PD dhe PS, në luftë për numrin e mandateve
Koalicioni opozitar Bashkimi Për Ndryshim i kryesuar nga PS, është në avantazh të ndjeshëm në të tre QNV në Qarkun e Gjirokastrës kur janë numëruar afro 35% kutive të votimit. Megjithatë tendenca avantazhuese e PS dhe aleateve të saj është e dukshme në rrethin e Gjirokastrës ndërkohë që në Përmet dhe Tepelenë, në fund të këtij procesi, diferenca mes koalicionit të kryesuar nga socialistët dhe demokratët është më pak e ndjeshme në raport me Gjirokastrën.
Në bazë të numërimit të 60 qendrave të votimit nga 87 që ka rrethi i Tepelenës, Partia Socialiste si subjekt i vetëm pa aleatët ka marrë 2445 vota kundrejt PD si subjekt i vetëm me 1685 vota. Ndërkaq PBDNJ në po kaq qendra votimi ka marrë 25 vota dhe LSI 60 vota. Ndërsa në Përmet pas numërimit të 70 kutive të votimit nga 76 gjithsej, PS e vetme ka fituar 2451 kundrejt PD që ka marrë e vetme 1398. Votat e partive aleate të PS dhe PD janë në nivele të ulëta. Surprizues konsiderohet rezultati i LSI në Tepelenë dhe Përmet ku në zgjedhjet e fundit lokale, ajo renditej si një forcë me mbështetje në elektoratin e kësaj zone. Ndërkohë në Gjirokastër në orën 20:00 të së hënës janë numëruar 38 kuti votimi nga 122 që ka gjithsej rrethi. PS pa aleatët e vet ka marrë 8433 vota kundrejt 5742 të PD e vetme. Vlen të theksohet se në këto vota hyjnë edhe tre qendrat e votimit të fshatit Lazarat bastion i PD por që në zgjedhjet e sivjetshme, ka treguar se PD ka rënie të besimit të elektoratit. Lazarati në të tri qendrat e votimit të tij ka votuar rreth 1700 votues. Prej të cilëve 1074 për PD, 400 vota për PS dhe diferenca e ngelur për PBK. Ndërkaq demokratët gjirokastritë kanë shpresë të ngushtojnë rezultatin me dy qendrat e votimit në qytetin e Libohovës. Komisionerët e PS në Lazarat pohojnë se për herë të parë procesi i votimit është zhvilluar ndershmërisht dhe pa asnjë ndërhyrje apo votim kolektiv si në zgjedhjet e kaluara. Kur ngelen për tu numëruar edhe 2/3 e kutive të votimit, komisionerët e QNV në Gjirokastër kanë kërkuar pushim për të rifilluar në orët e mbrëmjes. Procesi i numërimit të votave në Qarkun e Gjirokastrës në përgjithësi ka ecur normalisht me përjashtim të disa tensioneve mes komisionerëve në QNV në rrethin e Gjirokastrës.