Korçë, dimri mes llucës e ujërave të zeza
KORÇE - Qyteti i Korçës kthehet në një kantier ndërtimi. Ndërtimi i kanalizimeve të ujërave të zeza në pjesën më të madhe të qytetit ka bërë, që shumica e rrugëve të mbushen nga dheu e balta. Drejtues të Ndërmarrjes së Ujësjellës-Kanalizimeve bënë të ditur, se në rreth 70 për qind të qytetit do të çahen të gjitha rrugët për të shtrirë rrjetin e tubacioneve. Por, puna ka nisur në një stinë të papërshtatshme. Reshjet e stinës janë bërë shkak, që gati gjysma e qytetit të pushtohet nga balta dhe nga dalja e ujërave të zeza nëpër rrugët e tij. Përfundimi i kësaj faze që ka një afat prej 24 muajsh përmbyll edhe gjithë investimin prej 16.8 milionë euro të Bankës Evropiane për Zhvillim dhe një kontributi prej 2 milionë eurosh të qeverisë shqiptare. Në këto punime janë parashikuar të ndërtohen jo vetëm kanalet kryesore, por edhe ato të banesave private familjare, mjediseve publike, bizneseve, si edhe të pallateve. Mësohet se pjesa më e rëndësishme e këtij projekti është ndërtimi i impiantit të trajtimit të ujërave të përdorura, i cili do të ndërtohet pranë superstradës në afërsi të fshatit Çiflig. Është premtuar se puna do të vazhdojë edhe në periudhën e dimrit. Por pengesë për ritme më të shpejta janë bërë shpesh mungesa e materialeve. j.gj