E Shtunë, 31 Tetor 2026

Perspektiva rajonale e turizmit shqiptar

Agim Sinoimeri* 

Në janar të vitit 2005 u krijua Unioni i Operatorëve Turistikë Shqiptarë. Ky bashkim mbi bazën e vullnetin e lirë, përmbledh 83 subjekteve të industrisë private turistike. Në gjirin e këtij Unioni bëjnë pjesë agjenci udhëtimesh, tur-operator si dhe kompani transporti udhëtarësh. Të gjitha këto subjekte janë të licencuar nga ministritë përkatëse të Turizmit dhe të Transporteve të Republikës së Shqipërisë.
Qëllimi parësor i këtij Unioni është mbrojtja e interesave të komunitetit të biznesit në fushën e turizmit, bashkërendimi dhe nxitja e punës së përbashkët promovuese të subjekteve të tij si dhe shkëmbimi i eksperiencave dhe thithja e asistencës teknike nga organizatat simotra të tij në rajon dhe më gjerë. Përfaqësimi i UOTSH bëhet përmes forumeve të tij drejtuese. Me fjalë të tjera, Unioni mund të identifikohet si një bashkim në nivelin e Dhomës së Turizmit Shqiptar.
Nga analizat e fundit si dhe nga të dhënat e sezonit turistik 2008, rezulton se sot industria turistike shqiptare është futur në një fazë maturiteti, fenomen që shoqërohet edhe me përmirësimin gjithnjë në rritje të infrastrukturës në përgjithësi të vendit. Në planin e trafikut turistik vërehet se pas 17 vitesh ky aktivitet është zhvilluar në të dy drejtimet e tij, në INCOMING (turistë që vizitojnë Shqipërinë) & OUTGOING (turistë shqiptarë jashtë vendit). Të krahasuara me njëra-tjetrën, OUTGOING ka një supremaci në krahasim me INCOMING. Kjo për arsye objektive që do t’i rendisim më poshtë. Shqiptarët në sensin figurativ shquhen si “NOMAD”, d.m.th si popull që është i prirur drejt dinamizmit, lëvizjes, turizmit. Ata përmbajnë në vetvete një etje për të eksploruar dhe për të qenë interaktive me botën. Kjo tendencë e tregut shqiptar ka çuar në krijimin dhe konsolidimin në një hapësirë kohore shumë të shkurtër të një rrjeti tur operatorësh shqiptarë, që sot mundësojnë realizimin e kësaj tendence të shqiptarëve. Destinacionet kryesore të shqiptarëve sot janë Riviera turke, Bodrumi, Stambolli, Deti i Kuq, Sharm El Sheik, Urghada, Kajro, Dubai, Evropa Qendrore, Budapest, Pragë, Vjenë, vendet fqinjë etj.
Një tregues shumë domethënës i konsolidimit të këtyre tur- operatorëve është fakti që ata gjatë këtyre viteve të fundit kanë filluar të operojnë me fluturime “Çarter”, duke ofruar paketa “low cost” mjaft kompetitive në treg. Gjithashtu ata nga viti në vit po shtojnë numrin e destinacioneve të tyre.
Përsa i përket INCOMING, vërehen shenjat e një interesimi gjithnjë në rritje nga ana e tregut perëndimor për të vizituar Shqipërinë. Për këtë qëllim dhe për t’iu përgjigjur ekzigjencave të tregut të huaj, nga gjiri i këtij Unioni ka dalë edhe nisma më e fundit “GO REGIONAL”, që ka si ambicie unifikimin e tregut turistik të vendeve fqinjë në një treg unik, ku përfshihen Kroacia-Mali i Zi-Shqipëria-Kosova-Maqedonia. Kjo do ta bëjë më atraktiv dhe më kompetitiv produktin turistik shqiptar dhe atë rajonal të Ballkanit Perëndimor. Ky bashkëpunim dhe unifikim i tregut diktohet nga disa faktorë.
1) E para është shtrirja e kufizuar gjeografike dhe distancat e afërta që lidhin vendet tona.
2) Potencialet e mëdha dhe të përafërta të të gjithë komponentëve turistikë të vendeve tona, si trashëgimia historike-kulturore, folklori, bukuritë natyrore, vija bregdetare në vazhdimësi, kuzhina karakteristike, aspekte të jetës sociale, e kaluara e përbashkët etj...    
Krijimi i këtij tregu të integruar do të shumëfishojë potencialin turistik të rajonit dhe do ta ridimensionojë atë, duke e kthyer në një treg tepër atraktiv për tur-operatorët e fuqishëm evropiano-perëndimorë e lindorë, si dhe për ata amerikano-veriorë, australianë e japonezë që gjenerojnë sot për sot numrin më të madh të volumit të turistëve në INCOMING. Shqipëria, duke u integruar në këtë treg rajonal, do të përfshihet automatikisht në hartën turistike të Mesdheut. Gjithashtu, kjo iniciativë po shoqërohet me hartimin dhe promovimin e TUREVE TË INTEGRUARA. Një ndër to është edhe ai i quajtur HIGHLIGHTS OF THE WESTERN  BALKANS, 13 DITË/12 NETË, që përshkon 4 shtete: Kroaci-Mali i Zi-Shqipëri & Maqedoni.
Zhvillimi i turizmit kombëtar, përvoja e fqinjëve
Në planin kombëtar të zhvillimit të turizmit, një rëndësi të veçantë merr bashkëpunimi dhe përvetësimi i përvojave turistike të vendeve fqinjë me industri turistike të zhvilluar si Italia, Greqia & Turqia. Këto vende shquhen si vende potenciale turistike në tregun mesdhetar. Me fuqinë dhe përvojën e tyre, ato paraqesin një shans të madh dhe një garanci për zhvillimin e qëndrueshëm dhe bashkëkohor të infrastrukturës turistike në Shqipëri. Me të gjitha këto vende, ne ndajmë shumë vlera të përbashkëta si ato historike, kulturore, natyrore, shoqërore etj.
Dallimi midis nesh është që, ndërsa këto vende shquhen si fuqi të konsoliduara turistike mesdhetare, Shqipëria është ende në fazën latente të zhvillimit të saj dhe ka shumë nevojë për përvojën, asistencën teknike dhe profesionale të tyre në shumë drejtime.
Në radhë të parë, Shqipëria si një vend bujqësor-blegtoral ka nevojë të fokusohet dhe të zhvillojë agroturizmin sipas modelit italian. Gjithashtu, interes të veçante për ne paraqesin turet e vreshtarisë apo të ashtuquajtur WINE TOURS, ture shumë popullore dhe të përhapur në Itali, sidomos në krahinën e Toskanës. Zhvillimi i turizmit akuatik, arti kulinar, neo-gastronomia, përmirësimi i kurikulumeve apo të programeve mësimore për shkollat tona të mesme dhe të larta profesionale në fushën e turizmit, thithja e përvojës dhe përmirësimi i punës në menaxhimin e strukturave hoteliere, të administrimit dhe funksionimit të agjencive të udhëtimit, ngritja dhe zhvillimi i rrjetit të hoteleve rustike apo të stilit butik, që bazohet në rinovimet dhe adaptimet e objekteve historiko-mesjetare në njësi akomoduese. Një rrjet i tillë hotelesh të quajtura CHATEAU & RELAIS gjendet i përhapur në këto vende. Sigurisht që këto lloj strukturash janë produkte të destinuar për një turizëm elitar. Duke prekur këtë çështje, si përfaqësues të komunitetit të këtij biznesi, jemi të mendimit që edhe Shqipëria, duke patur parasysh burimet dhe sipërfaqen e saj të kufizuar, duhet të mbështesë zhvillimin e një turizmi elitar në vend të atij masiv, i cili do të shkaktonte dëme ekologjike dhe do të rrezikonte zhvillimin e një turizmi të qëndrueshëm.
Promocioni i turizmit shqiptar
Sot në fushën e promocionit turistik shqiptar, krahas botimeve të ilustruar, gjithnjë me një përmirësim cilësor të dukshëm dhe me parametra bashkëkohorë, vërehet përhapja e shpejtë e promocionit dhe informacionit elektronik mbi Shqipërinë turistike përmes një rrjeti të tërë uebsitesh. Sot në to vizitorët e shumtë të internetit mund të gjejnë online informacione të sintetizuara për Shqipërinë, mbi paketat dhe turet që ofron rrjeti i tur-operatorëve dhe i agjencive shqiptare të udhëtimit, mënyrën se si mund të udhëtohet, të dhëna praktike që nevojiten gjatë qëndrimit në Shqipëri etj. Aty vizitorët mund të kontaktojnë dhe të marrin të dhëna edhe nga institucione qeveritare turistike. Një ndër to është edhe uebi www.albaniantourism.com, ku ofrohet një gamë e gjerë informacioni profesional mbi Shqipërinë në tërësi dhe në veçanti në fushën e turizmit.
Gjithashtu në këtë rrjet uebsitesh spikasin FOTO-GALERITË e tyre me një larmi dhe shumëllojshmëri fotosh artistike, panoramike dhe ajrore. Në to paraqiten pamje të bukurive natyrore të vendit, pjesë të trashëgimisë tonë historike-kulturore, bregdeti me plazhet e tij të virgjëra, folklori, veshje tradicionale, pamje pastorale etj...
Gjatë këtij viti një eveniment pozitiv për turizmin shqiptar ka qenë edhe transmetimi i disa spoteve televizive në kanalin prestigjioz televiziv CNN. Po ashtu përgatitja dhe transmetimi i një sërë dokumentarësh shumë të vlerësuar turistikë në anglisht. Një ndër to mund të ndiqet ende në uebin e mirënjohur www.youtube.com dhe titullohet You Tube Albania video.

*President Nderi i Unionit të Operatorëve Turistikë Shqiptarë  

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›