Nuk do te kete solidaritet pa kontrolle fiskale

Nuk do të ketë solidaritet në Europë pa kontrolle. Kështu ka deklaruar kancelarja gjermane, Angela Merkel në një intervistë për kanalin ZDF, duke kujtuar se nëse ka një monedhë të përbashkët kjo do të thotë se përveç përfitimeve ka edhe detyrime dhe se vendimet politike të çdo vendi anëtarë kanë efekte mbi të tjerët. Cdo përpjekje për të thënë se jemi solidar pa dëmshpërblime nuk do të ketë asnjë mundësi me mua apo Gjermaninë ka thënë Merkel. Derisa Italia dhe mbi të gjitha Gjermania nuk do të ratifikojnë traktatin për fondin e qëndrueshëm europian të shpëtimit të shteteve, burimet do të jenë të kufizuara në qindra miliardë euro të mbetur në dhurimet e fondit, ka shtuar kancelarja. Lidhur me shtrëngimet, Merkel ka deklaruar se nuk do të kenë shanse asnjë përpjekje për të kërkuar solidaritet pa asnjë dëmshpërblim. Ndër të tjera në intervistën televizive në kanalin gjerman ZDF, Merkel ka kërkuar që shpëtimi i bankave spanjolle të garantohet nga qeveria. Gjithsesi ajo ka thënë se Spanja është në rrugën e duhur duke vlerësuar masat e qeverisë në muajt e fundit për zgjidhjen e krizës. Nisja e funksionimit të Fondit të qëndrueshëm europian të shpëtimit në teori duhet të përfundojë më datën 1 gusht të këtij viti. Por ratifikimi i tij lidhet me aprovimin nga parlamentet çdo vendi anëtar të BE. Përsa i përket Italisë, Monti ka deklaruar se traktati mbi fondin e shpëtimit do të përfundojë përpara mbylljes verore të punimeve të parlamentit. Ndërkohë që për Gjermaninë situata është më e ndërlikuar pasi, pas aprovimit nga të dy dhomat e Bundestagut, do të jetë Gjykata e Lartë ajo që do t’i japë firmën përfundimtare këtij traktati.