E Shtunë, 31 Tetor 2026

Teodor Laço: Liderët rusë,si i njoha unë

 

ALMA MILE

Pati mundësinë të shihte nga afër, se si ziente jeta në këtë vend të madh dhe të largët. Për tri vite, Teodor Laço shërbeu si ambasador pranë Ambasadës shqiptare në Rusi. Kohë, që veç të tjerash e shfrytëzuar për të shkruar librin e tij “Një dritare mbi Kremlin”, një vepër publicistike kushtuar udhëheqësve rusë, që drejtuan Bashkimin Sovjetik e pas shpërbërjes, Rusinë, gjatë 50 vjetëve. Në një intervistë Laço tregon për veprën e tij të re, që pritet të hidhet në treg, por edhe eksperiencën e tij si diplomat në Rusi, gjatë kohës së shpalljes së pavarësisë së Kosovës.
Kanë dalë kopjet e para dhe pritet që në libraritë e Tiranës të dalë libri juaj i fundit, ç’mund të na zbuloni prej tij?
Ky libër është fryti i një pune 2-vjeçare në Rusi, ku punova si diplomat nga viti 2006-2008 dhe mendova se do të ishte interesante për publikun shqiptar të merrte një informacion më të hollësishëm mbi zhvillimet në Rusi dhe protagonistët e historisë së saj në këto 50 vitet e fundit, që nga vdekja e Stalinit, deri në mandatin e fundit të Putinit.
Sa vend zënë në të marrëdhëniet shqiptaro-ruse?
Këto marrëdhënie zënë shumë pak vend, sepse për kohën për të cilën është shkruar, ato kanë qenë të ngrira. Edhe kur u rivendosën pas vitit 1991, mbeten prapë të një miqësie në thonjëza, pa ndonjë zhvillim të theksuar në rrafshin ekonomik.
Si është ndërtuar libri juaj?
Libri ndahet në 6 kapituj dhe secili merr përsipër të tregojë për figurat, që kanë drejtuar Bashkimin Sovjetik e më pas Rusinë në 50 vitet e fundit. Kapitulli i parë titullohet “Shkrirja e akujve” dhe flet për periudhën e Hrushovit, mes viteve ‘53-‘64. Kapitulli i dytë “Ujëra të ndenjura” i takon drejtimit 18-vjeçar të Brezhnjevit, që u karakterizua nga një stanjacion i vërtetë, ekonomik dhe politik. I treti, që është më i shkurtër, quhet “Ura mes dy brigjeve”, që përkon me kohën kur BS-në e drejtoi Andropovi dhe pastaj vazhdon me Gorbaçovin “Një liri e dhuruar”, që kupton fillimin e proceseve të reja të Perestrojkës dhe të Glasnosit në BS. Vijon “Rrëzimi i kështjellës”, periudha gati 8-9 vjeçare e Jelcinit. Kapitulli i fundit është “Zgjimi i ariut”, që ka të bëjë me periudhën e Putinit. Është periudha kur Rusia pati një bum ekonomik dhe u kthye në pretendimet e saj të dikurshme, si një superfuqi.
Ku ndahet fakti historik nga fiksioni?
Libri është një hulumtim skrupuloz në arkiva dhe më së shumti në shtypin e kohës e nëpër libra. Nuk ka ngjarje të trilluara, ndaj them se nuk është fiksion. Faktet dhe ngjarjet janë të njohura për publikun, por këndvështrimi i tyre, interpretimi, trajtimi publicistik, i tyre është imi, si një shkrimtar shqiptar. Kam zgjedhur ato momente, që mua më janë dukur më interesante. Dhe këtu mund të themi që ka një lloj fiksioni, se nga moria e fakteve dhe e ngjarjeve, kam zgjedhur ato që kanë një lloj force tërheqëse më të madhe për publikun.
Si vijnë përmes librit tuaj këta burra shteti?
Dalin ashtu, lakuriq. Ashtu si i kam gjetur unë. Kur nisa punën gjeta vetëm Putinin, të cilin e takova vetëm një herë për të shkëmbyer letrat kredenciale dhe shkëmbyem vetëm 5 fjalë, por në shtypin rus ka shpjegime të hollësishme të psikologjisë dhe bëmave të Putinit e të drejtuesve të tjerë. Do veçoja një moment nga Brezhnjevi, që mbahet si drejtuesi më mediokër i këtyre kohërave. Brezhnjevi shikonte vetëm filma nga bota e kafshëve dhe kur në vitin 1971 u xhirua i pari film serial rus me titullin “17 çaste të pranverës”, që kishte në qendër veprimtarinë e një zbuluesi gjatë luftës patriotike, ia rekomanduan ta shihte. Në fund heroi, një major rus, dekorohej me urdhrin “Hero i Bashkimit Sovjetik” dhe Brezhnjevi pyet në ia kishin dorëzuar urdhrin, se në të kundërt do të donte t’ia dorëzonte ai. Meqë të pranishmëve u erdhi zor të shpjegonin këtë situatë, titullin, ia dhanë aktorit që luante këtë rol. Kjo ka mbetur si anekdotë, por që nuk është e tillë.
Për t’u shkëputur pak nga libri, cila është jeta e një diplomati në Rusi?
Jeta e diplomatit është e ndarë mes përpjekjeve për të gjetur hapësira sa më të mëdha në fushën e marrëdhënieve ekonomike, takime me biznesmenë rusë, që kanë interesa në Shqipëri. Është krijimi i marrëdhënieve miqësore me përfaqësitë e vendeve të tjera.  Pata fatin të bëj miq ambasadorët e Kroacisë, Maqedonisë, Rumanisë, Malit të Zi, Polonisë, etj. Pastaj jeta e diplomatit vijon në informimin e Ministrisë së Jashtme për punën e kryer, marrja e informacionit nga shtypi dhe agjencitë e lajmeve, që janë me rëndësi për ne. Pastaj detyrime të tjera që kemi ndaj familjeve shqiptare në Moskë. Atje ka 70 familje shqiptaro-ruse, të krijuara gjatë viteve të marrëdhënieve të mira, në vitet ’60. Ka edhe disa çifte të reja të krijuara nga studentë, që kanë studiuar në Rusi.
Detyra juaj si diplomat përkoi me Pavarësinë e Kosovës, cili ishte roli juaj në një terren “kundërshtar” si Rusia?
Roli ynë konsistonte në krijimin e një lobingu me vendet mike dhe në këtë mes ne kishim mbështetje të gjerë, sepse siç dihet të gjitha vendet e Evropës, përveç 4-5 syresh e njohën pavarësinë e Kosovës. Sa i përket ndikimit në politikën ruse, kjo ishte e pamundur për shkaqe të njohura. Ajo që ne kishim mundësi ishte që përmes intervistave të ndryshme në median ruse, të bënim publik qëndrimin e Shqipërisë, që në thelb kundërshtonte tezën ruse.
Pati ndonjë incident ditëve të shpalljes së pavarësisë?
Shpallja e pavarësisë nuk kaloi pa incidente për Ambasadën shqiptare, sepse në Moskë ka shumë organizata ekstreme, të fshehta, pro serbe. Patëm një provokacion një ditë pas shpalljes së pavarësisë. Dikush kishte qëlluar me vezë muret dhe pllakën ku shkruhej Ambasada e Shqipërisë. Pasi njoftuam për këtë incident, dy ditë më vonë na vjen një letër kërcënimi, që dukej e shkruar nga ndonjë organizatë naziskine, që thoshte “Derra shqiptarë, deri në fund të vitit jeni të zhdukur”.
Përpos politikës, cili është mendimi i rusëve për shqiptarët?
Në Rusi ka një brez që nuk e njeh Shqipërinë, por është një tjetër brez, i moshës time, apo edhe më i ri, që ka simpati për hir të marrëdhënieve të dikurshme, për faktin që ka pasur shumë studentë rusë, që kanë lënë gjurmë në fushën e shkencës dhe të artit.

Marrëdhënie dashuri-urrejtje
Nuk ka dashur të merret me ngjarje që historia i ka trajtuar gjerësisht, si në rastin e mbledhjes së famshme të 81 partive në Moskë. Edhe pse marrëdhëniet Shqipëri-Rusi dalin shkarazi, ai i paraqet ato si një lidhje “dashuri-urrejtje”, që kulmoi me Stalinin, u lëkund me Hrushovin, ngriu me daljen nga Traktati i Varshavës, për të rinisur në vitin 1991. Që atëherë ka vijuar si ajo loja “ngriva-shkriva”

Çiftet e reja të emigracionit
Martesa mes djemve shqiptarë e vajzave ruse nuk kanë ndodhur vetëm në vitet ’60, por edhe sot. Veçse sot janë kryesisht lidhje emigracioni. “Është një fakt interesant. Një pjesë e vogël e njohjeve ndodh në Rusi, pjesa më e madhe në emigracion, në Itali, Greqi dhe vijnë tek ne për dokumentacionet. Është e çuditshme, sepse janë që nga fshatrat e Shkodrës deri në Tiranë”, tregon Teodor Laço.

Një roman mbi Luftën italo-greke
Së shpejti do të nxjerrë një tjetër libër. Këtë herë një roman mbi luftën italo-greke. Shkrimtari Teodor laço thotë se ideja për ta shkruar këtë vepër është shumë e hershme, qysh në vitet ’70. Ishte vetëm 4 vjeç kur kjo luftë shpërtheu dhe përfshiu edhe vendlindjen e tij Korçën. Në këtë roman, që del pas disa muajsh hedh kujtimet e tij të fëmijërisë, por edhe fakte historike.

Libri
“Historia, arkivat, shtypi, librat e botuara, mëtojnë se kanë zbuluar shumëçka nga ngjarjet që kanë ndodhur brenda mureve të tij në 50 vitet e fundshekullit të kaluar, ku do të shtrihet vështrimi im, por gjithkush e di se kjo është e pamundur. Gjithçka ngjan se është ngritur mbi të fshehtat dhe zbulimin e tyre”, - thotë shkrimtari në hyrje të librit.
Titulli: “Një dritare në Kremlin - Nga Hrushovi te Putini”
Autori: Teodor Laço
Faqe: 336
Çmimi: 1200 lekë

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›