Shoqata 8 Dhjetori 1990 u bën thirrje qytetarëve për aplikim
Shoqata 8 Dhjetori 1990 nëpërmjet një deklarate për shtyp i ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve që të aplikojnë për letërnjoftimet elektronike, në mënyrë që kenë mundësi për një pjesëmarrje sa më masive në zgjedhje, sepse kështu krijohen më mirë premisat për realizimin e standardeve në zgjedhje.
Gjithashtu, kjo shoqatë kërkon nga partitë politike dhe koalicionet pjesëmarrëse në zgjedhje, që të përpiqen të përmirësojnë nga ana cilësore listat e kandidateve për deputet në mënyrë që të respektohet sa më shumë intelektualizmi, meritokracia dhe përvoja në politikë. Të hiqet dore nga politika e anonimatit. Kërkojmë nga të gjitha forcat politike edhe nga ato të politikes së re që të mos përfshijnë në listat për deputete ish-bashkëpunëtorët e sigurimit të shtetit dhe ish-funksionarët e regjimit komunist. U bëjmë thirrje të gjithë kandidateve për deputete të dorëzojnë vullnetarisht vërtetimin e pastërtisë së figurës, thuhet në deklaratën e kësaj shoqate. Sipas tyre, momentet historike në të cilat gjendet Shqipëria kërkojnë përgjegjësi dhe ndërgjegje qytetare nga të gjithë jo vetëm nga qeveria dhe forcat politike, por nga çdo shqiptar. Çdonjëri duhet të përpiqet të japë kontributin e vet në mënyrë që të arrihet standardet në zgjedhje dhe të plotësohen kushtet për një integrim sa më të shpejtë në Bashkimin Evropian dhe përmbushjen e kritereve si anëtar i barabartë i NATO-s, thuhet në deklaratën e shoqatës 8 Dhjetori 1990.