë vota në shkallë qarku. Rënia e PBDNJ është tejet drastike, ndërsa beteja fokusohet mes dy forcave të mëdha PD-PS. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të numërimit të votave deri në orën 16.00 në të 6 KZAZ e qarkut të Korçës nga 421 QV, janë numëruar 145 kuti nga të cilat rezulton se PD ka marrë 43.36 % kundrejt 41.76 % që ka arritur PS. Ndërkaq duke iu referuar këtij rezultati LSI arrin në kuotën e 3.88%, ndërsa PBDNJ 2.05%, teksa PR me vetëm 1.55 %.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›