E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, çdo ditë shpërbëhet një familje

15/12/2011  Dhuna brenda familjes dhe zgjidhjet martesore nuk kanë të ndalur, në 10 muaj 365 divorce

KORÇE- Dhuna brenda familjes dhe kërkesat për zgjidhje martesore në qytetin e Korçës nuk kanë të ndalur. Familja ka filluar të ndihet shumë më e tronditur në krahasim me disa vite më parë. Për shumëkënd, dhe veçanërisht për institucionet shtetërore, fenomeni në fjalë shihet si një emancipim i gruas, e cila tashmë ka fituar kurajën të denoncojë bashkëshortin e saj, sepse aktualisht nuk i mungon mbrojtja ligjore ndaj dhunës që ushtrohet ndaj saj. Ndërkohë ata që e përjetojnë këtë situatë dhe që shohin se sa fëmijë mbeten jetim, sa probleme dhe shqetësime renditen pas kësaj, sa të mitur mbeten pa ushqim sepse prindërit nuk paguajnë pensionin ushqimore të tyre, dhe se sa bashkëshortë hyjnë në udhëkryqin e jetës, në kërkim të një bashkëshorti tjetër, që në të vërtetë nuk e kanë dashur kurrë, sepse ditën e martesës, celebrimin e tyre janë përpjekur ta realizojnë në kushte gati përrallore, sepse realisht kanë menduar për një martesë deri në vdekje, kanë një vlerësim krejtësisht të ndryshëm nga ajo çka trumbetohet në rrugët zyrtare. Megjithatë, vlerësimi i të dy palëve është i drejtë, sepse institucionet shtetërore shohin pasojat, ndërsa ata që e vuajnë këtë fenomen dinë shumë mirë shkaqet.

Familja korçare e tronditur...

Pavarësisht nga të gjitha këto që u renditën më sipër, tashmë familja korçare pa as një dyshim mund të konsiderohet e tronditur. Shifrat e dhunës brenda familjes dhe kërkesat për zgjidhjet martesore janë alarmante. Dhe për më shumë kjo gjë ndodh në qytetin e Korçës, i cili njihet si një qytet i traditës, i kulturës, i emancipimit dhe i mësonjëtores së parë shqipe. Për këtë arsye njerëzit kanë filluar të vihen përballë dilemës: mos vallë kjo ka qenë Korça edhe gjatë viteve të diktaturës, por shifrat e dhunës dhe të zgjidhjeve martesore mbaheshin të fshehta, sepse Korça ishte një nga qytetet që solli në skenë komunistët dhe i dha fat diktatorit Hoxha, dhe veç kësaj ishte qyteti ku kishte studiuar Enver Hoxha, ku ky i fundit kishte njohur “klasën punëtore”, apo ky fenomen u shfaq rishtas vetëm në vitet e demokracisë. Përgjigjja nuk është e lehtë të jepet. Burime të Drejtorisë së Policisë në Qarkun e Korçës në raportimet e rasteve të dhunës në familje, rezulton se kryesisht janë gratë ato që rrihen nga burrat, ndërsa burime pranë gjykatës së rrethit gjyqësor Korçë, sjellin shifra edhe më alarmante, gjë që do të thotë se statistikat për zgjidhjet martesore janë shumë herë më të larta nga dhuna brenda familjes. Pse ndodh kështu? Nga investigimi që ka kryer gazta “Metropol” rezulton se shumë gra nuk kërkojnë mbrojtjen e policisë, po shkojnë drejt e te divorci, ndërsa vetëm ato familje që ndihen të pambrojtura nga bashkëshorti apo dhëndëri, i cili paraqet rrezikshmëri më të lartë, për shkak të alkoolit që konsumon apo të qenit narkoman, nga këto gra, fillimisht kërkohet urdhri i menjëhershëm i mbrojtjes dhe më pas nisin me procedurat e divorcit, me qëllim për të shmangur çdo të papritur tragjike që mund të ndodhë.

Statistikat

Nëse u referohemi statistikave zyrtare rezulton se gjatë një viti më shumë se 150 gra kërkojnë urdhrin e mbrojtjes së menjëhershme, ndërsa numri i kërkesave për zgjidhje martesore është dy herë më i lartë. Sipas burimeve pranë gjykatës së rrethit gjyqësor Korçë, vetëm gjatë 10 muajve të këtij viti janë paraqitur pranë kësaj gjykate 365 kërkesë gjë që do të thotë (po të kemi parasysh edhe dy muajt e tjerë të vitit) që çdo ditë një prej bashkëshorteve ose më shumë se një, kërkon prishjen e martesës. Nga të njëjtët burime mësohet se numri më i madh i kërkesave për zgjidhje martesore vjen nga femrat (dhe kështu do të ndodhte) po të kihet parasysh dhuna brenda familjes. Megjithatë, duhet nënvizuar fakti se nuk është emancipimi i gruas që po sjell këtë situatë, por diskriminimi ekonomik që i bëhet asaj që prej 20 vitesh, pa përmendur këtu emigrimin, tradhtitë bashkëshortore që janë shumë më të larta se 20 vite më parë, apo të qenit larg njëri- tjetrit për një kohë të gjatë dhe pa ndërprerje

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›