Bush: Shumë votuan për Obamën për ‘shkakun tim’
Duke i vlerësuar zgjedhjet e vitit 2008 si një “dështim për Republikanët”, presidenti Bush mori përsipër një pjesë të fajit për humbjen e partisë së tij në zgjedhjet e nëntorit. “Jam i sigurt se disa njerëz kanë votuar për Barak Obamën për shkakun tim”, tha presidenti në largim. Edhe pse ai ka refuzuar ta paraqesë presidencën e tij si problematike, presidenti Bush pranoi se senatori i Arizonës, Xhon Mekein (Republikan) e ka pasur të vështirë fitoren e presidencës, për shkak të kushteve të tmerrshme ekonomike, edhe pse ai shmangu fajësimin e vetes. “Është e qartë se situata ekonomike e ka bërë shumë të vështirë dhënien e mesazhit nga Xhon Mekein”, tha Bush në një intervistë për rrjetin ABC News. “Dhe kam ndjerë se Barak Obama ka zhvilluar një fushatë shumë të disiplinuar. Dua të them se ai ka frymëzuar shumë njerëz dhe ka qenë në pozicion të marrë avantazh nga frymëzimi i tij. Ishte i mirë-organizuar dhe në gjendje për të mbledhur shumë të ardhura”, shtoi presidenti. Duke hedhur vështrimin nga administratat e tij, Bush tha se dështimi i shërbimeve sekrete amerikane që çoi deri në luftën në Irak, ishte një nga keqardhjet e tij më të mëdha në drejtimin tetë vjeçar të Shtëpisë së Bardhë. “Shumë njerëz me reputacion kanë deklaruar se armët dhe shkatërrimi në masë ishin arsye e mjaftueshme për të hequr Sadam Huseinin. Ata nuk ishin thjesht njerëz të administratës sime; shumë anëtarë në Kongres, para mbërritjes sime në Uashington, D.C., gjatë debatit mbi Irakun, shumë lider të shteteve rreth botës po shikonin të njëjtat raportime”, tha Bush. “Unë dëshiroj që raportimet e shërbimeve sekrete të kishin qenë ndryshe, besoj”, shtoi presidenti. Megjithatë Bush theksoi se lufta në Irak ishte e paevitueshme, për shkak të mungesës së vullnetit të Sadamit për të pranuar disa rezoluta të ofruara nga Kombet e Bashkuara.