Korçë, aksidentohen për shkak të shpejtësië, plagosen 3 të rinj
Tre të plagosur është bilanci i një aksidenti automobilistik të ndodhur 24 orët e fundit në segmentin Korçë-Pogradec. Tre të rinj, banorë të qytetit të Korçës, kanë qenë duke udhëtuar në një mjet tip benz me targa të Korçës, teksa kanë dalë jashtë rruge. Burimet policore bëjnë të ditur se ngjarja ka ndodhur në afërsi të fshatit Bulgarec, rreth 5 kilometra larg qytetit juglindor, gjatë orëve të vona të natës së kaluar.
Tre të rinjtë, bashkëmoshatarë me njëri-tjetrin mendohet të kenë qenë në gjendje të dehur, teksa shpejtësia tej normave të lejuara është shkak i këtij aksidenti. Mjeti drejtohej nga Elton Kodra, 25 vjeç, banor i lagjes 7 në Korçë, ndërsa në bord ndodheshin bashkë me të dhe Glediol Cane si dhe Enkelejd Hamo, 25 vjeçarë edhe këta banorë të qytetit. Të plagosurit janë transportuar në spitalin rajonal, ndërsa policia ka nisur dhe hetimet për ngjarjen. Përgjakja në rrugë e regjistruar pak para mesnatës së të mërkurës në aksin Korçë-Pogradec ka ndodhur në afërsi të urës së Bulgarecit, ndërsa aksidentet në këtë vend kanë qenë të shumta, po ti shtosh dhe problemet që ka kjo rrugë, e cila është në rikonstruksion të plotë.