Apeli i KE-së: “Qeveria të bashkëpunojë me pushtetin vendor”
Eljona Ballhysa
Situata konfliktuale e ditëve të fundit mes qeverisë dhe Bashkisë së Tiranës për rikonstruksionin e sheshit “Skënderbej”, ka sjellë reagimin e parë të ndërkombëtarëve. Drejtori për Institucionet Demokratike në Këshillin e Europës, Childerik Schaapveld, i ka bërë apel politikës shqiptare që të ketë bashkëpunim mes pushtetit qendror dhe atij vendor. Përfaqësuesi i lartë i KE-së është shprehur se situata politike në Shqipëri ndikon dhe sjell pasoja negative në zhvillimin e biznesit. Childerik Schaapveld i ka bërë këto deklarata dje gjatë prezantimit të një projekti të Këshillit të Europës dhe qeverisë zvicerane për forcimin e strukturave të qeverisjes lokale dhe rajonale në Shqipëri.
Apeli
“Jam në dijeni të situatës politike, por doja të ritheksoja impaktin ose pasojën që sjell te bizneset situata politike në Shqipëri. Në qoftë se vëzhgojmë me kujdes në këtë drejtim, kohët e fundit ka kaos në qeverisje në të gjitha nivelet. Ka një konfuzion për bashkitë dhe komunitetin. Ky është mesazhi ynë dhe çfarë duam të sjellim, bashkëpunim mes forcave politike”, - është shprehur gjatë fjalës së tij, Childerik Schaapveld, që mban postin e drejtorit për Institucionet Demokratike në Këshillin e Europës. Në të njëjtën linjë për bashkëpunim mes niveleve të qeverisjes ka qenë edhe zëvendësministri i Brendshëm, Ferdinand Poni, i cili ishte i pranishëm gjatë prezantimit të projekti të Këshillit të Europës dhe qeverisë zvicerane për forcimin e strukturave të qeverisjes lokale dhe rajonale në Shqipëri. “Kryetarët e bashkive dhe të komunave, të zgjedhurit vendorë, të zgjedhurit vendorë të qarqeve, qeveritarët qendrorë, duhet të vendosin bashkëpunimin në qendër të vëmendjes. Ky bashkëpunim duhet të jetë jo vetëm vertikal, midis qeverisë vendore dhe qendrore, por dhe bashkëpunim ndërmjet tyre, pra horizontal. Ne duhet të zhdukim ata kufij meskinë të vegjël territorialë. Ne duhet të jemi shumë më pranë kryetarëve, me shërbime më efektive”, - është shprehur Poni.
Përplasja
Këto deklarata vijnë në sfondin e zhvillimit të një nga përplasjeve më të mëdha mes qeverisë dhe pushtetit vendor, siç është ajo për rikonstruksionin e sheshit “Skënderbej”. Kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar kryetarit të Bashkisë së Tiranës që të bashkëpunojë me qeverinë për rikonstruksionin e sheshit “Skënderbej”. Gjatë një konference për shtyp të mbajtur pak ditë më parë, Berisha garantoi se nëse do të zbatohen të gjitha kërkesat ligjore, qeveria do të ndihmojë financiarisht dhe më të gjitha mënyrat Bashkinë e Tiranës për ndërtimin e sheshit. Kreu i Ekzekutivit i bëri thirrje kundërshtarit politik që të zbatojë kërkesat ligjore të vendimit të propozuar prej në kohën kur mbante postin e ministrit të Kulturës. Bashkia e Tiranës, sipas Berishës, duhet të marrë miratimin e Institutit të Monumenteve për të kryer ndërtime dhe ndryshime në sheshin “Skënderbej” pasi ky shesh bën pjesë në të ashtuquajturin Ansamblin e Trashëgimisë Kulturore. Berisha kërkoi që plani i sheshit të diskutohet më parë gjerësisht me qytetarët e Tiranës, akademikët, median, grupet e interesit, si dhe studiot e urbanistikës. Sipas kryeministrit, ky plan duhet të marrë edhe miratimin e Këshillit Kombëtar të Rregullimit të Territorit, pasi bëhet fjalë për një sipërfaqe të madhe. Ai tha se plani aktual nuk zgjidh problemin e trafikut rrugor dhe se ky plan është ndërtuar plotësisht në konflikt interesi. Ndërkaq, kryetari i Bashkisë së Tiranës ka vijuar punimet në shesh, pavarësisht thirrjeve të kryeministrit. Ndërkohë që ky debat parashikohet të vazhdojë gjatë edhe në kuadër të fushatës për zgjedhjet lokale të vitit 2011.
Nishani propozon formular të ri për pronarët, nisma kundërshtohet nga Shoqata
Ministri i Drejtësisë, Bujar Nishani, ka bërë të ditur se qeveria do të përdorë një formular të ri për pronarët. Formulari i ri do të plotësohet nga ish-pronarët për t’u përfshirë në procesin e kompensimit fizik e financiar. Sipas Nishanit, ky formular do të jetë gati brenda disa ditësh. Nishani thotë se së shpejti, drejtuesit e Agjencisë së Kthimit dhe Kompensimit të Pronave do t’i sjellin për miratim dokumentin me rregullat e reja të mbledhjes dhe administrimit të dokumenteve. “Për sa kohë këto ditë është miratuar dhe struktura e re e Agjencisë nga kryeministri, është duke ndodhur procesi i transferimit të dosjeve nga zyrat vendore drejt agjencisë qendrore. Do të jetë thjesht çështje ditësh dhe javësh përsa i takon riorganizimit të strukturës dhe besoj që menjëherë pastaj do të fillohet me proceset e tjera që kanë të bëjnë qoftë me hartimin e modularit të aplikimit, por dhe me vendime konkrete nga Agjencia”, - tha Nishani. Ministri Nishani konfirmon gjithashtu se rregullave të reja nuk do t’u nënshtrohen ata ish-pronarë, dosjet e të cilëve janë grumbulluar në vite pa u shqyrtuar. Janë rreth 8000 të tilla për të cilët nuk do të jetë nevoja e dokumenteve shtesë. “Ata do të trajtohen mbi bazën e dokumentacionit që kanë paraqitur. Nëse gjatë trajtimit do të ketë kërkesa nga komisionet përkatës për dokumentacion plotësues apo për dokumentacione shtesë, kjo është çështje e procedurës dhe e ligjit që parashikon. Ajo bazohet mbi praktikën që është depozituar dhe nuk ka më depozitime të praktikave të tjera”, - tha Nishani. Por kjo nismë e re e qeverisë është kundërshtuar nga shoqata “Pronësi me drejtësi”, e cila shikon formularin e ri të qeverisë si një lëvizje që nuk do të ndihmojë, por do të shtrijë në kohë edhe më të gjatë kthimin dhe kompensimin e ish-pronarëve. “Vazhdon akoma një frymë e ngarkuar për pronarët për të paraqitur dokumentet. Pronarëve u kërkohen rreth 14 dokumente sipas këtij vendimi, në mënyrë që të realizojnë të drejtën e tyre, dokumente të cilat janë shumë të vështira për t’u plotësuar, sidomos pjesa hartografike, e cila kërkohet që të firmoset dhe vuloset dhe gjykata. Vendosja e këtij formulari duket një absurditet, sepse ligji thotë ‘bëhet kërkesë’ dhe format e kërkesës janë nga më të ndryshmet. Vendosja e një formulari të do të thotë që gjithë procesi të fillojë nga fillimi”, - thotë Toro, sekretar i Shoqatës së pronarëve.
17 Prill 2010