Skrapar, mbaron procesi i numërimit të votave, PS kryeson listën
Në orën 19:30 minuta procesi i numërimit të votave ka përfunduar krejtësisht në Komisionin Zonal të Administrimit të Zgjedhjeve me numër 4, që përfshin rrethin e Skraparit. Procesi i numërimit të votave në këtë komision nisi në orët e para të mëngjesit të së hënës për shkak të largësisë në të cilën ndodheshin një pjesë e qendrave të votimit.
Por, procesi ka vijuar normalisht dhe nuk është ndërprerë për asnjë momente nga ana e komisionerëve, çka solli përfundimin e tij rreth orës 19:00. Komisionerët kanë deklaruar numërimin e 66 kutive të votimit nga ku ka rezultuar se kanë votuar 11 mijë e 500 votues ku kryeson Partia Socialiste me 4993 vota e pasuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim me 3724 vota, ndërsa në vend të tretë renditet Partia Demokratike me 1820 vota dhe më pas Partia Republikane me 631 vota. Menjëherë pas shpalljes së këtyre rezultateve socialistët e këtij qyteti kanë nisur festën në rrugët dhe sheshet e qytetit. Ndonëse pritej një rezultat më i lartë për Partin Lëvizja Socialiste për Integrim për vetë mbështetjen që gëzon në këtë zonë lideri i kësaj partie Ilir Meta, fituese ka dalë Partia Socialiste në këtë zonë. Ndërkohë drejt përfundimit është procesi i votimit në qytetin e Kuçovës. Nga të dhënat e marra deri në orën 20:00 në këtë komision janë numëruar 42 kuti votimi nga 47 të tilla. Nga të dhënat e para mësohet se Partia Socialiste ka fituar ndjeshëm me një diference të konsiderueshme ndaj Partisë Demokratike dhe partive të tjera