Lohan: BE ndjek me kujdes të madh procesin zgjedhor
Dy javë nga 28 qershori Shqipëria duhet ti tregojë Bashkimit Evropian pjekurinë politike për të realizuar zgjedhje të lira, nëse dëshiron të vazhdojë me sukses projektet e veta integruese. Mesazhi vjen nga ambasadori i delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Helmut Lohan, i cili si të gjithë ndërkombëtarët, ka theksuar se zgjedhjet janë nën lupë. Shqipëria ka mundësinë ti tregojë BE-së se ka rritur nivelin e pjekurisë dhe se ka kapacitetet të organizojë zgjedhje të ndershme dhe të lira sipas standardeve evropiane.
BE miqtë dhe partnerët e Shqipërisë po e vëzhgojnë këtë proces me interesin dhe kujdesin më të madh, nënvizoi Lohan. Deklarata e kreut të Komisionit Europian u bë gjatë një aktiviteti për mbylljen e projektit të asistencës teknike, një projekt prej 2 milion e gjysmë euro, i cili asistoi qeverinë në rritjen e kapaciteteve administrative. Sipas një sondazhi të kësaj ministrie, 80 % e deputeteve shqiptare janë në dijeni të hapave për integrimin e Shqipërisë në BE. Pjesa tjetër sipas ministres Bregu, duhet të mbesë jashtë Kuvendit. Komuniteti ndërkombëtar ka përsëritur shpesh herë kohët e fundit se pret me padurim që zgjedhjet të certifikohen si të lira e të ndershme. Ndërkohë, klima politike në vend sa vjen e bëhet më e nxehtë, me afrimin e datës së zgjedhjeve.