E Diel, 1 Nëntor 2026

Mazhoranca miraton Bujar Leskajn në krye të KLSH-së

15/12/2011  Debate në Komisionin e Ekonomisë për propozimet e Presidentit të Republikës

Spaho: Bujar Leskaj plotëson kriteret dhe gëzon mbështetjen e mazhorancës

Mazhoranca në Komisionin parlamentar të Ekonomisë miratoi dje dekretin e Presidentit Bamir Topi për kreun e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ndërkohë opozita nuk pranoi të merrte pjesë në votim, duke theksuar se këtë do ta bëjnë dhe në votimin e tij në seancën e sotme plenare në Kuvend. “Bujar Leskaj plotëson kriteret e duhura për të qenë në krye të KLSH-së. Plotëson kriterin e meritës, ku kam parasysh rolin e tij në jetën akademike e më gjerë. Mendoj se do të jetë figura e duhur në drejtimin e këtij institucioni. Dhe për këto ai gëzon mbështetjen e grupit parlamentar të mazhorancës. Jam i mendimit që kandidatura e zotit Leskaj është një kandidaturë që duhet kaluar në votim në seancë”, - tha dje kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Edmond Spaho, në përfundim të seancës dëgjimore të kandidatit të propozuar nga kreu i shtetit për kreun e KLSH-së. Përfaqësuesit e opozitës e kundërshtuan emërimin e Leskajt në krye të KLSH-së, pasi sipas tyre ky institucion po politizohet duke emëruar anëtarë të PD-së. Duke theksuar se Leskaj është në kundërshtim me ligjin, sepse emri i tij figuron në listat emërore të KQZ-së të kandidatëve për deputet të PD-së për qarkun e Vlorës. “Nuk mund të funksionojë më kështu kjo mënyrë, ku Kuvendi voton atë që i pëlqen kryetarit të PD-së. Ju po sillni në krye të KLSH-së një demokrat të betuar. Dhe ky edhe sot është anëtar i Partisë Demokratike. Nëse nuk është i tillë, thuajini Komisionit Qendror të Zgjedhjeve ta heqë nga listat e kandidatëve të PD-së për deputet në qarkun e Vlorës. Dhe Kontrolli i Lartë i Shtetit nuk e meriton që drejtimi i tij të bëhet nga njerëz politikë”, - deklaroi dje deputeti i PS-së Erion Braçe. Më herët Bujar Leskaj paraqiti para Komisionit të Ekonomisë programin e tij për KLSH-në, ku një prej çështjeve kryesore është reformimi i këtij institucioni. Ai gjithashtu ka theksuar se do të kërkojë heqjen e imunitetit për kreun e KLSH-së, ndërsa theksoi se auditi është sfida për këtë institucion. Ai paralajmëroi kontrolle në administratën fiskale, kontrolle për mënyrën e dhënies së koncesioneve dhe kryerjes së privatizimeve si dhe rritjen e bashkëpunimit me prokurorinë. Propozimi i Bujar Lesksajt si kreu i ri i KLSH-së u bë nga Presidenti Topi më 17 nëntor, por vetëm tri ditë më parë ai mori pëlqimin e ish-kolegëve të tij dhe të shefit të mazhorancës, fakt që u konkretizua dje në komision.

Leskaj votohet sot në Kuvend

Në seancën e sotme plenare mazhoranca do të japë votëbesimin e saj për Bujar Leskajn për drejtimin e Kontrollit të Lartë të Shtetit. Një ditë më parë në Komisionin e Ekonomisë ai u miratua vetëm me votat e shumicës parlamentare. Opozita e bojkotoi votimin, ku theksoi se të njëjtën gjë do ta përsërisë edhe në seancë plenare. Në rendin e ditës të punimeve të sotme të Kuvendit deputetët pritet të miratojnë shitjen e kompanisë “Albpetrol”, do të miratojnë ligjin “Për noterinë”; projektligjin “Për tregtimin dhe mbikëqyrjen e tregut të produkteve joushqimore”; projektligjin “Për miratimin e niveleve të tarifës doganore”, i ndryshuar, projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin «Për arsimin e lartë», i ndryshuar”. Në përfundim është përcaktuar të zhvillohet interpelancë me Ministrin e Punëve të Jashtme, kërkuar nga deputetja Arta Dade.

Leskaj: Çeku u votua në kulisa

Gjatë fjalës së tij para deputetëve kandidati për zëvendësimin e Robert Çekut në krye të KLSH-së akuzoi dje opozitën e majtë për përzgjedhjen e bërë të Çekut në vitin 2004. Sipas Bujar Leskajt, Çeku u emërua nëpër kulisat e Partisë Socialiste dhe pa miratimin e opozitës së djathtë në atë kohë. “Çeku është miratuar më 2004-n dhe është emëruar në postin që ai mban aktualisht pa miratimin e partisë që ai përfaqësonte, atë Republikane, si dhe është miratuar pa marrë pëlqimin e opozitës së djathtë në atë kohë. Por në atë kohë ai u votua - është keq për ta thënë - nëpërmjet kulisash të mazharancës së atëhershme, sot në opozitë”, – u shpreh dje Bujar Leskaj në prezantimin e vizionit të tij për drejtimin e KLSH-së para deputetëve të Komisionit parlamentar të Ekonomisë, ku theksoi se vlerëson punën e bërë nga të gjithë paraardhësit e tij ndër vite.

Debatet dhe batutat në Komisionin e Ekonomisë

Harasani – Po ndërton dhe ti këshillin e të urtëve, më duket.

Leskaj – Do të kem këshill drejtues, jo të urtësh.

Teksa Bujar Leskaj po zinte vend para deputetëve të Komisionit të Ekonomisë dhe nxjerr Kushtetutën nga çanta, Arben Malaj i thotë:

- Doktori u shpreh se Bujari nuk është kandidatura e duhur për KLSH-në.

Leskaj – Gjej rastin të falënderoj Presidentin e Republikës, profesor doktor Bamir Topin, kreun e qeverisë, profesor doktor Sali Bërishën, si dhe kryetarin e opozitës.

Andis Harasani – Profesor doktor Edi Ramën, doje të thoshe? Po ç’i ke këto, o Bujar?!

Pas 15 minutash fjalim, Harasani i drejtohet Leskajt, i cili po shfletonte materialin e tij:

- Se mos ngatërron ndonjë faqe!

Leskaj – Ju lutem mos më ndërprisni, kini durim deri në fund. Jam këtu për t’ju respektuar ju me këto që po them.

Harasani ngrihet nga karrigia për të dalë jashtë.

Leskaj – Andis, mos u largo, se merr mungesë.

Harasani – E pse duhet të të dëgjoj?! Ti ke vizionin tënd, unë timin.

Leskaj – Ju falënderoj për vëmendjen e treguar!…

Arben Malaj – Në ç’faqe je deri tani?

Leskaj – Jam në nenin 4 të rezolutës, në faqen 12 të variantit të reduktuar të prezantimit. Ndërsa në variantin e gjatë, që është përgatitur vetëm për kryetarin e nënkryetaren e komisionit, nuk e di se në ç’faqe është kjo që po lexoj. Por mos e vritni mendjen, se, nëse nuk do të zgjidhem në krye të KLSH-së, do ta hedh edhe në versionin elektronik në uebsajtin www.bujarleskaj.com (batuta e Leskajt shoqërohen me të qeshura në sallë.

Pyetje-përgjigjet

Harasani ironizon kandidaturat e Topit

- Si ka mundësi që Sali Shehun e rrëzuan vetëm me anë të pyetjeve që iu bënë nga anëtarët e mazhorancës në këtë komision, ndërsa për ju, çuditërisht, nuk ka asnjë pyetje? A mendoni se Federata Shqiptare e Futbollit do të jetë pjesë e kontrollit të KLSH-së?

Leskaj- Fol më me ngadalë!

Harasani – S’të thashë unë të lexoje 40 faqe, si dhe nuk të tha njeri se po lexon shpejt.

Artan Gaçi – Një pyetje për ju, zoti kryetar, kam unë. A mendoni se Presidenti i Republikës e ka respektuar Kushtetutën me këtë dekret të tijin? Kam parasysh se herën e kaluar e akuzuat atë se nuk e bëri.

Arben Malaj, duke folur shpejt, e pyet Leskajn:

– Si mendoni ju, ku ka çaluar puna në KLSH për nivelin e lartë të korrupsionit në vend?

Leskaj - Më avash ju lutem, zoti Malaj.

Malaj - Mendova se cilësia juaj e të lexuarit do të përputhej me cilësinë e të shkruarit.

Leskaj – Jo, unë shquhem për cilësinë e të vepruarit shpejt.

Malaj – Po kjo s’është ndonjë meritë!

Përgjigjet e Bujar Leskajt

Leskaj - Do të ishte megalomani nga ana ime të përgjigjem pse deputetët e PD-së nuk kanë pyetje.

Kam respekt për punën e bërë nga të gjithë ish-drejtuesit e KLSH-së ndër vite, që nga viti 1991.

Harasani – Po ndërton dhe ti këshillin e të urtëve, më duket.

Leskaj – Do të kem këshill drejtues, jo të urtësh. Sa i përket pyetjes suaj, zoti Harasani, mbi kontrollin e FSHF-së, KLSH-ja kontrollon institucionet shtetërore, jo private.

Harasani – Pyetja ime nuk ishte pa qëllim, pasi ekziston një ligj. Por që në kohën kur është miratuar e deri tani ai ka mbetur i varur në gozhdë.

Leskaj – Atë gozhdën e famshme e kam ngulur unë në kohën kur isha ministër i MTKRS-së. Por gjithsesi ne e kemi fituar gjyqin me FSHF-në. Unë e kuptoj shqetësimin tuaj, zoti Harasani, që jeni tifoz kuqezi, por ka një vendim gjykate mbi këtë çështje.

Harasani – Kuqezi je ti, presidenti dhe bashkë me këta që të përkrahin ty.

Mimi Kodheli – Kam parasysh ditën kur në atë karrige ku është zoti Leskaj ishte i ulur zoti Shehu, ku deputeti i PD-së Flamur Noka u shpreh se ajo kandidaturë e Topit ishte në shkelje të ligjit nr. 8270 “Për papajtueshmërinë”, neni 13 i tij, pasi Sali Shehu ishte ende anëtar i Partisë Demokratike.

Flamur Noka - S’mund të më citosh mua duke qenë se unë jam këtu!

Kodheli – Unë kam të drejtë ta bëj, pasi deklarata juaj ishte publike dhe në prani të medies. Dhe po ju citoj drejtë, nuk po deformoj asnjë germë që ju thatë atë ditë.

Noka – Jo moj zonjë, s’ka asnjë arsye të më citosh kur jam këtu.

Harasani i thërret Kodhelit:

– Mos e cito me emër, por “njëri nga anëtarët e PD-së në komision”.

Erion Braçe – Po kështu e ke thënë, o zotëri, se ishte i papërshtatshëm.

Spaho – Ne e mbajmë ende sot atë qëndrim të shprehur mbi dekretin e rrëzuar të Presidentit, ndaj lërini abuzimet. Zoti Leskaj, nuk e keni për detyrë t’u përgjigjeni këtyre çfarë thonë këta.

Erion Braçe – Po mos na bëni për budallenj, të paktën! Ai (Bujar Leskaj) është akoma anëtar i Partisë Demokratike, apo e dha dorëheqjen në mbledhjen e grupit të hënën?!

Harasani ironizon Carën – Nëse më lejoni, gjatë këtyre vjetve që jam deputet fjalimi më i bukur që është bërë në këtë komision është ai i zotit Cara, që i tha Sali Shehut se do të ishte më mirë që të jepte dorëheqjen nga kandidatura e tij për kreun e KLSH-së dhe e ftoi atë që të vazhdojë të japë kontributin e tij në PD. Atëherë i bie që zoti Leskaj nuk është më i nevojshëm për PD-në. Po mos na bëni këtu moral çfarë është thënë dhe si është thënë.

Leskaj – Dorëheqjen time nga PD-ja e kam dhënë që në gusht të këtij viti në mbledhjen e kryesisë.

Spaho i drejtohet Leskajt – Ti s’ke për detyrë t’i përgjigjesh, zoti Leskaj.

Harasani i thotë Leskajt – Ti, kur s’merresh vesh me kryetarin komisionit këtu, si do të merresh vesh me vartësit tuaj, o zotëri?!

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›