MSH nis fushatën sensibilizuese për dhurimin e gjakut
Stina e nxehtë e verës rrit detyrimisht nevojën për gjak për pacientët që kanë nevojë për të, ndaj të gjithë duhet të sensibilizohen për dhurim vullnetar. Mesazhi vjen nga Ministria e Shëndetësisë, e cila ka nisur tashmë një fushatë sensibilizuese për dhurimin vullnetar të gjakut. Fushata do të vazhdojë edhe gjatë stinës së verës, duke përgatitur dhe ambiente të hapura për dhurimin vullnetar të gjakut nga qytetarët e ndryshëm. Pjesë e kësaj fushate u bënë ditë më parë vetë punonjësit e kësaj ministrie.
Ndërkohë, Dita Botërore e Dhurimit Vullnetar të Gjakut, e cila çdo vit shënohet në 14 qershor, përbën një mundësi unike për të falënderuar të gjithë ata njerëz, që ndihmojnë dhe rrisin njohuritë e tyre rreth nevojës për më tepër mbështetje. E vendosur si Dita Botërore e Dhurimit Vullnetar të Gjakut, nga Asambleja Botërore e Shëndetit, kjo ditë shënon ditëlindjen e Karl Landsteiner, fituesi i Nobel-it, që zbuloi sistemin e grupit të gjakut ABO. Çdo vit vende të ndryshme mirëpresin Ditën Botërore të Dhurimit të Gjakut, ndërsa për këtë vit mbajtëse e ngjarjes kryesore është zgjedhur Australia. Sipas specialistëve, dhurimi i gjakut jo vetëm që nuk është i dëmshëm, por ndihmon në ripërtëritjen e organizimit. Nëse një individ do të dhuronte gjak 3 herë në vit, çka konsiderohet më se normale, nevojat për gjak do të plotësoheshin. Dhurimi i gjakut shpëton jetën e njerëzve që kanë nevojë për të. Ndërsa, gjaku ka një cikël riprodhimi të përhershëm prej 21 ditësh dhe më pas vetshkatërohet, apeli i strukturave shëndetësore është "mos e lërë të shkojë kot këtë gjak, por dhuroje atë". Gjak mund të dhurojnë të gjithë njerëzit e shëndetshëm nga 18 deri 65 vjeç .Burrat mund të dhurojnë gjak 4 herë në vit dhe gratë dy herë në vit.