Korce gjenden 6 nga 61 pikturat e zhdukura

Gjenden 6 nga 61 pikturat e zhdukura në galerinë e arteve “Guri Madhi” në Korçë, të cilat i përkasin piktorit Sotiraq Kuqali. Vetë piktori i njohur korçar ka sqaruar opinionin publik se ai i kishte tërhequr nga fondi i galerisë disa prej punimeve të tij, me qëllim restaurimin e tyre, për shkak, siç thotë ai, të gjendjes së mjeruar të godinës ku mbaheshin prej vitesh.
Por më shumë se gëzim për gjetjen të një pjese të fondit të zhdukur të galerisë, deklarata e piktorit Kuqali, nxjerr në pah procedurën tejet joligjore të hyrje-daljeve të veprave të galerisë, pas asnjë procesverbali apo nënshkrimi.
Piktori, Sotiraq Kuqali shprehet se ka kërkuar të kthejë në galeri 6 punimet e tij, menjëherë pas publikimit të skandalit, por drejtori i qendrës kulturore Vangjush Mio nuk ka pranuar t’i marrë në dorëzim. Megjithatë Kuqali i ka lënë pikturat e tij në galërinë e arteve të Korçës, ku ato ndodheshin edhe pas përfundimit të inventarit të fondit dhe ku vijojnë të jenë ende. Ndërkohë vijon kërkimi i pikturave të tjera të zhdukura nga kjo galeri, mes të cilave dhe 27 punime të piktorit të popullit, Vangjush Mio.