Korçë, Rama: “Më 30 prill do të rrëzojmë qeverinë e korrupsionit”
Korça ka qenë ndalesa e radhës e protestave të Partisë Socialiste. Pasditen e djeshme, kreu i selisë rozë, Edi Rama dhe deputetë socialistë kanë protestuar së bashku me qytetarët e Korçës. Kryesocialisti Rama i ka ftuar banorët e Korçës t’i bashkohen protestës së madhe të 30 prillit për të rrëzuar qeverinë e korrupsionit, që sipas tij po varfëron vendin. “Sali Berisha e ka zhytur vendin në krizë ekonomike. Të bashkohemi të gjithë në Tiranë më 30 prill për të rrëzuar qeverinë e korrupsionit, qeverinë që vodhi votat”, - u shpreh Rama. Sipas Ramës, zgjidhja e vetme e krizës politike është largimi i kësaj qeverie që, sipas tij, e ka zhytur vendin në borxhe. “Qeveria vazhdon të shtojë borxhet, qeveria vazhdon të shtojë krizën, por për mënyra e vetme për t’i dhënë fund është largimi i kësaj qeverie”, - tha kryesocialisti. Alternativa e vetme e Partisë Socialiste sot është protesta që pas debatit të ashpër në Parlament për ngritjen e komisionit hetimor përmes hapjes së kutive. Protestat e opozitës kanë për qëllim të largojnë këtë qeveri në rast se do të vazhdojë të bëhet pengesë për transparencën e zgjedhjeve. Protestat e Partisë Socialiste nuk po shoqërohen si zakonisht me sloganet për hapjen e kutive, apo me fjalimin e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama. Ndryshe nga nëntori i vitit të kaluar, çdo protestë është ndryshe, në bazë të problemeve apo konfliktit që një shtresë e qytetarëve ka me qeverinë. Zyrtarët socialistë në të gjithë Shqipërinë kanë për detyrë të nxisin dhe më pas të mbështesin qytetarët, të cilët do të protestojnë. Megjithatë, forma e re e protestës ndaj qeverisë “Berisha” po lë në hije hapjen e kutive dhe transparencën e zgjedhjeve të 28 qershorit.
Reagimi, Malaj: “Opozita duhet të jetë forca politike e avantazheve dhe shpresës”
Deputeti i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në Partinë Socialiste, Arben Malaj, ka deklaruar se protesta e opozitës me rrip të zi në krah apo në gojë shpreh shqetësimet në rritje për pasojat e përkeqësimit të demokracisë dhe ekonomisë në vend. Mospjesëmarrjen e tij në këtë protestë ai e ka argumentuar me faktin se opozita duhet të jetë forca politike e avantazheve dhe shpresës. “Unë isha aty për të qenë solidar me kolegët e mi socialistë, por nuk u bashkova në protestën me fasha të zeza jo thjesht për të qenë ndryshe, por në mënyrë konsekuente kam theksuar se Partia Socialiste duhet ta bazojë rritjen e mbështetjes publike dhe politike nëpërmjet avantazheve të saj”, - tha Malaj. Përfaqësuesi i LMN-së është i bindur që vendi po shkon drejt një krize të acaruar politike dhe se veprimet arbitrare dhe arrogante të maxhorancës dhe kryetares së Parlamentit duket që e acarojnë më shumë atë. “Partia Socialiste duhet ta bazojë strategjinë e fitores te avantazhet e saj dhe te shpresa që duhet të ofrojë për të gjithë shqiptarët. Rripi i zi në krah apo në gojë, për mua nuk janë elementi i duhur i një opozite”, - përfundon Malaj.
Kuçovë, Felaj: “Qeveria ‘Berisha’ është treguar indiferente ndaj qytetit të naftës”
Në qytetin e Kuçovës është organizuar një protestë e simpatizantëve të Partisë Socialiste drejtuar nga deputetja Ermonela Felaj. Në fjalën e saj përpara banorëve të qytetit të Kuçovës, Felaj është shprehur se qeveria “Berisha” është treguar indiferente ndaj qytetit naftëtar duke mos mbajtur premtimet e saj për këtë qytet. Një protestë e ngjashme është zhvilluar edhe në komunën Velabisht. Banorë kanë protestuar për indiferencën e qeverisë në lidhje me situatën e përmbytjeve. Deputeti socialist Fidel Ylli, i pranishëm në takim, ka përsëritur edhe njëherë shqetësimin për vjedhjen e votave në zgjedhje.
17 Prill 2010