Kosova proteston kundër EULEX-it: Dilni jashtë
Mijëra qytetarë të Kosovës kanë protestuar dje në Prishtinë, për të kundërshtuar rrethanat në të cilat do të fillojë funksionimi i misionit evropian, EULEX, duke shënuar protestën e dytë lidhur me këtë çështje. Vendosja e misionit EULEX parashikohet të rrisë pasigurinë dhe paqartësinë në Kosovë, si cili do të jetë organi që vërtet do të sigurojë një jetë të qetë për kosovarët. Pasi duke nisur nga data 9 dhjetor, në Kosovë, me uniforma të ndryshme do të veprojë policia e Kosovës, policia e UNMIK-ut, ajo e EULEX-it, si dhe trupat e KFOR-it. Këtyre do tu shtohen më pas trupat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, duke e çuar në pesë numrin e autoriteteve të sigurisë që do të veprojnë me mandate të ndryshme dhe në zona të ndryshme në territorin e Kosovës. Ekspertët e sigurisë në Kosovë parashikojnë që në rast të zbatimit të planit gjashtë-pikësh të OKB-së për rikonfigurimin e pranisë civile ndërkombëtare, lidhur me veprimet e mekanizmave të sigurisë, do të ketë paqartësi të mëdha. Kosovës i ishte premtuar në planin e Ahtisarit se do të kishte trupat e saj mbrojtëse dhe policinë e Kosovës, të cilave do t'i shtohej mbikëqyrja e misionit evropian, EULEX, që nuk do të kishte kompetenca kaq të mëdha ekzekutive sa i janë përcaktuar nga vendimi i fundit të Këshillit të Sigurimit, por do të kishte thjesht rol këshillues. Kundër këtyre ndryshimeve, që mendohet se cenojnë integritetin territorial të Kosovës, qytetarët kanë kërkuar shpërbërjen e strukturave paralele që funksionojnë në vendin e tyre. Nën brohoritjet "Jo ndarje jo! Të bëhemi sovranë!", qytetarët kanë kundërshtuar rrethanat e përcaktuara në dokumentin gjashtë-pikësh të Ban Ki Mun, të miratuar nga Këshilli i Sigurimit javën që shkoi. Me moton "Në mbrojtje të sovranitetit", protestuesit kanë marshuar në mënyrë të paqme nga Biblioteka Kombëtare në Prishtinë, duke kaluar afër selisë së misionit EULEX në qendër të qytetit, e kanë përfunduar rrugëtimin tek ndërtesa e Kuvendit të Kosovës. Qytetarët kanë bërë thirrje për hedhjen poshtë të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit, si dhe kundër EULEX-it dhe UNMIK-ut. Protesta ishte organizuar nga Udhëheqësi i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili i është drejtuar masës duke thënë se dokumentet janë ato që kanë rëndësi dhe jo deklaratat e politikanëve. "Me këto gjashtë pika legalizohen strukturat paralele të Serbisë, edhe situata që është në veriun e Kosovës riprodhohet nëpër krejt Kosovën, kudo ku ka një fshat ose një lagje të banuar me serbë", tha Kurti, duke shtuar se EULEX-i nuk do të mund t'i zhbëjë këto struktura paralele, për vetë faktin se do të funksionojë në kuadër të administratës së rikonfiguruar të Kombeve të Bashkuara. "EULEX-i do të ketë imunitet nga ndjekjet penale në Kosovë. Ligji ynë nuk i kap këta. EULEX-i do të ketë zyrë në Beograd, por jo edhe në Tiranë. EULEX-i po vjen pa referendum në Kosovë, pa e pasur pëlqimin e popullit të Kosovës", deklaroi Kurtin. Ai tha se EULEX-i nuk do të jetë i mirëpritur, por i përcjellë edhe me protesta, ndërkaq shefi i administratës së Kombeve të Bashkuara, Lamberto Zannier, do të jetë person i padëshirueshëm. "Prandaj, UNMIK-ut dhe EULEX-it i themi: Jashtë, jashtë, jashtë...", ka brohoritur ai. Organizatorët dhe protestuesit njëkohësisht kanë adresuar edhe kritika të ashpra në adresë të udhëheqësve vendorë.
Kosova: Ndryshimi i paktit të Kumanovës, hap konflikt të ri
Me gjithë reagimet refuzuese të liderëve kosovarë, lidhur me ndryshimet e kërkuara nga presidenti Tadiç, për marrëveshjen e Kumanovës, nënshkruar më 9 qershor 1999 me NATO-në, Ministri serb i Mbrojtjes, Dragan Shutanovac, ka shfaqur shpresën se do të shkohet me sukses në drejtim të korrigjimit të Marrëveshjes ushtarako-teknike. Por klasa politike në Kosovë ka paralajmëruar se nëse ndodhin ndryshime të paktit të Kumanovës, ka rrezik që në Ballkan të provokohen konflikte të reja. Aleanca Kosova e Re, shprehu shqetësimin për rishikimin e marrëveshjes teknike-ushtarake ndërmjet NATO-s dhe Serbisë. Nënkryetari i kësaj partie, Muhamet Kelmendi, konsideron se kjo është një ndërhyrje e drejtpërdrejtë në punët e brendshme të Kosovës. “Deklarimi i presidentit serb, Tadiç është në kundërshtim me rregullat ndërkombëtare mbi sovranitetin e shteteve, që sanksionohet në kartën e OKB-së dhe norma të tjera ndërkombëtare ligjore. Rishikimi i marrëveshjes tekniko-ushtarake të Kumanovës, do të thotë hapje e rrugës për konflikt të ri në Ballkan. Nuk mendoj se faktori ndërkombëtar, Unioni Evropian, Pakti NATO dhe SHBA-të, kanë shkuar nga ajo që të investojnë kaq shumë brenda kësaj periudhe 15-vjeçare, që në një moment të caktuar të marrin një vendim tjetër, që mund të hapë rreziqe, e të na kthejë në situatën që e kemi pasur në 1998-‘99", tha Kelmendi. Ministri serb tha se nuk pret probleme. “Nuk mendoj se do të ketë probleme, përveç ndoshta të ndonjë natyre burokratike. Pres se do të shkojmë me sukses drejt korrigjimit të Marrëveshjes”, tha ai, duke shtuar se Serbia “nuk ka iniciativë për kthimin e ushtrisë në Kosovë për momentin”.
“EULEX-i të shtrihet në tërë Kosovën”
Presidenti i Kosovës Fatmir Sejdiu tha dje se ai nuk i kupton vonesat e shtrirjes së misionit evropian, EULEX. Sipas presidentit, është shumë e rëndësishme që puna për të gjithë faktorët që e përbëjnë këtë strukturë të rëndësishme ndërkombëtare, evropiane, por edhe me pjesëmarrje të SHBA-ve, të jetë dinamike. “Unë do të kem konsulta të drejtpërdrejta, të shpeshta, këto ditë. Natyrisht që edhe sot kam pasur një komunikim të drejtpërdrejtë telefonik dhe kujtoj se në ditët që vijnë do të shkohet në bazë të axhendës që këta, pak me vonesë, e kanë shtrirë (misionin)”, tha presidenti Sejdiu. Ai tha se është me rëndësi që të zbatohet parimësia që EULEX-i të shtrihet në tërë territorin e Kosovës dhe në bazë të mandatit të ketë bashkëpunim me faktorët vendorë. “Edhe në kuptimin e kërkesës së institucioneve të Kosovës që ta kemi në Prishtinë, ta kemi në të gjitha viset e Kosovës, edhe në veri, edhe në jug, edhe në lindje, dhe që të ketë bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës aq sa do ta ketë mandatin”, tha presidenti Sejdiu.