E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, plani rregullues në duart e italianëve

 

SHKODER/ RITVAN DIBRA

Qyteti i Shkodrës pas 11 muajsh do të ketë planin e përgjithshëm rregullues të tij. Pas miratimit të planit rregullues të qendrës së qytetit në vitin 2005, tani i është hapur drita jeshile edhe realizimit të planit të përgjithshëm rregullues.    Ka qenë vetë drejtoresha e Departamentit të Urbanistikës në Bashkinë e Shkodrës, Aida Shllaku që në prani të mediave e ka bërë publike një fakt të tillë. Sipas Shllakut, më 27 nëntor në Ministrinë e Transportit dhe Punëve Publike është nënshkruar një marrëveshje e përbashkët mes kësaj ministrie dhe studiove, që kanë rezultuar fituese për hartimin e planeve rregulluese të 4 bashkive në vendin tonë. Me një financim prej 1 milion eurosh nga Banka Botërore, në tetorin e vitit të ardhshëm qytetet e Shkodrës, Elbasanit, Vlorës dhe të Kamzës do të kenë planet e përgjithshme rregulluese të tyre. Për hartimin e planit rregullues të qytetit të Shkodrës është shpallur fituese studioja italiane IDEA-SRL. Përfaqësues të kësaj studioje, nga qyteti i Firences, kanë zhvilluar një takim paraprak në Bashkinë e Shkodrës, ku janë prezantuar me kryetarin e Bashkisë, Lorenc Luka dhe shefen e Urbanistikës. Sipas Shllakut studioja italiane do të prezantojë jo vetëm një plan të thjeshtë, por do të ketë në këtë studim edhe një plan të zhvillimit hapësinor të zhvillimit urban dhe ekonomik të rajonit të Shkodrës. Ky plan do të përfshijë jo vetëm sipërfaqet brenda vijës së verdhë të qytetit, por edhe zona të tilla që janë në administrimin e tij siç janë ato të Shirokës, Zogajve dhe të Bahçallëkut, të lëna mënjanë gjatë studimeve të mëparshme. Që tani, një përfaqësi e kësaj studioje do të instalohet pranë zyrës së Urbanistikës së Bashkisë, e cila do të jetë në kontakt të vazhdueshëm në marrjen e të dhënave bazë që kanë të bëjnë me strategjinë e zhvillimit të qytetit, veçoritë, traditat dhe historikun e ndërtimeve në Shkodër.
Aktualisht qyteti i Shkodrës operon me një studim të planit të përgjithshëm të qytetit, miratuar në vitin 1994, studim ky që nuk ishte në përputhje me zhvillimet e vrullshme urbane, që po merrte qyteti i Shkodrës. Tashmë me realizimin e këtij studimi duket se Shkodra do të shkojë drejt një qendre urbane bashkëkohore, ku do të jenë të përcaktuara qartë të gjitha zhvillimet ekonomike, sociale dhe kulturore aq të domosdoshme për një qytet të tillë, siç është Shkodra.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›