E Diel, 1 Nëntor 2026

Korçë, gjoba pikave që abuzojnë me karburantin

KORÇË- Nëse të duhet të furnizohesh me karburant në rajonin e Korçës duhet të mendohesh mire që të mos biesh në grackën e tregtarëve që ta shesin përveç çmimit të lartë dhe në sasi shumë më të paktë se ajo që paguan.


Për t'i prerë rrugën këtyre abuzimeve kanë nisur dhe kontrolle për të vënë para përgjegjësisë abuzuesit. Kështu, kontrollet në pikat e karburanteve për matjen e sasisë së shitjes së karburantit, si dhe gjobat mbi kundravajtësit kanë nisur të jenë të shumta. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit Drejtoria e Metrologjisë dhe Kalibrimit në qytetin juglindor ka ndërmarrë aksione për kontrollin e shitjes së karburanteve në të gjithë rajonin.


Janë më shumë se 20 pika të tregtimit të karburanteve, të cilat i janë nënshtruar kontrolleve në anën e dokumentacionit, por dhe mënyrës së tregtimit dhe respektimit ose jo të sasisë për klientët. Problematika duket se ka qenë e madhe, ndërsa janë mbi 10 subjekte që janë ndëshkuar me gjoba me vlerën 75 mijë lekë.

Duke iu referuar drejtorit të drejtorisë së Meteorologjisë dhe Kalibrimit në Korçë, Artan Dvorani, mësohet se nga kontrollet e ushtruara vetëm në ditën e fundit janë konstatuar shkelje në 10 subjekte, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditura, ndërkohë që ajo që është vënë re, përveç mungesës së theksuar të dokumentacionit, është vërejtur dhe shitja jo në sasinë e duhur e benzinës, naftës etj.


Në këto kushte është vendosur menjëherë gjoba, ndërsa pritet që me mbylljen e këtyre kontrolleve që do të vazhdojnë në të gjithë qarkun juglindor të vendit, të çohen për ndjekje penale subjektet që kanë pasur probleme më të mëdha.


Sipas Dvoranit, pikat e karburantit në rrethin e Korçës kanë rezultuar me më pak probleme në mënyrë të veçantë në drejtim të respektimit të sasisë për litër ndaj konsumatorëve, ndërkohë që më problematiket kanë qenë pikat e tregtimit të karburanteve në rrethin e Pogradecit ku janë përqendruar dhe gjobat. Tre prej këtyre pikave të vendosura në aksin nacional Korçë-Pogradec janë ndëshkuar me gjobën me vlerë 75 mijë lekë.


Kontrollet do të vazhdojnë edhe në ditët në vazhdim të kësaj jave. Më pas, pritet të përgatitet dokumentacioni për të çuar disa subjekte në ndjekje penale. Kontrolli vjen pas disa masave shtrënguese të marra gjatë javës së kaluar në tregun e qytetit të Korçës dhe njësitë e shitjes për respektimin e peshës së produkteve ushqimore, ku dhe këtu janë vërejtur gjithashtu probleme.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›